Sport

Bayern, reagimi i pakuptueshëm i Ribery pas zëvendësimit

Autori: Gazeta inFokus 13:18 | 13 September 2017

Nuk mjafton vetëm Thomas Muller, tashmë shtohet edhe “halli” Ribery. Trajneri italian i Bayern Munchen, Carlo Ancelotti është shprehur pas ndeshjes se nuk e kupton reagimin e Franck Ribery pas zëvendësimit të tij në ndeshjen e ditës së martë ndaj Anderlechtit.

Ribery, 34 vjeç, u zëvendësua në minutën e 78 të takimit, teksa kampionët gjermanë po udhëhiqnin 2-0 ndaj belgëve të Anderlechtit, me kundërshtarët në inferioritet numerik pas kartonit të kuq të Sven Kums, për një ndërhyrje të rëndë ndaj Robert Lewandowskit.

Polaku ishte ai që mori edhe përgjegjësinë e ekzekutimit të penalltisë që pasoi, duke e shndërruar në gol, përpara se Thiago Alcantara të dyfishonte kryesimin për Bayernin në minutën e 65-të. Joshua Kimmich shënoi golin e tretë në minutën e fundit, për t’i dhënë Bayernit fitoren e 14 radhazi në ndeshjet hapëse të Champions League.

-Advertisement-

Gjithsesi, fitorja e gjigantëve të Bundesligës u shënua nga një episod i hidhur, kur Thomas Muller zëvendësoi “të irrituarin” Ribery pas vëshëllimave të publikut. Francezi, i cili është lojtari më i vjetër te bavarezët aktualisht, doli shumë ngadalë nga fusha, shmangu Ancelottin, përpara se të hidhte fanelën në stolin rezervë.

I pyetur për reagimin e Ribery, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Ancelotti u shpreh:

“Sigurisht që i kuptoj lojtarët që kërkojnë të luajnë për 90 minuta. Por, ndonjëherë ata nuk e kuptojnë, më konkretisht Ribery, që unë e bëra atë ndryshim jo për shkak të performancës së tij. Ajo që ai dha në fushë ishte e vlerësueshme, por e zëvendësova sepse ishim vetëm 10 minuta nga fundi i takimit. Ne e kishim ndeshjen nën kontroll, shto këtu që ai ka pasur një problem të dielën dhe nuk u stërvit me ekipin, kështu që pata mundësinë t’i jepja më shumë kohë për të pushuar”.

Tekniku Ancelotti konfirmoi më tej se “nuk e kupton atë lloj reagimi, ndaj dhe do t’i duhet ta pyesë vet lojtarin”.

“Ai ishte i mërzitur, por e kishte marrë një karton të verdhë dhe nuk doja të rrezikoja. Performanca e tij ishte e mirë. Ndoshta ai nuk e mendon këtë gjë”.

Sa i përket ndeshjes që zhvilloi Bayern ndaj një kundërshtari me 10 vetë në fushë, Ancelotti tha se “nuk ishte ndeshja perfekte, por kishin gjithçka nën kontroll, pasi kaluan shumë shpejt në avantazh”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera