Lajme

AUV: Edhe në kohë fushate ne kemi për obligim të veprojmë

Autori: Gazeta inFokus 18:40 | 17 September 2021

Me fillimin e fushatës zgjedhore për kryetar të Komunave në Kosovë, grumbullimet dhe tubimet e qytetarëve janë të pashmangshme.

Në lidhje me këtë Gazeta Infokus ka kërkuar përgjigje nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, si organ mbikëqyrës në lidhje me ruajtjen e shëndetit publik.

Zyrtari i Informimit të kësaj agjencie, Lamir Thaçi, tha se në çfarëdo veprimi që do të bien ndesh me masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, ata do të veprojnë.

-Advertisement-

“Kudo që inspektorët, gjatë kontrolleve hasin në shkelje të masave, kanë për obligim që të shqiptojnë gjoba apo mbyllje të operatorëve ekonomik. Pa marrë parasysh natyrën e organizimit apo nga kushdo që organizon grumbullime të njerëzve në kundërshtim me manualin dhe vendimin e qeverisë për masat COVID 19, AUV- inspektorati sanitar në bashkërendim me policinë do të veprojnë”, ka thënë Thaçi në një prononcim për Gazetën Infokus.

Ai shtoi se tani me angazhimin e inspektorëve nga Ministria e Shëndetësisë, kanë kapacitetet për të bërë mbikëqyrjen efektive për zbatimin e masave anti-Covid, shkruan Gazeta Infokus.

“Jemi duke bërë një mbikëqyrje efektive, kjo shihet përmes rënies se vazhdueshme në javën e fundit të numrit të të infektuarve. Në masë të përgjithshme kemi ngritje të vazhdueshme të respektimit të masave nga qytetarët dhe bizneset. Po punojmë tërë kohen që mos të lejojmë të ndodhin shkelje, ku do që po hasen nga ana e inspektorëve, janë duke u ndëshkuar”, ka shtuar Thaçi.

Në lidhje me respektimin e masave anti-Covid në kohë zgjedhjesh, Lamir Thaçi, u bëri thirrje qytetarëve që edhe në kohë fushate të ruhen dhe të mos bëjnë shkelje të ligjit, pasi që nuk ka falje për askënd.

“Ne i ftojmë që edhe në kohë fushate të kenë kujdes që mos të bëjnë shkelje të masave në fuqi, sepse si autoritet mbikëqyrës, e kemi për obligim dhe do të veprojmë. Shëndeti dhe jeta e qytetareve është më e rëndësishmja në çdo kohë”, tha Lamir Thaçi.

Kujtojmë që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUVK), është autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari, i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe është kompetent për inspektimin e masave anti-Covid.

Qeveria e Kosovës ka deleguar AUV-in, si autoritet për zbatimin e inspektimeve në fushën e sigurisë, higjienës, gjurmimit dhe etiketimit të ushqimit për njerëz dhe ushqimit për kafshë në hapësirat e përpunimit, paketimit, shpërndarjes , shitjes me shumicë dhe pakicë sipas legjislacionit nacional dhe legjislacionit të harmonizuar të BE-së./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera