Opinione

Balanca e dëmtuar gjeopolitike dhe një ceremoni mortore politike

Autori: Gazeta inFokus 13:18 | 06 April 2018

Shkruan: Faton Abdullahu

Sa nga dëshira e papërmbajtur për të qeverisur sa më shumë vetëm ai me klanin e tij, sa nga droja se mund të jetë viktimë e Gjykatës Speciale, Presidenti Thaçi tashmë me veprime konkrete dhe pa hezitim po i ofron Kosovës një balancë të re jo vetëm gjeopolitike, të panjohur më parë në këtë përmasë ndër ne – edhe Perëndim, edhe Turqi e Erdoganit, apo thënë ndryshe – Thaçi po na ofron – edhe uesternizëm edhe erdoganizëm. Duhet të jesh në zor të madh, duhet të kesh drojë të madhe, apo të jesh i kurthuar në interesa të thella financiare, e të mendosh se kjo mund të funksionojë në Kosovë. Kjo është e pamundur. Pse?

Ankaraja zyrtare tash sa kohë ka marrë kurs antiperëndimor. Erdoganizmi si politikë zyrtare e Ankarasë, po i kundërvihet interesave vitale të SHBA-së dhe përgjithësisht perëndimorëve në atë rajon. Kjo kundërvënie gjithnjë e më shumë po thellohet. Tani, Ankaraja zyrtare ka më shumë interesa dhe pikëtakime përfituese gjeopolitike me Rusinë, Iranin dhe shtetet tjera të kësaj bote. Ndërkohë që ia vlen të përkujtohet se Turqia ka ardhur në këtë fazë të zhvillimit ekonomik, të cilën e gëzon sot, dhe të faktorizimit gjeopolitik të cilën e ka, në rend të parë dhe sidomos falë ndihmës së gjatë dhe konkrete të SHBA-së.

-Advertisement-

Dhe këtu ia vlen të përkujtohet edhe tjetra, se Kosova ka bashkëpunuar me Turqinë që nga paslufta, duke e parë dhe pranuar Turqinë si aleate të ngushtë të interesave perëndimore, konkretisht të SHBA-së, apo edhe si anëtare e NATO-s, gjë që ende është e tillë. Por, tani gjërat kanë ndryshuar dhe Prishtina zyrtare nuk mund, dhe nuk duhet, të mbetet e njëjtë, pavarësisht interesave të Hashim Thaçit, sidomos pavarësisht interesave të tija klanore financiare e të tjera të ngjashme. Është vetëm Thaçi dhe klani i tij që nuk dëshirojnë ta kuptojnë këtë ndryshim të madh.

Konkretisht, “kriza e gylenistëve” tek ne u krijua sepse Presidenti i Kosovës tashmë nuk mund t’i thotë jo për asgjë të vetme Ankarasë zyrtare. Tani kur Ankaraja zyrtare ka marrë shpluar dhe papërmbajtshëm kurs anti-evropian dhe anti-perëndimor, Presidenti i Kosovës nuk mund t’i thotë “jo” edhe kur “po”-ja ndaj kërkesave për deportim të shtetasve turq është shumë e dëmshme për interesat vitale të Kosovës dhe prek bebëzën e rreshtimit tonë gjeopolitik, bazën e shtetndërtimit dhe shtyllën tonë identitare të ekzistimit. Edhe pse pa njohuri të mëdha gjeopolitike dhe pa mendime të thella konceptualiste, Thaçi para se të jetë naiv, duket se është në zor të madh kur ia merr mendja se “edhe uesternizëm, edhe erdoganizëm” mund të funksionojë si model i ri për Kosovën. Duket se këtë lojë gjeopolitike ai e ka marrë si “yrnek” nga Beogradi zyrtar, e cila pandalshëm ka një kurs dualist, deri më tash shumë funksional – edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë e Putinit.

Kosova nuk mund dhe nuk e ka komoditetin e një qasjeje të ngjashme dhe nuk duhet ta bëjë këtë lojë të re. Kjo duhet t’i bëhet me dije Presidentit Thaçi, guximshëm dhe me zë të lartë, sidomos nga opozita.

Në të vërtetë, për shkak të këtij kursi erdoganist, Thaçi duhet të pensionohet urgjentisht. Opozita, dhe jo vetëm, duhet t’i prijë kësaj “ceremonie mortore politike” të një politikani që për interesa të ngushta dhe nga rreziku i mundshëm që mund t’i vije nga Gjykata Speciale atij dhe klanit të tij, do të na marrë edhe neve me veti në theqafje.

Në anën tjetër, nëse Presidenti turk Erdogan vërtet na do ashtu sikundër pretendon, atëherë ai duhet të ketë shumë më shumë konsideratë për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe të na lë rahat në rreshtimin tonë pro-perëndimor.

Kosova mund të jetë me Turqinë vetëm për aq sa kjo nuk e dëmton rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian dhe lidhjen me SHBA-të. Ne e kemi të pamundur të rreshtohemi edhe me Ankaranë zyrtare edhe me botën perëndimore, thjesht sepse Presidenti turk ka ndërruar kursin e tij përmbajtësisht. Ndërsa, do të ishte vdekjeprurëse për Kosovën, e cila është krijesë e liberal-demokracisë dhe e vlerave gjeopolitike evro-atlantike, të rreshtohet gjeopolitikisht si erdoganiste apo si neo-osmaniste. Këtë hall dhe këtë realitet tonin, Erdogani duhet ta kuptojë, moskuptimi i së cilës po na prish keq me Erdoganin dhe Ankaranë zyrtare, por nuk do të na prish edhe me popullin turk, me të cilin kemi lidhje më të forta dhe në valë më oksidentale se që po i kuptojnë drejt ato sot Presidenti Erdogan dhe Presidenti Thaçi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera