Lajme

“Ballkani i Hapur” me marrëveshje të reja

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 08 June 2022

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut të mërkurën mbahet takimi i radhës i nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.

Liderët pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithatë, në Ohër, në cilësinë e vëzhguesve po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

-Advertisement-

Ndërkaq, nikoqiri i takimit në Ohër, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se “në çdo takim të ri të nismëtarëve dhe miqve të ‘Ballkanit të Hapur’, ne ofrojmë bashkëpunim më të fortë, komunikim më të lehtë dhe kushte më të mira për zhvillim ekonomik”.

“Është kënaqësi që mysafirë tanë në këtë samit janë Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët besoj se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kësaj nisme të suksesshme”, tha Kovaçevski përmes një postimi në Facebook.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të martën në Ohër se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.

Ai pas arritjes në Ohër tha se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma “Ballkani i Hapur” është në dobi të të gjithëve.

“Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, tha Vuçiq, teksa foli edhe nëse kjo nismë është e hapur për Kosovën.

“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t’i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për ‘Ballkanin e Hapur’”, tha Vuçiq.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, deklaroi të martën në Ohër se pret që Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës së shpejti të marrë vendim për t’iu bashkuar kësaj nisme.

“Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jenë pjesë e projektit ‘Ballkani i Hapur’, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Unë jam këtu për të përcjellë mesazhin tek anëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ se Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Tegeltija për Radio Televizionin e Republikës Sërpska.

Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.

“Ballkani Perëndimor ka vend në BE dhe Mali i Zi si lider në integrim është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në këtë proces”, shkroi ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera