Lajme

Burbuqe Hana/ Një vit u.d e kryeshefes së Telekomit, zero paraqitje në media

Autori: Gazeta inFokus 09:22 | 06 June 2022

Sot bëhet një vit që kur Telekomi i Kosovës udhëhiqet me ushtrues detyre.

Këtë pozitë Bordi i Drejtorëve të Telekomit ia kishte besuar Burbuqe Hanës.

Kjo për shkak që ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij për arsye shëndetësore.

Pikërisht, sot një vit Burbuqe Hana u drejtohet me një e-mail të gjithë punonjësve të Telekomit të Kosovës për t’ua bërë me dije se ka marrë pozitën e udhëheqjes por vetëm si ushtruese e detyrës.

-Advertisement-

Që nga ajo kohë e deri më sot kur edhe po bëhet një vit, e njëjta nuk ka pasur asnjë adresim të saj për këtë kompani e cila po ballafaqohet me probleme.

E, edhe pas një viti nga dita e emërimit të saj në këtë pozitë, Bordi nuk ka dhënë asnjëherë ndonjë informacion dhe asnjë vendim për vazhdimin e mandatit të saj si ushtruese e detyrës në këtë kompani.

Ky i fundit, madje ende nuk ka vendosur se kur do ta shpallë konkursin për Kryeshef të Telekomit të Kosovës, ndonëse kjo kërkohet të bëhet.

 Shpallja e konkursit për pozitat e larta, e paarsyeshme për Bordin e Telekomit

 Në Telekomin e Kosovës, mos shpalljen e konkursit e kanë lidhur me problemet që ka përbrenda kompania.

Ata kanë thënë se Bordi e ka gjetur Telekomin në një situatë të vështirë financiare si dhe me shumë probleme të trashëguara dhe se situata vazhdon të jetë e rënduar.

“Bordi i Drejtorëve konsideron se shpallja e konkurseve për pozitat e larta në këtë faze të ndjeshme do të ishte e paarsyeshme dhe do të shkaktonte pengesë dhe tej-zgjatje të këtyre proceseve, duke e ditur se brenda një kohe të shkurtër do të ndërrojnë pozitat, përshkrimi i tyre, gradat etj , sidomos nëse kemi parasysh reduktimin e numrit të pozitave, ndryshimin e gradave, editimin e një serë rregulloreve, etj”, ka thënë për Front Online, Shpëtim Dobra, Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Dobra, duke mos treguar se kur Telekomi do të ketë në krye të saj Kryeshefin Ekzekutiv e jo vetëm ushtrues detyre, ka thënë se shpallja e konkursit do të bëhet në harmoni me ligjet në  fuqi.

Ai ka treguar se përpos për këtë pozitë, shpallja e konkurseve do të bëhet edhe për pozita të tjera të larta.

“Shpallja e konkurseve do të ndodhë në harmoni me ligjin, kompetencat dhe strategjinë e këtij Bordi. Kështu qe shpallja e konkurseve nuk do të ndodhë vetëm për Kryeshef/e Ekzekutiv, por edhe për pozitat tjera te larta dhe ju sigurojmë se do të ndodhë sapo te përfundoj  procesi i ristrukturimit”, është shprehur Dobra, për Front Online.

 Vendimet e u.d kryeshefes

Në anën tjetër duke qenë si ushtruese e detyrë së Kryeshefes Ekzekutive, Burbuqe Hana ka marrë vendime të rëndësishme për kompaninë dhe punonjësit e saj.

E, para ka bërë dy oferta për punëtorët që të dalin vullnetarisht nga puna dhe e dyta ka të bëjë me procesin e ristrukturimit të kompanisë në fjalë.

Front Online po ashtu në Telekom ka pyetur se a ka të drejtë Hana duke qenë ushtruese e detyrës të udhëheq procesin e ristrukturimit, kur dihet që ky proces në të gjitha parametrat e tjerë fillohet duke shpallur konkurse për pozitat më të larta ën kompani, por të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Përgjigja e vetme e tyre ka qenë se janë duke përmbyllur këtë proces i cili do të sigurojë funksionim normal të kompanisë.

“Jemi në një fazë të përmbylljes së disa proceseve të rëndësishme që do të sigurojnë këndelljen e kompanisë tonë, e mbi të gjitha në përmbylljen e procesit të ristrukturimit të plotë të kompanisë, i cili do të sigurojë funksionim normal të kompanisë, daljen e programuar nga borxhet enorme ku ishte futur kompania, rikthimin e investimeve strategjike, rikthimin e financave për të cilat Bordi dhe Menaxhmenti mendon se është dëmtuar TK-ja, motivim të serishëm të punëtorëve të de-motivuar nga emërime e grada joreale që sipas vlerësimit të Bordit dhe Menaxhmentit kishin ndodhur në kompani, etj”, ka deklaruar për Front Online, Shpëtim Dobra, Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës.

Burbuqe Hana e kishte ushtruar këtë pozitë për disa muaj edhe në vitin 2020.

Ajo ishte emëruar në vend të Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie, Bedri Istrefit.

Pozitën si ushtrues detyre e kishte marrë më 20 prill të vitit 2020, ndërsa kishte dhënë dorëheqje më 18 gusht të po këtij viti.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera