Lajme

Brigitte Trogneux, mësuesja që bëhet Zonjë e Parë

Autori: Gazeta inFokus 14:26 | 08 May 2017

Marrëdhënia mes presidentit të zgjedhur francez, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortes së tij ka magjepsur botën. Nuk ka asgjë klishe në historinë e tyre, e cila nisi kur 15-vjeçari Macron mori pjesë në një shkollë drame të drejtuar nga Brigitte Trogneux, 24 vite më e madhe sesa ai.

Nga mësuesja e tij, ajo u kthye në partneren e më pas bashkëshorten e tij. Por në secilën fazë, sipas Macron, ka qenë këshilltare e frymëzim për të.

“Pa gruan time nuk do të isha ky që jam sot”, tha 39-vjeçari pas fitores së raundit të parë të votimit në muajin prill. 64-vjeçarja Trogneux, e cila ka 7 nipër, do të bëhet Zonja e Parë franceze.

-Advertisement-

Në ndryshim me Shtetet e Bashkuara, bashkëshortet e udhëheqësve francezë kanë pasur tradicionalisht role më pak të rëndësishme në jetën publike. Por te Trogneux nuk ka asgjë tradicionale dhe Macron ka thënë se, nëse do të zgjidhej, do t’i japë gruas së tij një rol zyrtar në administratë.

Ish-mësuesja lindi në një familje të klasës së mesme, që merrej me prodhimin e çokollatave, dhe është më e vogla e 6 fëmijëve. Ashtu si Macron, edhe qyteti i saj i lindjes është Amiens, në veri të Francës.

Para se të njihej me bashkëshortin e ardhshëm, ajo kishte një karrierë të qëndrueshme si mësuese e letërsisë franceze, latinishtes dhe dramaturgjisë, e ishte e martuar me bankierin Andre Louis Auziere, me të cilin ka 3 fëmijë.

Në një intervistë për revistën “Paris Match” në vitin 2016, ajo rrëfeu se dashuria e kishte bërë të ndryshonte drastikisht rrjedhën e jetës, duke u divorcuar nga i shoqi.

“Ishte e pamundur t’i rezistoje atij”, ishin fjalët e Trogneux. Gruaja u nda nga Auziere në vitin 2006 dhe u martua me Macron një vit më vonë, duke u zhvendosur në Paris për të punuar si mësuese. Në vitin 2015 hoqi dorë nga karriera, për t’u fokusuar te bashkëshorti, që në atë kohë ishte ministër Ekonomie.

Në një dokumentar të transmetuar nga “France3 TV”, Trogneux përshkruhet si këshilltarja e tij, e në një prej skenave, ajo shfaqet teksa e udhëzon të flasë me zë më të ulët gjatë provave për një fjalim.

Ende nuk është e qartë se kur nisi romanca mes të dyve, por Macron e dinte se çfarë donte që në moshë të re. Në moshën 17-vjeçare i shprehu dashurinë mësueses dhe i tha asaj se, çfarëdo që të ndodhte, do të martohej me të. Të dy ata janë kujdesur që marrëdhënia e tyre të mos përkufizohet si ndonjë lloj skandali, duke e përshkruar martesën si të pazakonshme, por si një familje moderne ku mbizotëron dashuria./ Top Channel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera