Lajme

Avokati i ish shefit të AKI-së pyet pse klienti i tij s’u trajtua si Hajredin Kuçi: Fëmijët e tij s’kanë askënd që të kujdeset për ta

Autori: Gazeta inFokus 12:33 | 08 December 2024

Avokati i shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj kërkoi lirimin e klientit të tij i cili u paraqit për herë të parë në Gjykatën Speciale pasi u arrestua të enjten lidhur me një aktakuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Ai përmendi ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili nuk u paraburgos, por iu lëshua një fletëthirrje për t’u paraqitur para gjykatës.

“Unë e kundërshtoj ligjshmërinë e arrestimit dhe paraburgimit të klientit tim. Pikë së pari, kam diçka për të thënë: Ne e kuptojmë por nuk e dimë saktësisht – dhe mbase ZPS-ja mund të na ndihmojë – në të njëjtën lëndë gjyqësore është edhe një person që nuk është në paraburgim dhe që është ftuar të paraqitet vetë me vullnetin e tij të lirë përpara këtij trupi gjykues. Pyetja ime është pse nuk mund të ndodhte e njëjta gjë për klientin tim?”, tha avokati.

-Advertisement-

Ai tha se Smakaj “ka qenë objekt i një kërkimi më 30 shtator, më shumë sesa përpara një viti”, ku, siç tha, i ishin sekuestruar një mori sendesh, por ai s’ishte arrestuar.

Avokati tha se Smakaj s’e ka ndryshuar adresën që prej atëherë.

Ai tha se ish shefi i AKI-së është baba i katër fëmijëve, tre prej të cilëve, siç tha, kanë mbetur aktualisht pa kujdesje.

“Është baba i katër fëmijëve: tre prej fëmijëve jetojnë ende në shtëpinë e tij dhe janë fëmijë të vegjël, 17, 11 dhe 8 vjeç dhe bashkëshortja punon me kohë të plotë dhe për rrjedhojë klienti im është personi që kujdeset për fëmijët më të vegjël në moshë. Kjo është e rëndësishme sepse nuk kanë askënd që të kujdeset për fëmijët aktualisht. Është arrestuar në mënyrë të beftë, pa e ditur, dhe kjo është e pajustifikuar. Pse nuk është ftuar edhe klienti im të paraqitet vullnetarisht në këtë lëndë gjyqësore?”, tha avokati.

“Fëmijët kanë mbetur pa babain që kujdeset për ta. Ndërkohë që bashkëshortja duhet të punojë në mënyrë që t’i mbulojë shpenzimet financiare të familjes. Nuk kanë asnjë të afërm që t’u ndihmojë. Gjyshërit nuk jetojnë më, jeton vetëm babai i klientit, siç më tha klienti, por ai është 80 vjeç dhe për shkak të moshës së thyer dhe distancës ku jeton – është gati një orë larg – babai i tij nuk mund të kujdeset për fëmijët”, shtoi ai.

Ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila u bë publike më 6 dhjetor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut
-Advertisement-

Të tjera