Lajme

 Bie fort standardi i kundërshtimit të “Zajednicës”, Konjufca: S’pranojmë statut të shkruar nga deputetja e Vuçiqit

Autori: Gazeta inFokus 16:24 | 28 April 2023

Kreu i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka qenë ndër politikanët më të zëshëm kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ose siç e quan Vetëvendosja “Zajednicës”.

Ai në një prononcim për media nga Kuvendi i Kosovës pas një diskutimi të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se nuk duhet të pranohet statuti i Asociacionit i shkruar nga deputetja e partisë së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Unë mendoj që edhe nëse e shkruan mirë draftin e Asociacionit nuk bën t’ia pranojmë, sepse nuk është çështja se çka ajo po shkruan por që ajo nuk e ka të drejtën fare që të shkruaj, sepse është përfaqësuese në Serbi, e presidentit të Serbisë, e partisë së presidentit të Serbisë në parlamentin e Serbisë”, ka theksuar Konjufca.

-Advertisement-

Konjufca para rreth një viti, në një intervistë në RTV Dukagjini kishte deklaruar se “Zajednica nuk do të bëhet kurrë.”.

Ai madje kishte mohuar mundësinë që të formohet edhe një Asociacion pa kompetenca ekzekutive teksa kishte deklaruar se nuk do të ketë “as kësi, e as asi”.

“Unë mendoj që jo; nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrëfarë Asociacioni – As kësi e as asi – sepse, nëse është Bashkim i Komunave Serbe në çfarëdo mënyre, unë mendoj që nuk duhet të ndodhë kurrë, kështu besoj që edhe do të jetë“, kishte thënë Konjufca.

Sipas tij, Ekipi përveç që nuk po i përgjigjet institucioneve të Kosovës, gjithashtu udhëhiqet nga një deputete e Kuvendit të Serbisë.

“Unë nuk pres ndonjë gjë të mirë prej një kryesueseje të këtij Ekipi menaxhues e cila është deputete e Aleksandër Vuçiqit. Dhe, deputetja e Aleksandër Vuçiqit nuk mund të shkruaj pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës. Kjo është A,B, C-ja e interesit tonë shtetëror”, ka theksuar Konjufca.

Ai ka pyetur se si mundet një deputete e Kuvendit të Serbisë ta prezantojë Kosovën.

“Një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues. Qysh mundet një deputete e Kuvendit të Serbisë ta prezantojë Republikën e Kosovës, çfarëdo interesi publik? Ajo s’ka çka të prezantojë hiq, faktikisht”, është shprehur Konjufca.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera