Lajme

Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

Autori: Gazeta inFokus 11:34 | 12 July 2023

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi mbrëmë për marrëveshjen me emisarin e Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak për shtensionimin e situatës në veri, duke thënë se veprimet “do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore”.

Bislimi tha se tani “ka ardhur momenti që “Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara”. Ai javën e ardhshme pritet të shkojë në Bruksel për t’u takuar me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, ku synohet të bëhet finalizimi i planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit pritet tё fillojё zbatimi i saj.

“Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar”, shkroi Bislimi në Facebook.

-Advertisement-

Kryenegociatori i Kosovës foli për konstruktivitetin në dialog që, siç tha ai, Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë.

“E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë”, shkroi Bislimi në Facebook.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera