Lajme

Bislimi: Rezoluta e Parlamentit Evropian kërkon edhe njohjen reciproke Kosovë-Serbi

Autori: Gazeta inFokus 21:45 | 19 October 2023

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka mirëpritur rezolutën e Parlamentit Evropian e cila dënon sulmin në Banjskë.

Ai në një postim në X ka thënë se kjo rezolutë thekson njohjen reciproke si një parim dhe qasje të balancuar në procesin e dialogut.

“E mirëpres rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti Evropian i cili ndër të tjera dënon sulmin terrorist të Serbisë dhe bën thirrje për miratimin e masave kufizuese. Ai gjithashtu thekson njohjen reciproke si një parim dhe një qasje të balancuar në procesin e dialogut”, ka shkruar ai.

-Advertisement-

Parlamenti Evropian  ka miratuar rezolutën me të cilën dënon sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Lajmin e ka bërë të ditur, Vladimir Bilicik, eurodeputet dhe raportues për Serbinë në këtë institucion.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera