Bashota përballet me ndryshimet në deklaratat e tij, ZPS-ja e pyet nëse Thaçi i kërkoi që pjesa për bashkëpunëtorët të thoshte se ishte hipotetike
Autori: Gazeta inFokus 12:01 | 04 December 2024
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sokol Bashota, të mërkurën u përballë me pyetjet e prokurorit Matt Halling lidhur me ndryshimet që ka bërë në deklaratat e tij për kolaboracionistët dhe mënyrën se si sillej Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ndaj tyre.
Në një rast, Bashota kishte thënë që deklaratat për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) kanë qenë hipotetike. Ndërsa, prokurori kërkoi informacion nga ai në rast që iu kërkua nga tani i akuzuari Hashim Thaçi për ta thënë këtë gjë ngase më herët ky dëshmitar ishte intervistuar edhe nga ekipi i mbrojtjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ajo që i keni thënë mbrojtjes së Thaçit më 2022 për situatën për bashkëpunëtorët që ishte thjesht hipotetike, a mos ishte kjo diçka që zoti Thaçi dëshironte që ti t’ia thuash ekipit të tij të mbrojtjes”, pyeti prokurori Halling.
Megjithatë, përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua edhe pse pyetja ishte ripërsëritur nga prokurori pasi që në një rast ai nuk u përgjigj konkretisht.
“Në këtë sallë gjyqi ju keni thënë se paragrafët 39 dhe 43 të nënshkruara TPNJ-së ishin kryesisht diçka hipotetike dhe keni thënë diçka të ngjashme në shënimet hetuese të 2022-shit që ua lexoi mbrojtja e Thaçit. Do t’iu lexoj disa pjesë: Ju keni thënë se kur dikush identifikohej si bashkëpunëtor me serbët, në Zonën Operative merreshin masa ndëshkimore ndaj tyre brenda zonës. Në raste kur kapeshin në flagrancë, në kohën që po kryenin veprimtarinë, personi në fjalë do të vritej. Shtabi i Përgjithshëm do të njoftohej lidhur me masat konkrete ndëshkimore që merreshin ndaj personit. Kjo që keni thënë ju ka qenë situatë hipoteikore?”, pyeti prokurori fillimisht.
Dëshmitari Bashota tha se nuk ka pasur informacione që kanë ndodhur gjëra të tilla gjatë asaj kohe sa ai ka shërbyer në UÇK.
“S’kam pas një informacion që ka ndodhë diku nga komandantët e zonave apo nga vetë zona për një rast të tillë”, tha Bashota.
Më pas, prokurori Halling vijoi duke i thënë se bashkëpunëtorët mund të vriteshin pasi të njoftohej Shtabi që ata ishin të tillë në rast se ata vazhdonin veprimtaritë e tyre.
“Në paragrafin 43 keni thënë: Sa i takon bashkëpunëtorëve me serbët, komandantët e zonave vepronin në bazë të raportimeve që ua jepnin ushtarët që kishin nën komandën e tyre. Pasi paralajmërohej personi në fjalë dhe pasi Shtabi i Përgjithshëm e dinte që ishte bashkëpunëtor i serbëve, ky bashkëpunëtor mund të vritej nga struktura komanduese e UÇK-së në rast që vijon me veprimtaritë e veta. Edhe kjo që keni thënë ishte hipotetike?”, pyeti sërish prokurori.
Por, dëshmitari tha se edhe përgjigja ka qenë hipotetike në këtë rast, pasi që edhe vetë pyetja ishte e tillë.
“Nuk kemi pas një ngjarje të pasqyruar kjartë që ka ndodhur në atë kohë. Thjesht u kanë hipotetike edhe përgjigja. Pyetja ka qenë hipotetike dhe përgjigja ka qenë e tillë”, tha ai.
Halling pyeti Bashotën se pse nuk kishte thënë që këto pjesë janë hamendësime para se të nënshkruante intervistën e 2006-ës me TPNJ-në, pasi që këto pjesë i janë lexuar fjalë për fjalë.
“Ne e kemi përsëritur edhe gjatë seancave përgatitore, ju e dini edhe atë presionin që e kam pas dhe numrin e madh të dokumenteve të cilat i kemi shfletuar atë ditë gjatë tërë ditës dhe duke mos i njohur mirë natyrën e procedurave të drejtësisë, realisht duke mos pas edhe një avokat prezent, nuk kam mujt me i dhënë një fokus të qartë kësaj çështje në atë kohë dhe në atë gjendje”, u përgjigj Bashota.
Krahas kësaj, prokurori insistoi prapë duke i thënë dëshmitarit që edhe gjatë seancës përgatitore kishte thënë se për TPNJ-në e ka treguar të vërtetën dhe pse nuk tha që këto paragrafë ishin hipotetikë.
“Dëshmitar, gjatë seancës përgatitore ju thatë që TPNJ-së i keni treguar të vërtetën dhe të gjitha korrigjimet që bëtë gjatë seancës përgatitore janë bërë vullnetarisht dhe çdo gjë është zbardhur dhe incizuar dhe ju thatë që nuk kishe asnjë korrigjim për deklaratat përmbledhëse përveç transkriptave të TPNJ-së. Pse ju nuk thatë kur e patët mundësin që këta paragrafë ishin hipotetike?”, tha prokurori.
Dëshmitari u përgjigj duke thënë se nuk i ka kushtuar shumë rendësi kësaj pjese.
“Se nuk i kam kushtu rëndësinë. Nashta ka edhe shumëçka tjetër që është dashtë me ba, por që nuk kam mujt me e qit fokusin pikërisht tek kjo”, tha ai.
Po ashtu, edhe në fillim të dëshmisë së tij, kur iu prezantuan deklaratat, Bashota kishte pohuar se ato pasqyrojnë të vërtetën dhe pikërisht atë që do ta thoshte gjatë dëshmisë së tij. Kjo u vu sërish në fokus nga prokurori.
“Kur filluat dëshminë në këtë sallë gjyqi, pse thatë që deklarata e TPNJ-së pasqyron pikërisht atë që do të thoni në këtë sallë gjyqi kur këto paragrafë paskan qenë thjesht situata hipotetike?”, tha prokurori.
Për këtë, dëshmitari u arsyetua me mosnjohjen e natyrës dhe terminologjisë juridike. Si rrjedhojë, insistoi se këto pjesë kanë qenë situata hipotetike.
“Nuk e njoh natyrën dhe terminologjinë juridike dhe në çfarë momente duhet të përdoren këto, por realisht thjesht ju kam përgjigj saktë që ka pas situata hipotetike gjatë kësaj deklarate që e kam dhënë për Tribunalin aty”, tha Bashota.
“Pse nuk thatë gjatë pesë orëve që iu bëra unë pyetje dhe ju bëra pyetje për dëshminë që keni dhënë për TPNJ-në, pse nuk thatë që situatat janë thjesht hipotetike?”, tha prokurori tutje.
Në përgjigje të kësaj, dëshmitari tha se nuk është pyetur nëse këto situata kanë qenë hipotetike ose jo kur është marrë për pesë orë në pyetje nga përfaqësuesi i ZPS-së në sallën e gjyqit.
“Nuk janë të gjitha situatat hipotetike në atë deklaratë, por pjesë të asaj pyetjeve dhe përgjigjeve kanë qenë hipotetike. Nuk ma parashtruat atë pyetje nëse kanë qenë ose jo gjatë atyre pesë orëve, prandaj edhe unë ka mundësi që nuk më ka shku ndërmend që muj me e thanë atë”, tha prokurori.
Prokurori Halling pyeti gjithashtu dëshmitarin se pse nuk i kishte treguar ZSP-së që kishte folur me ekipin mbrojtës të Thaçit lidhur me dëshminë e tij.
“Pse nuk ia keni përmend Prokurorisë që keni fol me mbrojtjen e Thaçit për aspekte që mbulohen në dëshminë tuaj?”, tha prokurori.
Megjithatë, Bashota u përgjigj duke thënë se nuk e ka pyetur askush për këtë çështje.
Më pas, prokurori i prezantoi dëshmitarit një shënim përgatitor, ku kishte thënë që dëshminë e tij nuk e kishte diskutuar me askënd përveç familjarëve të ngushtë dhe askush nuk e ka pyetur për këtë çështje.
“Ajo që i keni thënë mbrojtjes së Thaçit më 2022-shin për situatën për bashkëpunëtorët që ishte thjesht hipotetike, a mos ishte kjo diçka që zoti Thaçi dëshironte që ti t’ia thuash ekipit të tij të mbrojtjes”, tha prokurori.
Dëshmitari u [përgjigj se ekipin mbrojtës të Thaçi e ka konsideruar si pjesë përbërëse të kësaj gjykate dhe që intervistën e kanë realizuar në zyrën e tyre.
“Unë ekipin mbrojtës të zotit Thaçi e konsideroj si pjesë përbërëse të kësaj gjykate dhe nuk e kam mendu që duhet me tregu se vërtetë që kam diskutu edhe me ta. Unë ia kam bërë një pyetje mbrojtjes të zotit Thaçi kur më kanë ftu nëse kjo është brenda kuadrit ligjor të kësaj gjykate dhe nëse unë mundem me iu përgjigj kësaj gjykate ma thuani ju si avokatë dhe si profesionalistë. Ata më kanë dhënë garanca që mundesh me fol për ato që realisht ti di dhe për neve është gjithçka okej. Nuk kam bisedu me askënd për këtë çështje të zotit Thaçi, por drejtpërsëdrejti intervista është bërë në një lokal apo zyre ku ata e kanë pas dhe është kry aty”, tha ai.
Më pas, prokurori tha se nuk po përpiqet të thotë që ka gabuar mbrojtja e Thaçit, por që dëshmitari nuk po i përgjigjet pyetjes së tij kështu duke ia ripërsëritur sërish atë.
Megjithatë, përgjigja e Bashotës nuk u dëgjua dhe si rrjedhojë prokurori kërkoi që të kalohet në seancë private, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.
Përpara krejt kësaj, dëshmitari u përballë me një deklaratë të William Walker lidhur me arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastratit, duke i shpjeguar ata si me duar të lidhura kur u bë shkëmbimi edhe i gazetarëve serbë.
Dëshmitari tha se ai nuk i ka parë Cen Deskun dhe Jakup Kastratin tek vetura të lidhur me duar pasi që kur ka ardhur vetura, Bashota veçse ka qenë në vendin e ngjarjes.
Kurse, për Sabri Kiçmarin, tha se kanë qenë së bashku pjesë e një partie.
“E njoh. E kam taku mas luftës dhe ka qenë pjesë e partisë të cilës i kam takuar edhe unë”, u shpreh Bashota.
Dëshmitari tha se nuk e di se çfarë roli ka pasur Kiçmari në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK).
Megjithatë, Kiçmari në një intervistë kishte thënë se UÇK-ja përveç ushtrisë serbe, luftonte edhe personat që bashkëpunonin me autoritetet e Serbisë, ndaj të cilëve merreshin aksione. Nga ajo çka lexoi prokurori Halling, Kiçmari kishte thënë procedura ndiqej nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Ai gjatë luftës në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë. Nuk e di sa ka mujt ai me fol për këto çështje për kohën e luftës. Ndërsa, ata që e kam thënë gjatë seancës përgatitore unë i qëndroj asaj”, tha Bashota për Kiçmarin. /BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, proteston nesër
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se më 5 dhjetor...
-
Kurti takon Komisioneren për Zgjerim të BE-së, kërkon largimin e masave ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel u mirëprit nga Komisionerja e...
-
Limaj e Lushtaku nga Skënderaj: Angazhimi ynë do të jetë i pandalshëm derisa Kosova ta ketë sigurinë e plotë
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka publikuar foto nga Skenderaj në shoqëri t...
-
Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Sarajevë për raportet rajonale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shkojë të enjten në mbrëmje, më 5 ...
-
Molliqaj: Kurti akuzoi Serbinë, mediat e opozitën, ende pa u bë 4 ditë nga sulmi shihet në të njëjtën fotografi me Vuçiqin
Lideri i PSD’së, Dardan Molliqaj thotë se kryeministri Albin Kurti në natën e...
-
“Zgjimi i atyre personave që i zihet fryma prej gërhitjes gjatë natës, mund të kenë…” doktori tregon këshillat e rëndësishme për ata që gërhasin
Në emisionin DoktorPlus me Arjeta Osmanin i ftuar ishte Shkelzen Komoni, ku ë...
-
Haradinaj prezanton kandidatët për deputetë nga Lipjani: Bashkë do ta ndërtojmë një Kosovë që fiton në çdo fushë
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe F...
-
U përjashtua nga lista e LDK-së për kandidat për deputet, flet për Infokus Agim Veliu
Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetët....
-
Djali i Hashim Thaçit e mbështetë Altin Krasniqin në garën për deputet nga PDK
Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit Hashim Thaçi ka shprehur mbështetjen e ...
-
Ministrat e Mbrojtjes mblidhen në Tiranë, diskutojnë edhe për sulmin në Kosovë
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatik...
-
LDK-ja publikon listën, këta janë 110 kandidatët për deputetë të kësaj partie
Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetët....
-
“Po kthehet në shtëpinë e babes”-Emocionon Ferat Shala pasi flet për hyrjen e djalit të Jakup Krasniqit në PDK
Në emisionin “Podcast me Shkëlzen Dakaj“, ku i ftuar ishte deputeti i PDK-së,...