Lajme

BE-ja i kërkon Kosovës që të shpallë zgjedhjet në veri “sa më shpejt”

Autori: Gazeta inFokus 20:56 | 25 July 2023

Bashkimi Evropian i ka vlerësuar takimet e fundit në Bruksel mes të dërguarit të lartë për dialog Miroslav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq si “të vështira” dhe se ato “nuk kanë prodhuar rezultate të menjëhershme”.

Këtë e bëri të ditur një zëdhënës në BE, në një përgjigje për REL, duke iu referuar deklaratës së fundit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili të hënën, gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, edhe pse nuk i komentoi deklaratat e Bislimit, përsëriti thirrjen e BE-së për shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Kosovës, si dhe bëri thirrje që serbët që jetojnë në katër komunat veriore të marrin pjesë në këto zgjedhje.

-Advertisement-

“Ne nuk i komentojmë komentet. Megjithatë ne shfrytëzojmë rastin për të përsëritur se BE-ja pret nga palët që të implementojnë kërkesat që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor të vitit 2023. Kjo qartë përfshin se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejtë që të jetë e mundur, të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat Serbe në veri. Nga serbët e Kosovës pritet që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës.

Sipas marrëveshjes të arritur me BE-në, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

Bislimi një ditë më parë tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

Megjithatë, burimet diplomatike nga BE-ja i kanë thënë se heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri.

Masat ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës pasi e bëri fajtore për përshkallëzim të situatës në veri të vendit përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Sa i përket takimeve të javës së fundit, ky zëdhënës i BE-së tha se pret që palët të reflektojnë dhe të japin vlerësimet e tyre kthesë për temat që ishin në rendin e ditës. E në të njëjtën kohë, tha ai, palët të përmbahen nga hapat e njëanshëm të cilët mund të çojnë deri te përshkallëzimet eventuale të reja.

“I dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak i kishte thirrur javën e shkuar negociatorët nga Kosova dhe Serbia për të diskutuar disa tema në agjendën e dialogut që e lehtëson BE-ja. Këto përfshinë edhe implementimin e marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit të raporteve, energjinë, implementimin e deklaratës për personat e zhdukur, de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe çështjet e lidhura me tregti”, tha zëdhënësi.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë më 19 korrik janë takuar ndaras me të dërguarin për dialogun Miroslav Lajccak në Bruksel, ku është diskutuar “për një listë të gjatë të çështjeve të dialogut, duke nisur me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin”.

“Këto takime ishin të vështira dhe të gjata, dhe ato nuk prodhuan ndonjë rezultat të menjëhershëm. Megjithatë nga palët u kërkua që të reflektojnë dhe të japin vlerësime kthesë për çështjet që ishin në agjendë”, tha i njëjti burim duke shtuar se diskutimet do të vazhdojnë.

“Diuskutimet do të vazhdojnë dhe lehtësuesi i BE-së do të thërrasë takim të ri në periudhën para nesh, BE pret nga të dyja palët që të përmbushin obligimet nga dialogu dhe kërkesat e BE-së për de-eskalim pa vonesa të reja, të angazhohen në mënyrë konstruktive në proces dhe të përmbahen nga veprimet që mund të qojnë deri tek eskalimet tjera”, ka thënë ky zëdhënës.

Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?
-Advertisement-

Të tjera