Lajme

Beqaj: Qendra e parë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të funksionalizohet në bashkëpunim me Universitetin

Autori: Gazeta inFokus 15:02 | 01 February 2018

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka vizituar Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike ku ka prezantuar planet dhe objektivat e Ministrisë, si dhe ka bashkëbiseduar me profesorët dhe studentët e këtij fakulteti.

Në kuadër të prezantimit të prioriteteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ministri Beqaj ka theksuar nevojën e themelimit të Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nga të cilat kryesorja dhe më e rëndësishmja do të themelohet në hapësirat e Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Sipas ministrit Beqaj, Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në hapësirën e këtij fakulteti do të jetë më e madhja në regjion dhe do t’u shërbejë studentëve dhe profesorëve të këtij fakulteti.

“Qendra e parë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të funksionalizohet në bashkëpunim me Universitetin, duke u nisur nga fakti se studentët janë baza e zhvillimit të ideve inovative. Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë në shërbim të studentëve për zhvillimin e koncepteve inovative, do të shërbejë si inkubator biznesi, do të pajisen me laboratorë modernë për shfrytëzim të përbashkët”, tha ministri Beqaj.

-Advertisement-

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Dr. sc. Ahmet Shala, me këtë rast ka shprehur përkrahjen e tij dhe të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për funksionalizimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në hapësirat që nuk janë duke u shfrytëzuar nga studentët dhe stafi akademik.

Ministri Beqaj gjatë vizitës ka vizituar laboratorët dhe hapësirat e punës së studentëve  ku ka bashkëbiseduar me studentë të këtij fakulteti dhe ka parë e dëgjuar shumë storie suksesi për produkte, hulumtime, shpikje dhe testime të realizuara nga mendja kreative e studentëve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera