Lajme

Bislimi optimist për rrugën integruese, këtë muaj ka takime me Presidencën suedeze

Autori: Gazeta inFokus 12:00 | 08 April 2023

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë këtij muaji do të udhëtojë drejt Suedisë, e cila mban Presidencën e BE-së, për çështjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Union dhe përgjithësisht për rrugën integruese të Kosovës.

Lajmin për Express e ka konfirmuar këshilltari për media i Bislimit, Klisman Kadiu, i cili tha se vizita e zëvendëskryeministrit në kryeqendrën suedeze do të realizohet me qëllim forcimin bashkëpunimin dhe rrugën përpara të Kosovës në proceset e integrimit europian.

”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së”, tha Kadiu.

-Advertisement-

Ai shtoi se për hapat e mëtejmë drejt rrugës integruese të Kosovës drejt BE-së, Bislimi ka biseduar edhe në takimin e fundit me Komisionerin e BE-së, Oliver Varhelyi.

“Ne jemi optimistë e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian”.

Presidenca suedeze e Bashkimit Europian në një përgjigje të mëhershme për Gazetën Express ka konfirmuar përkrahjen për integrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në Union.

Në bazë të këtij zotimi, Suedia kishte thënë se po vazhdon të zhvillojë konsultimet mbi aplikimin e Kosovës në BE.

“Suedia mbështet proceset integruese të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në BE. Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Presidenca suedeze me të vërtetë është duke vazhduar me konsultime. Megjithatë, ne nuk mund të komentojmë për përmbajtjen e këtyre konsultimeve për momentin”, thuhej në përgjigje.

Më 14 dhjetor të vitit të shkuar, krerët institucionalë të vendit njoftuan se kanë nënshkruar dokumentin për aplikimin në Bashkimin Europian si hapin e radhës të vendit në rrugën e integrimit. Një ditë më pas, kryeministri Kurti aplikimin e dorëzoi në Pragë, e cila ishte duke mbajtur Presidencën e BE-së.

Për dallim nga vendet e tjera europiane që aspirojnë Unionin, Kosova ka një problem më specifik meqë nuk njihet nga pesë vende anëtare të BE-së – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro – dhe për të miratuar kërkesën për anëtarësim kërkohet unanimiteti i 27 anëtarëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera