Sport

Barcelona në “tunel”, kurrë më keq në 25 vitet e fundit

Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 23 September 2019

Barcelona ka nisur të shqetësojë, madje shumë. Prej kohësh nuk kishim parë një version të tillë të skuadrës katalanase. Në dekadën e fundit ka vendosur 8 tituj në vitrinat e saj, por për momentin nuk “njihet”. Janë numrat që e dëshmojnë krizën që ka kapluar skuadrën e Ernesto Valverdes: 2 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, 12 gola të shënuar dhe 9 të pësuar.

Hera e fundit kur statistikat kanë qenë më keq se kaq ishte sezoni 1994-1995, kur kishin grumbulluar 5 pikë. Ekzaktësisht, shqetësuese janë statistikat në mbrojtje. Barcelona ka pësuar 9 gola, mesatarisht 2 për ndeshje. Për të krijuar një ide, në dy kampionatet e fundit të fituar nga Ernesto Valverde, katalanasit kishin 13 pikë dhe 5 gola të pësuar në sezonin 2018-2019 dhe 15 pikë e 2 gola të pësuar në sezonin 2017-2018.

Lehtësia me të cilën rivalët bëjnë “keq” është një nga gjërat që duhet përmirësuar patjetër te kjo Barcelonë, e cila në transfertë vazhdon të jetë gjithashtu në krizë. Pavarësisht goleadave kundër Betisit dhe Valencias, ecuria negative nuk mund të fshihet. Pa dyshim, gjërat në sulm nuk është se po shkojnë shumë më mirë. Është e vërtetë që katalanasit kanë shënuar 12 gola, por nëse do të heqim dy goleadat në shtëpi, atëherë statistikat janë negative. Në ndeshjen kundër Granadës e goditën portën kundërshtare vetëm një herë, pavarësisht se në sulm disponojnë lojtarë si Mesi, Ansu Fati, Grizman dhe Luis Suarez. E njëjta gjë ndodhi edhe kundër Dortmundit në Champions dhe kundër Bilbaos në debutimin në kampionat.

-Advertisement-

Humbja në Granadë shton akoma më shumë rekordet negative për sa u përket ndeshjeve në transfertë. Për të tretën ndeshje nuk di të fitojë në këtë sezon, por lista bëhet akoma më e gjatë nëse përfshijmë edhe sfidat e fundit të sezonit të kaluar në kampionat, Kupë dhe Champions. Në këtë ecuri, ekipi i Valverdes ka qenë i aftë të shënojë vetëm 5 gola. Në sezonin e kaluar kjo ishte një nga pikat më të dobëta dhe ndikoi jo pak në dështimin në Ligën e Kampioneve. Këtë herë duhet që situata të ndryshojë patjetër, në të kundërt fati i katalanasve do të jetë i njëjti. Valverde i mori përgjegjësitë, por skuadra duhet që ta reflektojë autokritikën në fushën e lojës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera