BE-ja edhe sot flet për Kosovën e Serbinë
Autori: Gazeta inFokus 09:48 | 27 October 2023
Këshilli i Evropës do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE), pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve me liderët e BE-së të enjten në Bruksel.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në një konferencë të enjten pasmesnate se Këshilli nuk diskutoi dje për marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike, duke shtuar se “ne e mbështesim normalizimin e raporteve dhe shtensionimin [e situatës]. Për këtë do të diskutojmë nesër [e premte] në takimin e Këshillit”, raporton REL.
Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit. Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit – për të cilin Kosova e lë fajtore Serbinë – kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.
“Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.
Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.
Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiq këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.
Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.
“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.
Sipas tij, kjo “mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane”.
“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur”, tha kryediplomati evropian. /REL
Të tjera
-
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit
Nesër nga ora 11:00 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. E në rend dite ka...
-
Në janar do të hapet tenderi për tunelin Kosovë-Maqedoni e Veriut
Nga qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se në janar 2025 do të hapet te...
-
Arifi: Kanë filluar pipat e propagandës elektorale të LVV nëpër rrjete sociale
Ish-diplomati Avni Arifi, parashikon se Vetëvendosja do të zvhillojë fushatë ...
-
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas sondazheve
Kandidati i Partisë Social-Demokrate për president të Rumanisë, Marcel Ciolac...
-
Gërvalla nderon heronjtë, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj në 21 vjetorin e vrasjes së tyre
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka përkujtuar zyrtarët e poli...
-
Hoxhaj nesër nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
Nesër pritet që nënkryetarit të Kuvendit Enver Hoxhaj, t’i jepet titulli “Doc...
-
Qalaj thotë se në veri po hyjnë armë nga Serbia
Për tri ditë radhazi Policia e Kosovës në aksionet e saj në Zveçan, Zubin Pot...
-
Skandaloze: Shkëlzen Gashi i quan mediat organizata kriminale, e gazetarët kriminelë
Analisti Shkëlzen Gashi ka lëshuar një deklaratë skandaloze për mediat dhe ga...
-
Shkuarja në zgjedhje me VV-në, Meta: Gërvalla e Peci vendosën për interes të tyre, jo të partisë
Deputeti nga Lista “Guxo”, Burim Meta ka qenë i ftuari i radhës në “Reel Talk...
-
Konjufca e pret nesër homologun e tij nga Maqedonia e Veriut
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nesër e pret në takim homologun e tij nga...
-
Dyshohet se vrau gruan e tij Gjyljeta Ukellën, Edmond Lajçi nuk tentoi kurrë t’i takojë fëmijët
Për një vrasje që ndodhi në prill të këtij viti, tek këto ditë u ngrit aktaku...
-
Vonesa në regjistrimin e veturave me targa “RKS” në Leposaviq
Targa RKS nuk janë parë ndonjëherë më shumë në komunën e Leposaviqit. Megj...