Lajme

Braathu: Situata në veri, e brishtë

Autori: Gazeta inFokus 08:28 | 08 June 2017

Shefi i Misionit të OSBE-së, Jan Braathu, ka vlerësuar se situata në veri të Mitrovicës është mjaft e brishtë, veçmas pas të shtënave me armë zjarri drejt zyrës së kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq.

Braathu me këtë rast u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë të drejtën e secilit për të votuar në mënyrë të pavarur. Këto komente ai i bëri gjatë një vizite në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në të cilin dorëzoi formularin e ankesave në alfabetin “Brail” për personat e verbër, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Duke folur për tensionimin e serbëve në veri Braathu vlerësoi se kohët e fundit kanë ndodhur mjaft incidente e veçmas në Leposaviq.

-Advertisement-

“Situata është mjaft e brishtë, fatkeqësisht kanë ndodhur disa incidente sidomos në Leposaviq, ju kujtohet që OSBE-ja së bashku me Ambasadën Amerikane ka lëshuar një deklaratë të përbashkët përmes së cilës u bëjmë thirrje që të sigurohet një proces i drejtë dhe me atë rast kemi dënuar çdo rast të kërcënimit”, deklaroi ai.

Kurse duke folur për procesin e zgjedhjeve, Braathu u bëri thirrje partive politike që t’i lejojnë qytetarët të votojnë sipas preferencave të tyre.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të respektojnë të drejtën e secilit person të votojnë lirshëm ashtu siç ua merr mendja, në mënyrë që të sigurohet vërtet një proces i lirë, i drejtë dhe paqësor zgjedhor. Do të ishte tragjike sikur të cenohej jeta e njeriut në një proces zgjedhor, si pasojë e ngritjes së tensioneve”, u shpreh ai.

Këto komente Braathu i bëri gjatë një vizite në PZAP, me ç’rast dorëzoi formularin e ankesave në alfabetin “Brail” për personat e verbër.

Braathu ndër të tjera tha se personat e verbër tashmë do t’i kenë të gjitha mundësitë që të kenë qasje në procesin zgjedhor.

“Kemi arritur t’u ndihmojmë në prodhimin e këtyre formularëve, të cilët do t’u ndihmojnë të gjithë personave të verbër që të kenë qasje të plotë në procesin zgjedhor, duke përfshirë edhe në dorëzimin e ankesave. Kjo është për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për t’u mundësuar qasje të gjithë personave që të kenë qasje të plotë në proceset zgjedhore dhe qasje në jetën publike”, shtoi ai.

Me këtë rast shefi i OSBE-së konsideroi se një gjë e tillë është risi për shtetin e Kosovës.

“Kjo është një risi që është bërë për herë të parë në Kosovë. Është risi edhe për rajonin dhe Kosova është lidere sa i përket kësaj”, potencoi ai, me ç’rast shtoi se ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet, por edhe me të drejtat e njeriut.

Kurse kryetarja e PZAP-it, Gyltene Sylejmani, bëri të ditur se personat me aftësi të kufizuara do të kenë qasje në informacione lidhur me paraqitjen e ankesave për shkeljen eventuale gjatë zgjedhjeve.

Ajo më tej u bëri thirrje atyre që ta shfrytëzojnë një mundësi të tillë.

“Ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të marrin pjesë në mënyrë të barabartë me të gjithë kandidatët tjerë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre nëpërmjet procedurave të ankimimit”, shtoi Sylejmani.

Nga ana tjetër nënkryetari i Shoqatës së të Verbërve, Bekim Krasniqi, tha se do t’u bëjë thirrje të gjithë personave të verbër që t’i bashkohen procesit zgjedhor.

Sipas tij, në rast se ata vërejnë ndonjë shkelje apo pakënaqësi do të mundnin ta shprehin nëpërmjet formularëve, që tashmë janë në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe turqisht. /ZËRI/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera