Lajme

Bislimi udhëton për vizitë zyrtare në Suedi, do të bisedohet për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Autori: Gazeta inFokus 17:49 | 26 April 2023

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Stokholm të Suedisë.

Gjatë kësaj vizite, Bislimi do të ketë takime me ministren për Evropë Jessika Rosëall, sekretarin e shtetit për Çështje Evropiane, Christian Danielsson dhe sekretarin e shtetit për Punë të Jashtme, Jan Knutsson.

Siç bëhet e ditur, Bislimi do të shfrytëzojë këtë vizitë për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

-Advertisement-

Nga zyra e Bislimit thonë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor.

Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. […] Ne jemi optimistë dhe presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera