Lajme

Bujar Bashën që kreu 6 grabitje, gjykata e dënoi me gjobë 1300 euro për një vjedhje, vite më pas ai u përfshi në grabitjen e armatosur në Suharekë

Autori: Gazeta inFokus 14:11 | 01 December 2023

Gjashtë dënime të plotfuqishme për grabitje e vjedhje, Bujar Basha del se ka të shqiptuara vetëm nga Gjykata e Prizrenit.

Për nga lartësia ato variojnë nga 12 vite burgim për grabitjen e parë të armatosur që e kishte kryer në fillim vitet ‘2000, deri tek gjoba 1300 Euro për një rast vjedhje që ishte shqiptuar në vitin 2019 nga e njëjta gjykatë, përkundër se i njëjti ishte 6 herë recidivist i dënuar për krime të natyrës së njëjtë.

Shto këtu faktin se disa herë edhe ishte arratisur nga burgu. Basha nga burgu ishte liruar në shtator të këtij viti, për t’u bërë dy muaj më pas pjesë e grupit të armatosur që kreu grabitjen e arit në Suharekë.

-Advertisement-

Bujar Basha, “i famshmi” i arratisjeve spektakolare nga Burgu i Dubravës, rezultoi si një nga 7 të arrestuarit për grabitjen e armatosur të 22 nëntorit në një argjendari në Suharekë.

Përveç për arratisjet nga burgu, Basha goxha “i famshëm” – të paktën për autoritetet e sigurisë dhe drejtësisë në vend – po del të jetë edhe për grabitjet, kryesisht ato të armatosura.

Për një rast atij, më 27 tetor 2005 i ishte bërë i plotfuqishëm dënimi me gjithsej 12 vite burgim, që është dënimi më i lartë i shqiptuar ndaj tij. Dhjetë vite tjera dënim me burg atij i ishin bërë të plotfuqishme më 19 qershor 2002 – po ashtu për një rast grabitje.

“Serisë” së dënimeve të plotfuqishme ndaj Bashës, – sipas të dhënave zyrtare që gazetës online Reporteri.net ia ka përcjellë Gjykata Themelore e Prizrenit, i shtohet edhe ai i 22 marsit 2006 kur ai ishte dënuar për grabitje me 8 vite tjera burgim.

Dënimet e Gjykatës së Prizrenit ndaj recidivistit që ishte bërë i famshëm edhe për arratisjet e bujshme të tij nga Burgu i Dubravës, veç sa vinin e zvogëloheshin për nga ashpërsia.

Më 27 dhjetor të vitit 2008, atij i ishte bërë i plotfuqishëm një dënim për një tjetër grabitje. Lartësia e dënimit të tij ishte vetëm 5 vite e dy muaj burgim dhe 1000 Euro gjobë.

7 vite pas, më 31 korrik 2015, për një rast vjedhjeve iu bë i plotfuqishëm dënimi për një rast vjedhje me vetëm 2 vite burgim.

Por, “befasia” – në sensin e skandalozes, kishte ndodhur në vitin 2021 (07.04.2021), ku Bujar Bashës i ishte bërë i plotfuqishëm dënimi vetëm më gjobë 1300 Euro, i shqiptuar nga Gjykata e Prizrenit për një rast vjedhjeje. Ani pse ai ishte me këtë recidivist për 6 herë i të njëjtit krim. Shto këtu faktin se disa herë edhe ishte arratisur nga burgu për të kryer disa nga grabitjet e tij të rrezikshme.

“Këto janë veprat penale, dhe dënimet e shqiptuara ndaj të pandehurit Bujar Basha, nga Gjykata Themelore në Prizren (Sipas Qendrës së Evidencës Penale), mirëpo nuk janë të përfshira rasatet kur i pandehuri mund të ketë shfrytëzuar të drejtën e Lirimit me Kusht, Lirimit të Parakohshëm, Amnistia, Falja apo vendime të mundshme nga Paneli për Lirim me Kusht, apo mund të ketë shfrytëzuar të drejtën për bashkimin e dënimeve gjatë kohës sa ka qenë në vuajtje të dënimit”, ka sqaruar për gazetën online Reporteri.net, Marcel Lekaj, Udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Sipas tij, “kjo sepse këto janë institute dhe procedura të veçanta, dhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, mund të merrni informacione shtesë, kohën kur i pandehuri është paraqitur në vuajtje të dënimit, për cilën vepër sa kohë ka vuajtur dënimin, dhe kohën kur është liruar”.

Bujar Basha nga burgu, del se ishte liruar në shtator të këtij viti. Dy muaj e pak para se të bëhej pjesë e grupit të armatosur që kryen grabitjen e 22 nëntorit në argjendarinë në Suharekë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës lirimin e tij e quan “normal”, pasi sipas tyre i njëjti kishte përfunduar dënimin e vuajtur në Burgun e Sigurisë së Lartë, për një rast tjetër grabitje që sipas SHKK-së ishte i dënuar me 5 vite e 2 muaj burgim.

“Personi në fjalë është liruar pas përfundimit të dënimit, lirim normal nga Burgu i Sigurisë së Lartë me datë, 14.09.2023, ishte i dënuar me 5 vite e 2 muaj për Veprën Penale Grabitje”, ka njoftuar të premten, SHKK-ja.

Shërbimi Korrektues i Kosovës bën të ditur se Basha “deri në momentin e lirimit i ishte i kategorizuar me rrezikshmëri të lartë”.

Një i vrarë dhe shtatë të arrestuar ka qenë bilanci i aksionit të djeshëm të policisë që ndërlidhet me grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë.

Në këtë aksion gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur një polic. Policia është në kërkim edhe të një personi tjetër, i përfshirë në këtë rast.

Sipas raportimeve, pjesë e grupit që kreu grabitjen e armatosur të 22 nëntorit ka qenë edhe vëllai i Dukagjinit, Korab Gashi. E pikërisht ky i fundit ndodhet ende në arrati dhe Policia është në kërkim të tij.

Grabitja e armatosur ka ndodhur më 22 nëntor në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë.

Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera