Lajme

Bankat në Kosovë ‘sakatojnë’ qytetarët

Autori: Gazeta inFokus 13:52 | 06 May 2022

Sektori bankar në Kosovë kohëve të fundit ka ‘vluar’ nga puna. Numër i madh i qytetarëve janë ‘stacionuar’ para dyerve të bankave për të hapur një xhirollogari në të cilën do të deponoheshin ‘ndihmat’ e shtetit, të cilat erdhën pas shënimit të një krize ekonomike. Ama posedimi i një konto qytetarëve të papunë – shumica e të cilëve janë gra, do tu rëndoj xhepin, duke qenë se të gjitha shërbimet kanë një kosto të konsiderueshme, shkruan Syri net Kosova.

Por sa është numri i qytetarëve që kanë një të tillë? Mbi 60 përqind e kosovarëve të moshës madhore posedojnë llogari bankare – kështu po njofton për Syri net Kosova zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se kjo shifër vlen për matjet e vitit 2020 kurse dy vitet e fundit është shprehur një rritje e dukshme e atyre që posedojnë një xhirollogari, por që akoma s’ka të dhënë zyrtare se sa ka shkuar numri total.

-Advertisement-

“Bazuar në raportin e nivelit global (Global Findex Report) të publikuar nga Banka Botërore, në vitin 2011, 2014 dhe 2017, përqindja e qytetarëve të moshës madhore (mbi 15 vjet) në Kosovë, të cilët kanë një llogari bankare, ishte 44.3% (2011), 47.8% (2014) dhe 52.2% (2017). Nga Studimi i kryer në vitin 2020 me mbështetje po të Bankës Botërore mbi Koston e Pagesave me Vlerë të Vogël në vendin tonë, me të dhënat e nxjerra nga anketa e realizuar, përqindja e personave mbi moshën 15 vjeçare, të cilët posedojnë një llogari bankare në Kosovë ka arritur në 60.9%. Ky vlerësim nuk përfshin ndryshimet e fundit, të cilat kanë ndodhur si rezultat i mbështetjes së qytetarëve përmes pakove të ndryshme, si rezultat i pandemisë dhe të cilat kanë ndikuar që të rritet edhe më tej numri i qytetarëve që posedojnë llogari bankare, për arsye të nevojës që të përfitojnë nga mbështetja e ofruar. Bazuar në nevojat e krijuara për hapje të llogarive, shkaku i pagesave të shpërndara nga qeveria si rezultat i pandemisë, vlerësojmë se trendi i rritjes së përqindjes së qytetarëve që posedojnë një llogari bankare ka vazhduar me një rritje të përshpejtuar përgjatë viteve 2020 – 2022, për çfarë pritet t’i kemi statistikat e reja nga Global Findex Report gjatë këtij viti”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, Ahmeti ka thënë se BQK është duke përgatitur një kornizë ligjore e cila mundëson qasjen e qytetarëve në një llogari të pagesave bazike, përmes të cilës mund t’iu ofrohen shërbimet bazike më të arsyeshme disa kategorive me vështirësi financiare.

“Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), BQK vazhdimisht është duke përgatitur kornizën ligjore dhe rregullative në përputhje me legjislacionin përkatës të BE-së. Në këtë drejtim, BQK është duke shqyrtuar mundësinë e adaptimit të kërkesave të direktivës së BE-së (2014/92/EU of the European Parliament and of the Council of 23 July 2014 on the comparability of fees related to payment accounts, payment account sëitching and access to payment accounts ëith basic features), e cila adreson krahasimin e tarifave lidhur me llogaritë e pagesave, mundësinë e kalimit të llogarisë nga një bankë/institucion financiar në një bankë/institucion financiar tjetër dhe qasjen në një llogari të pagesave me tipare bazike. Kjo direktivë është vlerësuar se mund të adresohet përmes Ligjit të ri për shërbimet e pagesave, i cili është në proces të përgatitjes, ku do të vendoset baza ligjore, e cila i mundëson BQK-së rregullimin e një llogarie të pagesave përmes të cilës mund t’iu ofrohen shërbimet bazike më të arsyeshme disa kategorive me vështirësi financiare, duke u bazuar në direktivën përkatëse dhe standardet e BE-së lidhur me këtë çështje”, ka përfunduar ai

Ndërsa ekonomisti kosovar, Erton Bega po vlerëson se në Kosovë tarifat për shërbimet bankare janë shumë të larta.

“Tarifat për shërbimet e domosdoshme bankare në Kosovë janë shumë të larta dhe situata momentale juridike ju mundëson bankave të nivelit të dytë përfitime enorme nga shërbimet e mirëmbajtjes, tërheqjes, deponimit, etj pasi është lënë eksluzivisht në të drejtën e bankave komerciale përcaktimi i çmimoreve të tyre për shërbime. Mungesa e një vendimi që kufizon lartësinë e tarifave bankare për shërbimet esenciale ka krijuar hapësirë që bankat të vendosin tarifa të larta për shërbimet e mirëmbajtjes dhe shërbime tjera bazike duke karikuar një burim fitimi të konsiderueshëm”, është shprehur ai

Më tej Bega po konsideron se BQK me politikat e saj aktuale po favorizon sektorin bankar. Sipas tij Qeveria duhet të nxis politika që përkrahin qarkullimin e parasë përmes bankave por të cilat njëkohësisht mbrojnë qytetarët nga tarifat e larta e të padrejta.

“Banka Qendrore ka përgjegjësi për rregullimin e sektorit bankar dhe duhet të sjell vendim me të cilin përcakton lartësinë e çmimores bazike për shërbimet e domosdoshme bankare. Prandaj ky favorizim aktual ndaj sektorit bankar duhet të kufizohet në mënyrë që shërbimet e mirëmbajtjes së llogarive rrjedhëse, tërheqjet dhe deponimet të mos tarifohen kaq shumë pasi interesi i shtetit dhe shoqërisë është qarkullimi i parave përmes sektorit bankar. Qeveria duhet të nxis politika që përkrahin qarkullimin e parasë përmes bankave por të cilat njëkohësisht mbrojnë qytetarët nga tarifat e larta e të padrejta”, ka përfunduar ai

Kujtojmë që qytetarët u detyruan të hapin xhirollogari për shkak të përfitimeve që patën në kohën e pandemisë nga subvencionimet e shtetit. Po ashtu në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike shteti do tu ofroj disa kategorive ndihmës prej 100 eurove të cilat do të mund të deponohen vetëm në llogari personale bankare të përfituesve, gjë që nxiti hapjen e të tillave nëpër bankat e ndryshme të vendit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera