Buxheti që shkaktoi polemika
Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 04 November 2017
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2018, që parasheh të hyra të përgjithshme në vlerën prej 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të kapin shifrën prej 2 miliardë e 82 milionë euro.
Nga kjo shumë, 687 milionë euro parashihen të jenë investimet kapitale, shpenzimet rrjedhëse 1 miliard 383 milionë euro, ku përfshihen pagat dhe mëditjet, mallrat dhe shërbimet, subvencione dhe transfere dhe rezerva rrjedhëse.
Ndërkohë, është konfirmuar se nga janari i vitit të ardhshëm do të ketë rritje të pagave për punonjësit e sektorit publik.
Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në mbledhjen e Qeverisë ka vlerësuar se ky buxhet do të sigurojë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të transfereve sociale dhe rritje të investimeve kapitale.
Ai, ndërkaq, ka thënë se për vitin 2018 parashikohet rritje ekonomike prej 4.6 për qind.
“Kjo formë e buxhetit shërben si garanci e disiplinës, e cila mundëson ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal. Gjithsesi, në kontekstin e këtij buxheti, ruajtja e stabilitetit makro-fiskal nuk është qëllim në vetvete po parakusht për arritjen e qëllimit përfundimtar të mbështetjes së zhvillimit gjithëmbarshëm ekonomike të vendit”, ka thënë Hamza.
Ndryshe, përfaqësues të komunitetit të biznesit, projektbuxhetin për vitin e ardhshëm e konsiderojnë buxhet të zhvillimit dhe në favor të sektorit privat.
Në një komunikatë për media të Odës Ekonomike të Kosovës, thuhet se “buxheti 2018 jo vetëm që ka trimëruar biznesin dhe prodhuesit vendorë, por ka motivuar edhe investitorët e huaj me seriozitetin e treguar të Qeverisë së Kosovës”.
Pika tjetër që është adresuar për herë të parë në mënyrë argumentuese, thuhet në komunikatë, është arsimi për çka edhe është rritur buxheti prej 22 për qind për vitin e ardhshëm”.
Por, ndryshe mendojnë ekspertë për çështje ekonomike. Ish krye-shefi ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Lekë Musa, nuk vëren ndonjë ndryshim në orientimin e mjeteve të projektbuxhetit.
Ai thotë se ky projektbuxhet nuk reflekton qëndrueshmëri ekonomike, rritje të shkallës së punësimit dhe as rritje ekonomike, ashtu siç ka deklaruar ministri.
Sipas tij, autoritetet kompetente buxhetin për vitin e ardhshëm është dashur ta orientojnë te sektori privat.
“Të mundohet të gjejë cilët janë ata sektorë, që kanë potencial për rritje ekonomike dhe për krijimin e punësimit, sepse ashtu siç është thënë edhe prej Bankës Botërore, kohëve të fundit rritja ekonomike nuk është duke u përkthyer në vende pune”.
“Prandaj, edhe buxheti 2018, do duhej të koncentrohej në sektorë ku gjenerohen vende të reja të punës, e këto janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, shprehet Leka për Radion Evropa e Lirë.
Por, ministri Bedri Hamza, ka thënë se politikat tatimore do të jenë mbështetëse të zhvillimit të sektorit privat. Sipas tij, do të ketë lehtësira të reja për prodhuesit dhe përpunuesit vendor, dhe kjo do të sigurojë një ambient më të përshtatshëm për zhvillim të biznesit në Kosovë.
Autostradat “gllabërojnë “buxhetin
Ekspertët, ndërkaq, shprehin shqetësimin se shuma më e madhe e mjeteve të buxhetit, po orientohet në ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
Në bazë të buxhetit të Kosovës, thuhet se 137 milionë euro janë ndarë vetëm për ndërtimin e autostradave, përfshirë këtu edhe 70 milionë euro për autostradën Prishtinë – Shkup që është duke u ndërtuar.
Kurse, mbi 21 milionë euro do të shpenzohen për asfaltimin, ndërtimin, rregullimin dhe zgjerimin e rrugëve të ndryshme në gjithë territorin e Kosovës.
Eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, konsideron se Kosova ende ka një buxhet të vogël dhe për këtë arsye, thotë ai, duhet të ketë kujdes me orientimin dhe shpenzimin e tij.
Por, megjithatë, ai thotë se autoritetet kompetente buxhetin po e bllokojnë me investime në autostrada.
“Për shkak se kemi kontrata, i kemi premtimet dhe ato po e marrin ‘kryet e luanit’ të investimeve. Ato nuk sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe nuk garantojnë punësim të përhershëm. Derisa buxheti nuk orientohet te sektorët ku krijojnë mundësi zhvillimi, siç është energjetika, nuk mund të themi se kemi bërë ndonjë punë të madhe në orientimin e investimeve”, vlerëson Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Kurse, Lekë Musa, konsideron se orientimi i mjeteve në autostrada është në funksion të përmbushjes së premtimeve elektorale për zona të caktuara.
“Çështja e autostradave ka të bëjë më shumë me vota, ka të bëjë më shumë me çështjet e zgjedhjeve lokale dhe qendrore, premtimeve që janë dhënë për orientimin e këtyre autostradave.”
“Të gjitha janë premtime populiste, të cilat janë të lidhura me çështje votash. Kurse, nëse e analizojmë, ndikimi i deritashëm i investimeve në autostrada, më shumë ka pasur efekt në rritjen e importit dhe kjo tendencë do të vazhdojë”, thekson Musa.
Ndryshe, edhe vitin tjetër barra për mbushjen e buxhetit të Kosovës bie mbi Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Të hyrat nga ATK-ja parashikohet të arrijnë vlerën prej 446 milionë euro, ndërsa të hyrat e mbledhura nga Dogana e Kosovës planifikohet të arrijnë në 1 miliard e 175 milionë euro. Ndërkaq, të hyrat jotatimore pritet të mbesin në vlerë rreth 200 milionë euro.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...