Lajme

Avokati gjobitet me 250 euro pasi s’ka shkuar në gjykim në sesionin e pasdites, ndërpritet shqyrtimi gjyqësor ndaj 29 të akuzuarve

Autori: Gazeta inFokus 16:36 | 13 January 2023

Është ndërprerë shqyrtimi gjyqësor ndaj 29 të akuzuarve për pastrim të parave dhe organizim të skemave piramidale e bixhozit të paligjshëm shkaku se avokati Ilir Ramaj, mbrojtës i të akuzuarit Sami Baliu, nuk ka marrë pjesë të premten në sesionin e pasdites në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndaj avokatit për mosparaqitje në seancë është shqiptuar gjoba prej 250 eurove.

Në sesionin e pasdites, me dhënien e fjalën hyrëse kanë vazhduar katër të akuzuarit dhe avokatët e tyre. Kur radhën e ka pasur i akuzuarit Sami Baliu, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Kujtim Krasniqi ka vërejtur se i njëjti ka mbrojtje të detyrueshme derisa mbrojtësi i tij, avokati Ilir Ramaj, nuk ishte i pranishëm në këtë sesion.

“Edhe pse na ka ik ky detaj që ne nuk pasmi pas mundësi me vazhdu në këtë pjesën e pasdites. Ne, seancën do ta ndërprejmë tani në mungesë të avokatit mbrojtës pasi që mbrojtja është e detyruar për Sami Baliun. Edhe pse avokati ka qenë i njoftuar që seanca do të vazhdojë në ora 13:15, i njëjti nuk është paraqitë dhe mungesën nuk e ka arsyetuar”, ka thënë gjykatësi Krasniqi.

-Advertisement-

Gjykatësi Krasniqi ndaj avokatit Ramaj ka shqiptuar gjobë në shumën prej 250 euro për shkak të mosparaqitjes në seancë.

“Ndërsa avokatit Ilir Ramaj për shkak të neglizhencës dhe mos paraqitjes në këtë seancë, ku për pasojë është detyru gjykata që ta ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, i shqiptohet dënim me gjobë në shumë prej 250 euro, si dhe shpenzimet e pjesës së mbetur së kësaj seance”, tha tutje gjykatësi Krasniqi.

Sipas tij, gjykata për këtë do të nxjerrë aktvendim të posaçëm në formë të shkruar dhe po ashtu në lidhje me këtë vendim tha se do të njoftohet edhe Oda e Avokatëve të Kosovës.

Në sesionin e paradites, të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj 29 të akuzuarve për pastrim të parave dhe organizim të skemave piramidale e bixhozit të paligjshëm është dhënë fjala hyrëse nga prokurorja speciale Habibe Salihu dhe 21 avokatë dhe të akuzuarit për pastrim të parave dhe organizim të skemave piramidale e bixhozit të paligjshëm , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në këtë seancë, prokurorja speciale, Habibe Salihu, fjalën e saj hyrëse e ka dorëzuar me shkrim.

Ajo ka deklaruar se gjatë shqyrtimeve gjyqësore që do të mbahen, përmes dëshmitarëve që do të ftohen dhe provat të cilat do të administrohen do të vërtetohen veprimet e të akuzuarve siç janë përcaktuar në aktakuzën e dorëzuar dhe aktakuzën e precizuar më vonë.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Safet Kyqyku, avokati Durim Osmani po ashtu fjalën e tij hyrëse e ka dorëzuar në formë të shkruar. Ai ka thënë se gjykata duhet të nxjerrë aktgjykim lirues për të mbrojturin tij. Në bazë të provave, që do të paraqes, Osmani ka thënë se do të vërtetohet që në rastin konkret nuk ka elemente të veprës penale.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Armend Danqeli, avokati Feim Alaj, gjatë dhënies së fjalës hyrëse, ka deklaruar se nuk do të mund të vërtetohet me asnjë fakt, asnjë bashkëpunim në bazë të provave të paraqitura dhe se nuk do të mund të vërtetohet se ka pasur shpëlarje të parave sikurse pretendon prokuroria.

Ndërkaq, i akuzuari Ardian kuqi e ka dorëzuar me shkrim fjalën e tij hyrëse duke e mbështetur të njëjtën në tërësi.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Zenun Zenuni, avokati Idriz Daci ka deklaruar se mbetet pranë fjalës hyrëse të paraqitur sipas dispozitave ligjore. Sipas tij, do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij për të cilin tha se ka qenë vetëm punëtor sigurimi dhe nuk ka pasur kurrfarë kompetenca.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Aliu, avokati Imer Beka në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se në dispozitën në të cilën akuzohet i mbrojturi i tij nuk konkretizohet koha e kryerjes së veprës penale, nuk është vërtetuar dëmi i shkaktuar dhe se mungon elementi i bashkëkryerjes.

Sipas avokatit Beka, gjatë administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarit Besnik Aliu, sepse i njëjti, sipas tij, në subjektin “Eurogame” ka punuar vetëm 2 muaj dhe ka qenë punëtor pa asnjë autorizim.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Flakron Maqani, avokati Naim Rudari, në fjalën e tij hyrëse ka deklaruese se qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të paraqitura për aktakuzën duke shtuar se Maqani asnjëherë në jetën e tij nuk ka pasur kontakt as fizik as virtual as përmes llogarive bankare me asnjë terrorist as me asnjë organizatë terroriste.

Sipas avokatit Rudari, transaksionet për të cilat prokuroria pretendon se janë pastrim i parave do të vërtetohen mjaftueshëm në këtë shqyrtim gjyqësor që nuk kanë lidhje me këtë vepër penale por që të gjitha këto transaksione ishin të drejta të ligjshme dhe të arsyetuara me kohë.

Pas tij, i akuzuari Naser Pervetica në fjalën e tij hyrëse ka kërkuar nga gjykata që të lirohet nga kjo aktakuzë pasi që, sipas tij, në momentin kur ai e ka hupur këtë biznes nuk ka qenë e ndaluar me ligj.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuari Nexhat Ejupi, avokati Rrahman Kastrati fjalën e tij hyrëse e ka dorëzuar me shkrim. Gjatë elaborimit të saj, Kastrati ka deklaruar se Prokuroria nuk ka sjellë prova të cilat vërtetojnë fajësinë e të mbrojturit të tij dhe se i njëjti në atë periudhë ka qenë i pajisur me licencë dhe me leje të punës.

Sipas avokatit Kastrati, për pretendimin e veprës penale të pastrimit të parave nuk ka asnjë provë, duke kërkuar kështu nga gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Nehat Ejupi, avokati Gazmend Rexhepi, fjalën e tij hyrëse e ka dorëzuar në formë të shkruar duke shtuar se nga praktika e gjykata të tjera këtu kanë të bëjnë me një aktakuzë jo të rregullt.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Hasan Ejupi, avokati Adem Ademi në fjalën e tij hyrëse ka thënë se mbeten në tërësi pranë kundërshtimit të aktakuzës dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës duke propozuar që edhe në këtë seance të nxirret aktvendim për hedhjen e aktakuzës dhe pushimin e procedurës penale. Sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme për mbështetur një dyshim të bazuar mirë.

Sipas Ademit, pas administrimit të provave do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Bllaca, avokati Artan Haziri gjatë dhënies së fjalës së tij hyrëse po ashtu ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitur pranë kësaj gjykate.
Haziri e ka thënë se edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve gjykata do të vërtetojë se aktakuza ndaj të mbrojturit të tij është ngritur vetëm në bazë të pretendimeve të pabazuara.

Sipas tij, nuk ka asnjë element të veprës penale se ajo veprimtari në kohën kur pretendohet se është kryer kjo vepër penale nuk ka qenë veprimtari e ndaluar me ligj. Sipas Hazirit, i mbrojturi i tij nuk ka pasur asnjë rol në vendosjen e aparateve të lojërave të fatit e as në licencimin apo zhvendosjen e tyre duke kërkuar kështu nga gjykata që i njëjti përfundimisht të lirohet nga akuza.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Trimor Dushkaja, avokat Engjell Rexhepi, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë të thënave të paraqitura me shkrim në kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas avokatit Rexhepi, i mbrojturi i tij ka qenë i punësuar i thjeshtë dhe i njëjti nuk mund të konsiderohet si subjekt ligjor i cili ka qenë përgjegjës që të marrë licencën apo të kujdeset në lidhje me zbatimin e rregullt të veprimtarisë së lojërave të fatit i cili ka vepruar konform udhëzimeve të punëdhënësit të tij.

Sipas Rexhepit, klienti i tij ka kryer detyrat e punës të cilat asnjëherë nuk kanë qenë të ndërlidhura me përkujdesjen e licencave ose rregullave përkatëse të ATK-së.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Driton Shabani, avokati Fatos Zeqiri fjalën e tij hyrëse e ka dorëzuar me shkrim. Ai ka thënë se veprimet me të cilat akuzohet i mbrojturi i tij nuk përmbushin elementet e veprës penale dhe se të njëjtat, sipas tij, paraqesin vetëm kundërvajtje.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Burim Sadiku, avokati Adnan Sadiku gjatë dhënies së fjalës së tij hyrëse ka kërkuar nga gjykata që pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojturin e tij ta shpallë të pafajshëm.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Arber Hoti, Blerim Imeri, Ramadan Nebija, Sabri Brahimi dhe Agron Limani, avokatët, Musa Demati, Fatlum Podovrica, Majlinda Sadikaj, Naim Paqarizi dhe Lirim Zeka, fjalën e tyre hyrëse e kanë dorëzuar me shkrim duke mbetur në tërësi pranë saj.

Pas këtyre, mbrojtësi i të akuzuarit Avni Berisha, avokati Fanol Krasniqi, në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se provat që pretendon prokuroria që janë fajësuese për të mbrojturin e tij realisht janë shfajësuese.

Sipas tij, përshkrimi i diapozitivit është në kundërshtim me kontratën e punës, me deklaratën e pronarit të firmës “Matrix”, me deklaratën e menaxherit të përgjithshëm i cili tha se ka qenë i autorizuar për ta përfaqësuar kompaninë si në ATK ashtu edhe në doganë.

“Andaj mbi provat që prokuroria kërkon fajësinë në këtë gjykim do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarit Avni Berisha”, tha avokati Krasniqi.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale, u caktuan të mbahen më 23 shkurt dhe 8-9 mars 2023.

Të akuzuarit Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Ardian Kuqi, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj, Flakron Maqani, Naser Pervetica, Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Besim Bllaca, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku, Arber Hoti, Agron Limani, Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rifati, Idriz Jakupi, Istref Veliqi, Sabri Brahimi, Sami Baliu, Ramadan Nebija, Burim Makiqi dhe Bekim Kyqyku po përballen me akuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i parave”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe për veprën penale “Ndihma”.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, të ngritur më 27 tetor 2020, thuhet se të pandehurit duke vepruar veç e veç apo në bashkëkryerje, nga data e pacaktuar në vazhdimësi deri më 15 dhjetor 2017, duke vepruar me dashje dhe dijeni, gjithnjë me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë organizuar lojëra të fatit për të cilat nuk ka qenë e dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent. Aty thuhet se me rastin e kontrollimit nga ana e inspektoreve të ATK-së dhe pjesëtareve të PK-së/DHKO, në lokalet poshtëshënuara te të pandehurit janë gjetur dhe konfiskuar automate, për të cilat thuhet se nuk kanë pasur licencë nga organi kompetent apo kanë vepruar në kundërshtim me licencën e dhënë, apo nuk kane pasur leje nga komuna për ushtrimin e asaj veprimtarie.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj po akuzohen se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 9 qershor 2016, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Prishtinë, i akuzuari Safet Kyqyku duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit, iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e automateve të palicencuara të tipit “Kayot”, për të cilën veprimtari po ashtu nuk ka poseduar leje pune nga Komuna e Prishtinës.

Aty thuhet se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 8 tetor 2016, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Rahovec, i akuzuari duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e tri automateve, të cilat ishin të licencuara për lokacionin në Suharekë dhe atë tre aparateve të tipit “Kayot”, si dhe thuhet se nuk kanë pasur leje pune nga komuna.

Tutje, thuhet se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 10 shkurt 2017, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Mitrovicë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit, iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e tetë aparateve të tipit “Kayot” dhe “Admiral”, si dhe thuhet se nuk kanë pasur leje pune nga komuna.

Aty thuhet se nga koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 10 shkurt 2017, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Mitrovicë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit, iu ka mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e tetë aparateve të tipit “Kayot” dhe “Admiral”, si dhe thuhet se nuk kanë pasur leje pune nga Komuna.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Safet Kyqyku dhe Armend Danqeli koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 10 shkurt 2017, në lokalin e lojërave te fatit “TipSport 365” që gjendet në Prizren, i cili lokal ishte i mbyllur nga ATK-ja, më 18 tetor 2016 të akuzuarit e kishin rihapur përsëri, të cilët duke vepruar në bashkëkryerje iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e 11 aparateve.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Armend Danqeli në kohë të papërcaktuar e në vazhdimësi, e deri më 6 prill 2016, në lokalin e lojërave të fatit “TipSport 365” që gjendet në Prizren, pas rihapjes ka vazhduar ushtrimin e lojërave të fatit edhe pse nuk plotësoheshin kushtet kërkuara për ushtrimin e lojërave të fatit automate, ndërkohë qe leja nga ATK është lëshuar vetëm për baste, ashtu që bashkë me të lartpërmendurit u kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e 10 automateve.

Tutje, thuhet se koha e papërcaktuar e në vazhdimësi, të akuzuarit e lartcekur në lokalin e lojërave te fatit “TipSport 365”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e 12 aparateve.

Me këto veprime, të lartpërmendurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300, paragrafi 2 lidhur me nenin 82 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Aridian Kuqi duke vepruar me dashje dhe dijeni ka ndihmuar të pandehurin Armend Danqeli, pronar i biznesit “Euro Garne”, në kryejnë e veprës penale të përshkruar te diapozitivi i parë i kësaj aktakuze, ashtu skukrse edhe të pandehurin Safet Kyqyku si pronar në biznesin “TipSport365”. Aty thuhet se Kuqi iu ka ndihmuar atyre në sigurimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, të cilat biznese në këto pika ushtronin veprimtarin e lojërave të fatit në kundërsulmim me nenin 69 të Ligjit për Lojëra të Fatit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihma” nga neni 33, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300, paragrafi 2 dhe nenin 81, paragrafi 1, nën paragrafët 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5 të KPK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, të pandehurit Naser Pervetica si menaxherë të biznesit “Casino-Merkur” dhe Flakron Maqani si pronar në biznesin “Merkur-Kajot” që gjendet në Prishtinë, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përdorimin e automatëve lojërave të fatit, të cilat ishin në kundërshtim me licencën e dhënë, si dhe thuhet në atë mënyrë që me rastin e kontrollimit nga ana inspektoreve i janë gjetur dhe konfiskuar këto automate. Për këtë veprimtari thuhet se nuk kishte poseduar as leje pune të lëshuar nga komuna.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Agron Limani, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku dhe Arbër Hoti, në lokalin e lojërave të fatit “Lumi Sport”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm te lojërave të fatit automate të tipit “Merkur”, si dhe nuk kanë poseduar leje nga komuna.

Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rafati, Idriz Jakupi, në lokalin e lojërave të fatit “Matriks”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit automate të tipit “Merkur”, si dhe nuk kanë poseduar leje nga komuna.

Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300 i KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit Sabri Brahimi dhe Istref Veliqi, në lokalin e lojërave të fatit “Game Plus”, duke vepruar në bashkëkryerje, iu kanë mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit automate të tipit “Merkur”, si dhe nuk kanë poseduar leje nga komuna.

Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300 i KPRK-së.

Po ashtu, të akuzuarit Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Safet Kyqyku, Sami Baliu, Burim Bytyqi, Petrit Neziri, Armend Danqeli, Ramadan Nebija, Flakron Maqani, Burim Makiqi dhe Bekim Kyqyku akuzohen se nga koha e pa caktuar përmes llogarive të bizneseve të tyre apo llogarive personale, duke vepruar veç e veç, kanë bërë pastrimin e parave të fituara me veprën penale organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm duke ju mundësuar pjesëmarrësve të ndryshëm të lojërave të fatit përmes automatëve, monitorëve dhe pajisjeve të tjera kompjuterike.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 308 i KPRK-së dhe nenit 56 të Ligjit mbi Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit, lidhur me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera