Lajme

Biden nderon 20 amerikanë me Medaljen Presidenciale të Qytetarisë

Autori: Gazeta inFokus 15:04 | 02 January 2025

Presidenti amerikan Joe Biden do t’u japë 20 amerikanëve nderimin e dytë më të lartë civil të vendit në një ceremoni që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

Në këtë grup përfshihen ligjvënësi Bennie Thompson dhe ish-ligjvënësja republikane Elizabeth Cheney, të cilët drejtuan hetimet e Kongresit për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol. Sulmi i 6 janarit u bë nga një turmë e mbështetësve të zotit Donald Trump në përpjekje për të mos lejuar certifikimin e fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Presidenti i zgjedhur Trump, që fitoi zgjedhjet e vitit 2024 për një mandat të ri që fillon më 20 janar, ka thënë se zoti Thompson dhe zonja Cheney duhet të burgosen.

-Advertisement-

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për të nderuarit e së enjtes thekson se republikania Cheney, “ngriti zërin e saj dhe u bë bashkë me palën kundërshtare në politikë për të mbrojtur vendin tonë dhe idealet mbi të cilat ne qëndrojmë: Lirinë. Dinjitetin dhe Integritetin”.

E krijuar në vitin 1969, Medalja Presidenciale e Qytetarisë nderon shtetasit amerikanë“që kanë kryer vepra shembullore për vendin e tyre ose bashkëqytetarët e tyre”.

“Presidenti Biden beson se këta amerikanë kanë të përbashkët integritetin dhe përkushtimin e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Vendi ynë është më i mirë për shkak të përkushtimit dhe sakrificës së tyre”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Në mesin e atyre që do të nderohen janë edhe Mary Bonauto dhe Evan Wolfson, të cilët u angazhuan për legalizimin e së drejtës për martesë mes personave të së njëjtës gjini në Shtetet e Bashkuara.

Frank Butler është një tjetër fitues i medaljes për përpjekjet e tij për të përmirësuar teknikat e ndihmës së shpejtë për ushtarët e plagosur në fushën e betejës.

Mitsuye Endo Tsutsumi do të nderohet për padinë e saj të suksesshme ligjore kundër burgosjes së japonezëve amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti Biden do të nderojë edhe zonjën Eleanor Smeal për punën e saj në udhëheqjen e protestave për të drejtat e grave dhe për paga të barabarta për gratë.

Medalje do t’u jepen edhe ish ligjvënëses Carolyn McCarthy, si dhe një grupi ish-senatorësh: Bill Bradley, Chris Dodd, Nancy Kassebaum dhe Ted Kaufman.

Në mesin e të nderuarve përfshihen edhe Diane Carlson Evans, themeluese e Fondacionit të Përkujtimit të Grave të Vietnamit, korrespondentin nga zonat e luftës Joseph Galloway, avokatin e të drejtave civile Louis Redding dhe fotografin Bobby Sager.

Në këtë grup janë edhe gjykatësi Collins Seitz, themeluesi i Universitetit Fulbright të Vietnamit, Thomas Vallely, aktivisti i studimeve mbi kancerin e gjirit, Frances Visco dhe themeluesja e Fakulteti të Artit dhe Dizajnit në Savannah, Paula Wallace./VOA/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera