Lajme

Bariu shpëtoi dy policët e izoluar në majën e kanioneve të Nivicës

Autori: Gazeta inFokus 13:35 | 12 May 2017

Atë që nuk mundën ta bëjnë dot alpinistët e forcave RENEA dhe helikopteri i Emergjencave Civile e arriti një bari nga Progonati. Shefi i Komisariatit të Tepelenës Roland Zhapa dhe inspektori Fejzo Meçe e kaluan natën në një nga majat e thepisura të kanioneve të Nivicës, pasi kishin informacion se ishin mbjellë me hashash. Pasi arritën në majë, panë se nuk mund të zbrisnin dot.

Në foton më lart tregohet ekzaktësisht maja ku mbetën të bllokuar dy policët.

-Advertisement-

Era e fortë pengonte uljen e helikopterit, ndërsa alpinistët e RENEA-s e patën të pamundur të ngjiten për shkak të terrenit të vështirë. Zgjidhja është gjetur sot paradite, kur një bari që e njihte mirë zonën, ndihmoi policët të shpëtonin kolegët e tyre. Më poshtë njoftimi i detajuar i policisë për ngjarjen:

Në zbatim të Planit të Veprimit për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenë po vijojnë kontrollet çdo ditë në territor.

Në këtë kuadër gjatë ditës së djeshme, Shefi i Rendit të Komisariatit të Policisë Tepelenë  Komisar Roland Zhapa së bashku me SPZ-në e zonës Inspektor Fejzo Meçe, bazuar edhe mbi bazën e disa informacioneve të marra në rrugë operative  së në pikën më të lartë të Kanioneve të Nivicës mund të ketë të kultivuara bimë narkotike, kanë ushtruar kontroll në territor.

Për shkak të terrenit shumë të thepisur dhe shumë të vështirë, në pikën më të lartë të kanioneve eshte ngjitur Shefi i Rendit dhe SPZ i zonës. 

Ata kanë ushtruar kontroll ne kete territor por nuk kanë konstatuar bimë narkotike të kultivuara.  Punonjesit e policise jane perpjekur të zbresin por kanë mbetur të bllokuar në krye të kanioneve.

Menjëherë janë marrë masa nga ana e Komisariatit të Policisë Tepelenë.

Për shkak të terrenit shumë të vështirë, nuk ishte e mundur t’ju vihej në ndihmë.

Drejtori i Policisë së Shtetit ka urdhëruar alpinistët e repartit RENEA për të shkuar menjëherë në drejtim të tyre, pasi helikopteri e ka pasur të pamundur të ulej për të tërhequr dy efektivat e Policisë.

Alpinistët e Reneas janë afruar në zonën ku kishin mbetur të bllokuar dy efektivët dje ne mbremje, por për shkak të errësirës  janë tërhequr pa mundur t’ju shkojnë në ndihmë.

Mëngjesin e sotëm, kanë vijuar përpjekjet me alpinistët e RENEAs për të shkuar në ndihmë të dy punonjësve të Policisë, por përsëri ka qenë e pamundur per shkak te terrenit

Ne drejtim të tyre është nisur helikopteri i Emergjencave Civile, por për shkak të erës së fortë është ulur në fshatin Krahës të Tepelenës, në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, pasi e ka të pamundur kryerjen e operacionit të shpëtimit.

Të dy punonjësit e Policisë kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrin e Punëve të Brendshme, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me strukturat drejtuese të Policisë Vendore dhe jane jashte rrezikut për jetën.

Rreth orës 12.25 punonjësit e Policisë janë nxjerrë nga toka me ndihmën e punonjësve të policisë dhe të një bariu që e njihte mirë terrenin, pasi nga ajri helikopteri për shkak të erës së fortë  nuk është futur dot.

Punonjësit e Policisë  tashmë  kanë dalë nga zona me rrezik  duke vijuar lëvizjen të shoqëruar nga kolegët dhe një mjek i cili po kujdeset për gjendjen shëndetësore të tyre, ku paraprakisht të dy  janë mirë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit
-Advertisement-

Të tjera