Lajme

BE-ja sërish dënon mbajtjen e “zgjedhjeve” në lindje të Ukrainës

Autori: Gazeta inFokus 17:07 | 10 November 2018

Bashkimi Evropian përmes një deklarate ka thënë se refuzon “zgjedhjet” që janë planifikuar të mbahen më 11 nëntor në pjesën në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët, duke thënë se këto zgjedhje janë shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe minojnë marrëveshjet e Minskut, që synojnë zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

“BE vlerëson se ‘zgjedhjet’ e planifikuara më 11 nëntor, në territoret që nuk kontrollohen nga qeveria, të ashtuquajtura ‘Republika Popullore e Luhanskut” dhe “Republika Popullore e Doneskut”, janë të jashtëligjshme dhe nuk do t’i njoh ato”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Rusisë “të përdorë plotësisht ndikimin e saj të konsiderueshëm mbi separatistët që mbështet”, për të siguruar zbatimin e shpejtë dhe të plotë të marrëveshjeve të Minskut, “duke filluar me një armëpushimin gjithëpërfshirës dhe tërheqjen e armatimit të rëndë”.

-Advertisement-

BE-ja dhe nënsekretarja e përgjithshëm e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo edhe më herët kanë kundërshtuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Ukraina po ashtu refuzon mbajtjen e votimeve, të cilat, sipas marrëveshjeve të arritura në Minsk të Bjellorusisë më 2015, do të duhej të mbaheshin në bazë të ligjeve të Ukrainës.

Rusia u ofron ndihmë ushtarake, politike dhe ekonomike separatistëve që kontrollojnë territore në lindje të Ukrainës. Në nëntor të vitit 2016, Gjykata Ndërkombëtare për Krime, kishte ardhur në përfundim se ky konflikt “është konflikt i armatosur ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse”.

Mbi 10,300 persona janë vrarë që prej se konflikti ka nisur më 2014.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera