Lajme

Bllokohet për 24 orët e ardhshme dogana greke

Autori: Gazeta inFokus 12:49 | 30 May 2017

Sindikata e punonjësve të Ministrisë së Financave greke kanë paralajmëruar një grevë 24-orëshe, duke filluar prej orës 24.00 të mbrëmjes së të mërkurës, 31 maj, deri në orën 24.00 të datës 1 qershor.

Si pasojë e grevës do të paralizohet tërësisht lëvizja e mjeteve dhe mallrave në pikat doganore greke me vendet kufitare jo europiane, si Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.

Edhe doganat e aeroporteve do të pezullojnë punën, çka pritet të krijojë konfuzion edhe me fluturimet që lidhin Greqinë me vendet e treta. Probleme do të ketë edhe në porte, ku pasojë e grevës nuk do të qarkullojë asnjë ngarkesë mallrash dhe konteinerësh.

-Advertisement-

Lidhur me lëvizjen në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, Drejtoria e Doganave greke ka publikuar oraret e mbylljes së traut mes dy vendeve, si dhe ka njoftuar për grevën të gjitha kompanitë e transportit të udhëtarëve dhe mallrave që operojnë mes dy vendeve.

Për rastet e urgjencës, doganat njoftuan se do të kenë personel sigurie për çdo rast. Ndërkohë, lëvizja e këmbësorëve që do të udhëtojnë pa bagazhe mes dy vendeve do të funksionojë lirisht.

Sipas sindikatave, greva ishte e pashmangshme, pasi qeveria me politikat e saj ka taksuar ndjeshëm të ardhurat e punonjësve të kësaj ministrie, ndërsa një tjetër goditje kanë marrë edhe pensionet e tyre.

Me kalimin në Parlament të ligjeve të reja, të cilat rrisin së tepërmi barrën fiskale ndaj grekëve edhe kjo sindikatë ka reaguar në shenjë solidariteti sindikatat e tjera të vendit, të cilat kërkojnë lehtësim të taksave dhe pakësimin e trysnisë fiskale mbi punonjësit privatë dhe ata të sektorit publik, deklaron kjo sindikatë. / Top Channel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera