Lajme

Banka Botërore 90 milionë euro kredi Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 13:09 | 19 March 2024

Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore ka miratuar sot Kredinë e Parë për Politika Zhvillimore (DPL) për Politikën Fiskale, të Konkurrueshmërisë dhe të Rritjes së Gjelbër të Kosovës (DPL), e cila synon të rrisë efektivitetin e politikës fiskale, të forcojë klimën e investimeve dhe të vendosë themelet për rritje ekonomike më të gjelbër në Kosovë.

Në njoftimin për media thuhet se mbështetja financiare e miratuar për këtë DPL të parë është 90.3 milionë euro (ekuivalente me 100 milionë dollarë amerikanë), një kredi koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA), pjesë e Bankës Botërore.

Periudha e shlyerjes së kredisë për këtë operacion është 12 vjet, duke përfshirë një grejs-periudhë 6-vjeçare, dhe është pa interes ose tarifa shërbimi.

-Advertisement-

Pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv, Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore do të nënshkruajnë një marrëveshje për financimin e projektit që nevojitet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës për të mundësuar që fondet e DPL të vihen në dispozicion për disbursim për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

“Operacioni i ri është pjesë e një serie programore prej dy pjesëve që kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës, mirëqenie më të mirë dhe mjedis më të pastër për popullin e Kosovës, duke mbështetur përpjekjet e vendit për të trajtuar disa nga pengesat strukturore afatgjate që pengojnë një rritje më të lartë, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme ekonomike”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Në njoftim më tej thuhet se progresi i vazhdueshëm ekonomik që nga pavarësia në 2008, i nxitur nga ambicia për t’u integruar në ekonominë evropiane, i mundësoi Kosovës të kalojë në vitin 2018 në statusin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

“Megjithatë, për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar reduktimin e varfërisë, vendi duhet të kalojë në një model rritjeje më konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë, që mbështet rritjen e firmave dhe që nxitet nga produktiviteti më i lartë. Krizat e fundit riafirmuan urgjencën për reforma strukturore për të rritur efektivitetin e politikës fiskale për të zbutur pastaj ndikimin e krizave”, thuhet më tej.

DPL mbështet një program reformash që forcon mobilizimin e të ardhurave të brendshme, përmirëson menaxhimin e financave publike, si dhe klimën e investimeve nëpërmjet përmirësimit të sistemeve të lehtësimit të tregtisë dhe kuadrit ligjor për administrimin e tokës. Kredia gjithashtu mbështet masat që synojnë rritjen e mbrojtjes për konsumatorët e cenueshëm në sektorin e energjisë elektrike, duke forcuar njëkohësisht kornizën për prodhimin e energjisë së rinovueshme, duke përmirësuar performancën e energjisë, dhe duke reduktuar përdorimin e qeseve të lehta plastike transportuese.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera