Lajme

Çfarë duhet të dini për zgjedhjet presidenciale në SHBA?

Autori: Gazeta inFokus 11:05 | 16 November 2023

Zgjedhjet presidenciale amerikane më 2024 premtojnë të jenë si asnjë palë zgjedhje tjera në kohën moderne.

Në mesin e kandidatëve republikanë për president në krye është ish-presidenti Donald Trump, i cili përballet me disa akuza federale dhe shtetërore që lidhen me përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 kundër demokratit Joe Biden. Biden, presidenti aktual, është kandidat në mesin e demokratëve. Ai do të jetë 81 vjeç kur të mbahen zgjedhjet në nëntor të vitit 2024, duke e bërë atë amerikanin më të vjetër që zgjidhet president, në rast se fiton mandatin e dytë katërvjeçar.

Kush janë kandidatët republikanë që po garojnë për president?

-Advertisement-

Trump, 77 vjeç, po dominon fushën republikane. Kandidatët e tjerë gjerësisht kanë shmangur kritikat ndaj Trumpit lidhur me veprimet e tij të lidhura me zgjedhjet e vitit 2020 nga frika se mund të zemërojnë elektoratin e tyre. Shumica e mbështetësve të Trumpit besojnë në pretendimet e rreme të tij se fitorja iu vodh. Rivalët e tij republikanë, sikurse guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, dhe ish-ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, kanë argumentuar se problemet ligjore të Trumpit do ta pengojnë atë në luftën e përgjithshme zgjedhore kundër Bidenit.

Përjashtim ka bërë ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, i cili ka dënuar përpjekjet e Trumpit për të ndryshuar rezultatin zgjedhor të vitit 2020. Ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson, një kandidat që vlerësohet se ka pak gjasa për fitore, ka thënë se Trump është i papërshtatshëm për detyrën e presidentit.

Biznesmeni Vivek Ramaswamy, politikan i ri, po garon si trashëgues i agjendës populiste të Trumpit “Amerika e Para”, agjendë që është e kujdesshme ndaj një Qeverie të madhe federale, ndaj fuqisë së korporatave dhe aleancave ndërkombëtare. DeSantis dikur shihej si kandidati më me shumë gjasa të mposhtë Trumpin në sigurimin e nominimit nga republikanët, por fushata e tij ka pësuar rënie që kur filloi në maj, pavarësisht se kishte shumë potencial. Në ndërkohë, Haley ka fituar momentum pas performancave të mira në debatet e kandidatëve për president. Guvernatori i Dakodës së Veriut, Doug Burgum, po ashtu po garon për nominim, por nuk ka arritur që të tërheqë shumë vëmendje.

Sondazhet sugjerojnë se Trump është i lidhur gjerësisht me një përballje të drejtpërdrejtë me Bidenin, përderisa votuesit kanë shprehur shqetësime me moshën e Bidenit dhe me menaxhimin e ekonomisë pavarësisht rritjes së vendeve të punës, investimeve në infrastrukturë dhe zbutjes së ngadalshme të inflacionit pasi vitin e kaluar arriti në shifër rekord.

Trump përballet me katër raste në gjykatat federale dhe shtetërore për përpjekjet e tij për të minuar zgjedhjet e vitit 2022, për keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara dhe për përfshirjen e tij në pagimin e një ylli të pornografisë në këmbim të heshtjes. Ai ka thënë se është i pafajshëm dhe ka argumentuar se është viktimë e përndjekjes politike, akuzë që administrata Biden e mohon. Datat e caktuara për këto raste gjyqësore paraqesin pengesë për aftësinë e Trumpit për të bërë fushatë.

Kush janë demokratët që po garojnë për president?

Përderisa votuesit mund të mos jenë shumë entuziastë, udhëheqësit demokratë dhe donatorët e mëdhenj po mbështesin Bidenin dhe nënpresidenten e tij, Kamala Harris. Dean Phillips, një kongresist amerikan pak i njohur nga Minesota, njoftoi në tetor se do të sfidojë Bidenin sepse ai nuk beson se presidenti mund të fitojë edhe një mandat. Autorja Marrianne Williamson po ashtu po garon kundër Bidenit.

Fushata e Bidenit për mandatin e dytë mbështetet në menaxhimin e ekonomisë pas pandemisë COVID-19 dhe ai e ka cilësuar si “betejë për shpirtin e Amerikës” luftën kundër republikanëve të lidhur me Trumpin. Në administratën Biden, papunësia ra në nivelet më të ulëta, Bruto Prodhimi i Brendshëm (GDP) u rrit më shpejt sesa pritej dhe pagat janë rritur. Megjithatë, inflacioni u rrit vitin e kaluar, dhe përderisa ai ka rënë në muajt e fundit, votuesit vazhdojnë të jenë të shqetësuar me çmimet e larta të ushqimit, karburanteve, makinave dhe strehimit.

Nëse Trump fiton nominimin nga republikanët, fushata e Bidenit ka të ngjarë të përqendrohet në paralajmërimin e votuesve se Trump paraqet kërcënim vdekjeprurës për demokracinë amerikane.

Kush tjetër është në garë?

Robert F. Kennedy Jr, aktivist kundër vaksinimit, ka nisur një fushatë të pavarur për të sfiduar Bidenin në garën për të marrë nominimin e demokratëve. Kennedy ka fituar një lloj pëlqimi si te demokratët, ashtu edhe te republikanët, që nuk duan një garë midis Bidenit dhe Trumpit. Aktivisti progresiv, Cornel West, ka thënë po ashtu se do të garojë për president si i pavarur, ndërkaq ish-kandidatja për presidente Jill Stein, ka thënë se do të kërkojë nominimin për presidente nga Partia e Gjelbër. Sfida e këtyre kandidatëve është që të mbledhin votat e nevojshme që emrat e tyre të përfshihen në fletëvotimet në 50 shtetet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Kur nisin garat partiake për zgjedhjet e vitit 2024?

Republikanët do të mbajnë garën e parë për nominimin e kandidatit për president në janar, në Ajova. Nju Hampshajër do të mbajë garën brendapartiake pas Ajovës, pasuar nga Nevada, Karolina e Jugut dhe Miçigani. Demokratët planifikojnë të mbajnë garën e parë të brendshme në Karolinën e Jugut në shkurt. “Super e Marta” – ku dhjetëra shtete do të votojnë për delegatët e tyre, përfshirë nga Kalifornia dhe Teksasi – do të mbahet më 5 mars. Çdo parti do të nominojë kandidatët që fitojnë më shumë delegatë në konventat e tyre për nominim në verën e vitit 2024. Republikanët do të mbajnë konventat në Millvuaki dhe Viskonsin, përderisa demokratët në Çikago. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 5 nëntor 2024.

Cilat janë çështjet kryesore?

Aborti: Demokratët planifikojnë që ta shndërrojnë abortin në çështjen kryesore të fushatës së tyre më 2024. Sondazhet thanë se shumica e amerikanëve nuk përkrahin kufizime strikte në të drejtat e riprodhimit. Kjo çështje është bërë më motivuese për ata që mbështesin të drejtat e abortit sesa për ata që e kundërshtojnë atë, dhe partia shpreson që kërcënimet për këto të drejta do të inkurajojnë miliona gra dhe të pavarur që të votojnë për demokratët në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Por, çështja e abortit ka ndarë republikanët. Disa udhëheqës partiakë janë shqetësuar se partia ka shkuar shumë larg me vendosjen e kufizimeve në nivel shtetëror që kur Gjykata Supreme amerikane hodhi poshtë vitin e kaluar vendimin e vitit 1973, të njohur si Roe v. Wade, duke i dhënë fund mbrojtjes kushtetuese për abortin. Ekonomia: Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga Bideni po tenton të sigurojë amerikanët se ekonomia është e qëndrueshme, me inflacionin që po ngadalësohet dhe me nivelin e papunësisë që është në nivele më të ulëta që gjysmë shekulli. Republikanët kanë thënë se ata do të shkurtojnë shpenzimet federale, pasi sipas tyre këto shpenzime kanë rritur inflacionin dhe kanë çuar në rritjen e çmimeve të konsumit. Ata po ashtu duan të shkurtojnë rregullat federale dhe të ulin taksat.

Demokratët kanë argumentuar se ekonomia është e shëndetshme, pagat janë rritur dhe investimet në infrastrukturë po prodhojnë përfitime afatgjata në vendet e punës. Por, votuesit nuk janë të bindur. Një sondazh i realizuar nga Reuters/Ipsos në shtator gjeti se 27 për qind e votuesve që kishin votuar për Bidenin më 2020 thanë se financat e tyre ishin “dobësuar” më shumë sesa para pandemisë, krahasuar me 28 për qind që thanë se financat i kishin “më të mira” dhe 42 për qind të tjerë thanë se financat e tyre janë “pothuajse njësojë”.

Emigracioni: Që kur ka marrë detyrën më 2021, Biden është përballur me një numër rekord të emigrantëve që janë kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë. Kandidatët republikanë, përfshirë Trumpin, kanë fajësuar Bidenin për heqjen dorë nga politikat më kufizuese të epokës së Trumpit dhe janë zotuar se do të rrisin sigurinë kufitare.

Disa demokratë e kanë kritikuar Bidenin se ka përdorur masat e zbatimit të ligjit të stilit të Trumpit për të ulur numrin e kalimeve të paligjshme të kufirit, ndërkaq Shtëpia e Bardhë ka pohuar se po kalon në një sistem më njerëzor dhe më të rregullt, duke ofruar mënyra të reja për emigrantët në mënyrë që ata të mund të hyjnë në SHBA në mënyrë të ligjshme.

Krimi: Krimi i dhunshëm vazhdon të jetë në nivele të larta në mbarë vendin krahasuar me vitin 2019, një vit para pandemisë COVID-19 dhe trazirave lidhur me drejtësinë racore. Amerikanët nga të dyja partitë janë të shqetësuar, me 88 për qind e të anketuarve në shtator në sondazhin e Reuters/Ipsos që thanë se krimi është një çështje e rëndësishme për ta kur bëhet fjalë për të vendosur se kë do të votojnë.

Politika e jashtme: Kina është shfaqur si problem i politikës së jashtme gjatë fushatës zgjedhore, me republikanët që kanë argumentuar se kjo fuqi aziatike kërcënon sigurinë kombëtare, interesat e korporatave amerikane dhe pavarësinë e Tajvanit. Administrata Biden ka thënë se dëshiron të “ulë rrezikun” dhe jo “të shkëpusë” raportet e saj me Kinën dhe dëshiron të vazhdojë të punojë që gara midis ekonomisë numër një dhe asaj numër dy në botë të mos përshkallëzojë në konflikt.

Ukraina po ashtu është një çështje e rëndësishme dhe ka ndarë kandidatët republikanë. Trump dhe DeSantis kanë argumentuar se mbështetja e Bidenit për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë po shpërqendron SHBA-në nga përgatitja për një konfrontim të mundshëm me Kinën. Kandidatët e tjerë republikanë, sikurse Haley, kanë thënë se SHBA-ja duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën.

Shpërthimi i papritur i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – është një çështje e re polarizuese në fushatën zgjedhore. Biden, i cili po mbështet me vendosmëri Izraelin, përballet me mospajtim të shumë demokratëve të shqetësuar nga kriza në rritje humanitare në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi. Republikanët gjithashtu mbështesin Izraelin dhe po e përdorin konfliktin për të shtyrë përpara forcimin e kufirit SHBA-Meksikë.

Cilat janë shtetet kyçe në zgjedhjet presidenciale amerikane?

Fakti që të dyja partitë do të mbajnë konventat e tyre në një rajon të njëjtë tregon për vlerën që i kushtojnë Miçiganit, Pensilvanisë, dhe Uiskonsinit, shtete që votuan për Trumpin më 2016, por që zgjodhën Bidenin më 2020. Arizona, Xhorxhia dhe Nevada gjithashtu kanë dëshmuar se janë të ndara dhe kanë popullsi në rritje që mund të përcaktojnë zgjedhjet e reja. Një tjetër vend kyç për zgjedhjet e vitit të ardhshëm mund të jetë edhe Karolina e Veriut, që ka një elektorat gjithnjë e më të larmishëm. /REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera