Audio-incizimi: Rilind Gërvalla implikon direkt AKI-në në skandalin e lajmit të rrejshëm kundër dy mediave kosovare
Autori: Gazeta inFokus 13:05 | 25 November 2024
Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, e ka implikuar Agjencinë e Kosovës për inteligjencë në një nga skandalet më të mëdha. Paparaci ka siguruar audioincizimin e mbledhjes së Bordit të RTK-së, në të cilin dëgjohet Gërvalla duke folur. Thotë se shkrimin ia ka sjellë AKI-ja. Thotë po ashtu se zyrtari që ia ka sjellë atë, ndodhej në Bosnjë në një seminar, ku sipas tij po diskutohej shumë për artikullin e rrejshëm të një portali boshnjak kundër dy mediave të Kosovës. Kjo, audio zbulon lakuriq se si AKI-ja dhe televizioni i kapur nga pushteti përfshihen në një makineri të rrezikshme kundër mediave që i konsiderojnë kundërshtare.
Rilind Gërvalla e ka implikuar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në skandalin e “Slobodna Bosna”.
Drejtori i RTK-së, i lidhur me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, e ka pranuar se lajmi i rrejshëm i pseudo-mediumit boshnjak “Slobodna Bosna” kundër dy mediumeve në Kosovë, i ka ardhur direkt si informacion nga AKI-ja.
Më 22 korrik, RTK-ja citonte një artikull të “Slobodna Bosna” që shkruante se portali Periskopi është “nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit Milan Radoiçiq”, dhe se së fundmi “është bërë një transaksion miliona dollarësh te Nacionale”.
Sipas Rilind Gërvallës, AKI-ja e drejton një sektor që operon në fushën e sigurisë kombëtare dhe lajmeve të rrejshme, një lëvizje të cilën kryeministri Albin Kurti e ka formësuar si “luftë hibride”.
Ky seksion i AKI-së, thekson Gervalla, “ka bashkëpunuar rregullisht me RTK-në” e kapur nga pushteti i Kurtit.
Të gjitha këto i ka pranuar Rilind Gërvalla, njeriu i lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje që udhëheq me Radio Televizionin e Kosovës, në një raportim të tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të Bordit të RTK-së në 23 korrik.
Paparaci e ka siguruar audio-incizimin e plotë të mbledhjes, në të cilin Gërvalla ka pohuar se lajmi është përkthyer dhe botuar nga RTK-ja pas konsultimit me një zyrtar të AKI-së.
Ky agjent i AKI-së asokohe sopoyohet se ndodhej në Bosnjë e Hercegovinë, kujton Gërvalla.
Gërvalla e citon zyrtarin përgjegjës për “seksionin e mediave” në AKI, t’i ketë thënë atij se “lajmi po diskutohet shumë këtu [në Bosnjë e Hercegovinë, v.j]”.
“Neve na u ka dukë se është lajm se duhet të pasqyrohet dhe në momentit kur ty të vjen prej një agjensioni shtetëror [AKI-së, v.j] që kanë organe verifikimi dhe analizash për këto çështje”, ka thënë Gërvalla.
“Normalisht që ne e kemi pranu si të bazuar në fakte edhe natyrisht një ndër fjalitë e diskutimit që e kemi pas me personin që është caktu përgjegjës për mediat dhe për takimet me to, ai ishte në një seminar, po supozoj se që atje në vendin ku është bërë lajmi, edhe tha po diskutohet shumë këtu [në Bosnjë e Hercegovinë, v.j] edhe natyrisht ka dalë kjo në portale këtu edhe normalisht që është mirë që të publikohet”, thotë Gërvalla.
AKI-ja është koordinuar direkt me Gërvallën për botimin e lajmit të rrejshëm të “Slobodna Bosna”-s, duke e anashkaluar u.d. të drejtoreshës së Përgjithshme, Zana Spahiun.
Gërvalla e ka zbuluar se nuk është konsultuar me drejtoreshën për publikimin e lajmit të importuar nga AKI-ja.
“Dmth këto kordinime nuk janë bërë të shpështa, shumë rrallë janë bërë në mediumin tonë. Është marrë apriori si njësi e lartë e verifikimit kur kemi të bëjmë me agjensionin për inteligjencë edhe ky rast normalisht unë vazhdimisht e kam informu ish-drejtorin gjeneral, i kam thanë se po, e kemi një lajm, janë faktet këto, këto… edhe na tregoni a duhet të publikohen apo jo dhe më tregoni çfarë mendoni rreth kësaj. Kjo s’ka ndodhë këtë here dhe ky është defekti real”, ka thënë ai.
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë drejton një sektor i cili operon në fushën e “lajmeve të rrejshme”, apo të ashtuquajturës “luftë hibride”.
Ky sektor i AKI-së është konsultuar me drejtorin e transmetuesit publik të afërt me LVV-në, Rilind Gërvalla, në disa raste. Vetë Gërvalla e ka pranuar këtë sekuencë gjatë rrëfimit të tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të bordit.
“Situata nuk rrjedh prej këtij rasti, raste të tilla ka pas edhe në të kaluarën, disa kanë kalu pa u vërejt shumë. Disa prej tyre kanë pasur tjetër redaktor editorial, dhe mbase kjo u ka ndihmuar mos të ketë reagime të tilla. Natyrisht e kuptoj rëndësinë sepse janë përmend dy media, njëra prej tyre goxha influencuese në Kosovë, edhe tjetra poashtu”, ka thënë Gërvalla.
Koordinimet AKI-RTK kishin nisur që në shkurt të vitit 2023, ka zbuluar Gërvalla.
Dy zyrtarë të AKI-së ishin takuar asokohe me Gërvallën dhe ish-drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka treguar Gërvalla.
“Por, ideja e krejt kësaj ka rrjedh prej një takimi që e kemi pas në shkurt të vitit 2023, bashkë me drejtorin gjeneral, ku kemi taku dy prej përgjegjësve të sektorëve të agjensionit për inteligjencën e Kosovës dhe në të cilin ne e kemi marrë njëfar zotimi që të ndihmojmë në rrafshin e sigurisë kombëtare dhe lajmet të cilat janë të një rrjeti më të gjerë sesa vetëm i Kosovës apo specifikisht kur kanë të bëjnë me informatat e verifikuara nga kjo agjensi e cila është e koncentruar kryesisht kundrejt regjimit të Vuqiqit dhe ndërhyrjeve që ata i kanë bërë në rendin kushtetues në Kosovë”, ka zbuluar ai.
Drejtori i RTK-së ka thënë se zyrtarët e AKI-së me të cilët është koordinuar ai “janë që nga themelimi i AKI-së”.
Bordi i RTK-së ftoi mbledhje të jashtëzakonshme më 23 korrik, një ditë pas botimit të lajmit kundër dy mediumeve kosovare, Nacionale dhe Periskopi.
Disa ditë më vonë, në një klimë të trazuar pas ngjarjes, tre anëtarët e bordit: Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj ofruan dorëheqje nga pozitat e tyre brenda bordit. Ata shprehën kundërshtimin e ashpër të tyre për botimin e lajmit.
Kurse, anëtarët e tjerë u rreshtuan krah pushtetin dhe e morën në mbrojtje drejtorin Gërvalla.
Të tjera
-
Gazetari i BBC “çmend” Vuçiç, Stephen Sackur në Hard Talk: Serbia e njeh “de facto” Kosovën
I ftuar në Hard Talk të BBC-së, presidenti serb Aleksandar Vuçiç promovoi...
-
Gazetarët Hoxha dhe Qyno paraqiten në SPAK, njihen me masat e sigurisë
Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno këtë të hënë të 25 nëntorit janë paraqit...
-
Rritet shifra: Shkon në 600 mijë euro shuma e dhënies së granteve nga Peci për të afërmit e pushtetit
Sekretar i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK’së, Egzon Pacolli, ka njof...
-
Shqiptari fiton zgjedhjet për kryetar bashkie në Gjermani
I riu shqiptar, Arianit Besiri ka fituar zgjedhjet për kryetar bashkie në Gje...
-
Rrokulliset një kamion në Doganaj të Kaçanikut, policia jep detaje
Një aksident trafiku ka ndodhur në Doganaj të Kaçanikut ku një kamion është r...
-
42-vjeçari në Drenas dyshohet se u vetëplạgos me ạrmën ilegale në veturë
Një person në Drenas ka pësuar lëndime pasi dyshohet se është vetëplagosur. ...
-
Shifra shqetësuese: 1 mijë e 333 nxënës braktisin shkollën, shumë të tjerë përsëritës të vitit
Nga klasa e parë deri në të 9-n, për këtë vit shkollor kanë përsëritur vitin ...
-
Enver Hoxhaj nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” në Tiranë
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj është nderuar me titullin “Do...
-
AAK: Kurti ka ndikuar në zgjedhjen e bordeve të Kompanive Rajonale të Ujësjellësit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Ujë dhe Polit...
-
Olaf Scholz edhe zyrtarisht kandidat i SPD-së për kancelar të Gjermanisë
Partia Socialdemokrate SPD ka vendosur edhe zyrtarisht që kancelari i tanishë...
-
Aktivizohet shërbimi i verifikimit të diplomës nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut në e-Kosova
Është aktivizuar shërbimi i verifikimit të diplomës në platformën e-Kosova, p...
-
Pamje nga përlẹshja, bëhen “llom” deputetët në Kuvendin e Serbisë
Debati i deputetëve të Kuvendit të Serbisë për Propozimin e Buxhetit për viti...