Lajme

Borrell mbërrin në Kiev për ta ritheksuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën

Foto arkiv
Autori: Gazeta inFokus 12:35 | 09 November 2024

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka mbërritur në Kievi të shtunën për një vizitë të paralajmëruar më herët, ku do ta ritheksojë mbështetjen evropiane për Ukrainën, teksa Rusia po i vazhdon sulmet nëpër vend.

“Mbështetja e BE-së për Ukrainën ka qenë prioriteti im personal gjatë mandatit tim dhe do të mbetet në krye të agjendës së BE-së”, shkroi Borrell në X.

Ai e tha këtë disa orë pasi ushtria ruse e kreu një sulm tjetër ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, duke dëmtuar ndërtesa dhe shtëpi banimi në Odesa.

-Advertisement-

Borrelli thuhet të jetë zyrtari më i lartë i BE-së që e viziton Ukrainën prej se Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA më 5 nëntor.

“Mesazhi është i qartë: Evropianët do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën”, tha Borrell për një gazetar të AFP që po e shoqëronte.

“Ne e kemi mbështetur Ukrainën që nga fillimi dhe në këtë vizitë të fundit në Ukrainë përcjell të njëjtin mesazh: Do t’ju mbështesim sa të mundemi”, tha Borrell, i cili pritet të largohet nga detyra muajin e ardhshëm.

Fitorja e Trumpit në zgjedhje ka ngritur shqetësime në Kiev. Trump kishte thënë gjatë fushatës se ai mund të zgjidhte shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, madje përpara se të inaugurohej më 20 janar. Trump ka sugjeruar se Kievi duhet të pranojë t’i japë disa territore Moskës në këmbim të paqes, një kusht që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka hedhur poshtë.

“Askush nuk e di saktësisht se çfarë do të bëjë administrata e re”, tha Borrell për AFP, duke theksuar se Joe Biden ka ende dy muaj të mbetur në detyrë si president i SHBA-së.

“Por, ne evropianët duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar një Evropë më të fortë dhe të bashkuar, dhe një nga manifestimet e të qenit të bashkuar dhe të aftë për të vepruar, është roli ynë në mbështetjen e Ukrainës”, theksoi ai.

Borrell tha se u takon vendeve të BE-së të vendosin “kur dhe si ta rrisin” mbështetjen e tyre, nëse është e nevojshme. Megjithatë, ai shtoi se në një takim të liderëve të BE-së në Budapest më 8 nëntor “shumica e shteteve anëtare po këmbëngulnin në të njëjtën linjë, [për ta] vazhduar mbështetjen për Ukrainën”.

Trupat ukrainase janë të dërrmuara derisa forcat pushtuese ruse bëjnë përparime graduale në lindje. Ndërkohë, sulmet e Rusisë me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës civile po vazhdojnë.

Dronët rusë e sulmuan gjatë natës qytetit port të Ukrainës, Odesa, duke e vrarë një person dhe duke i plagosur 13 të tjerë, tha të shtunën guvernatori rajonal, Oleh Kiper.

Disa ndërtesa banimi, shtëpi, ndërtesa komerciale dhe dhjetëra vetura private u dëmtuan nga ky sulm rus me dronë, i cili ishte i dyti radhazi në dy ditët e fundit në Odesa, tha Kiper./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera