Artistja e burgosur ruse: Shteti im është i etur për gjak
Autori: Gazeta inFokus 09:07 | 21 July 2022
“Unë jam patologjikisht e paaftë që të tradhtoj ndërgjegjen time”, tha artistja dhe muzikantja nga Shën Petersburgu, Aleksandra Skochilenko, e cila dha një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga një qendër paraburgimi.
“Nuk kam shpresë. Komiteti i Hetimeve dhe kreu i tij, Aleksandr Bastrykin, personalisht më kanë zgjedhur mua që të vuaj ndëshkimin më të ashpër të mundshëm”, tha ajo për Realitetet e Veriut të REL-it.
Artistja 32-vjeçare që shpesh përdor vetëm emrin Sasha, u arrestua në prill pasi ajo ndryshoi pesë etiketa çmimesh në një dyqan me mesazhe kundër pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës. Ndaj saj është ngritur akuzë për shpërndarje të informacioneve “të rreme” lidhur me forcat e armatosura dhe mund të përballet deri me dhjetë vjet burgim.
“Shteti im është i etur për gjak”, tha ajo. “Përfshirë timin”.
Pavarësisht gjendjes së brishtë shëndetësore dhe natyrës jo të dhunshme të akuzës ndaj saj, Skochilenko e pranon se ka ndryshuar etiketat e çmimeve, por mohon se ka thënë diçka të rreme apo shpifëse. Ajo për më shumë se tre muaj gjendet në një qendër paraburgimi. Masa e paraburgimit i është zgjatur deri më 1 gusht dhe qëndrimi në paraburgim mund t’i zgjatet edhe më shumë.
Radio Evropa e Lirë pati mundësi që t’i dërgonte pyetje me shkrim Skolchilenkos për këtë intervistë dhe ajo ktheu përgjigjet me shkrim përmes avokatit të saj.
Duke përfshirë Skochilenkon, të paktën 73 persona në Rusi janë akuzuar në bazë të një ligji të ashpër të miratuar disa ditë pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt. Shumica e të pandehurve janë politikanë, gazetarë, priftërinj, aktivistë dhe madje edhe zyrtarë policorë. Më 8 korrik, ligjvënësi komunal i Moskës, Aleksei Gorinov, u dënua me shtatë vjet burgim, në bazë të këtij ligji.
Skochilenko tha se zyrtarët e burgut kanë ngurruar që të akomodojnë kufizimet e saj dietale për shkak se ajo ka intolerancë ndaj glutenit, pavarësisht presionit që kanë bërë aktivistët e shoqërisë civile dhe avokatët e saj, që burgu t’i mundësojë një dietë të përshtatshme për të.
“Në mënyrë të vazhdueshme kam dhimbje barku dhe nganjëherë vjelli kur jam duke ngrënë”, tha jo. “Imagjinoni të jetoni çdo ditë me simptomat e helmimit nga ushqimi. Kjo është jeta ime tani”.
Ajo po ashtu ka filluar që të ketë probleme me zemër, që kishte arritur t’i mbante nën kontroll qëkur ishte adoleshente.
“Në dy muajt e fundit kam dhimbje të zemrës”, tha ajo për REL-in. “Kohë pas kohe, shikimi më errësohet, kam probleme me frymëmarrje, shtrëngim gjoksi, marramendje dhe dhimbje në krahun e majtë”.
Ajo shtoi se shqetësohet se shoqja e saj e qelisë nuk do të mund të thërrasë për ndihmë nëse humbet ndjenjat gjatë natës ose që autoambulanca nuk do të arrijë në kohë për ta ndihmuar.
‘Rregulla të çuditshme’
Fillimisht, Skochilenko ishte vendosur në një qeli standarde me gjashtë të burgosur dhe një prej të burgosurave ishte një e “besuar”, e quajtur Yelena. Zyrtarisht, Yelena ishte përgjegjëse për të siguruar që qelia të mbahej e pastër, por në realitet, tha Skochilenko, detyra e saj ishte që t’ia bënte të mjerueshme jetën artistes.
“Para të gjithëve, ajo më tha se unë ‘kundërmoj’ dhe më detyroi që të laja të gjitha rrobat me dorë”, tha Skochilenko. “Ajo më shikoi gjatë gjithë kohës dhe më detyroi që ta pastroja tualetin me një sfungjer në vend të brushës”.
“Ka edhe rregulla të tjera të çuditshme që ajo shpikte, të tilla sikurse ju mund të mbani fshesën vetëm në një mënyrë të caktuar”, shtoi Skochilenko. “Ne na duhej ta pastronim komplet qelinë tri herë në ditë. Për pastrimin e çdo sipërfaqeje kishte një leckë të posaçme, dhe të gjitha leckat duhej të laheshin me dorë pasi pastronim qelinë…. [Yelena] nuk lejonte askënd që të hapte frigoriferin dhe na lejonte që të hanim vetëm në kohë të caktuara… Gjithë ditën ajo e linte televizorin e ndezur dhe shikonte filma lufte apo shikonte lajme për ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”.
Yelenës, sipas Skochilenkos, më vonë iu zbut dënimi dhe u dërgua në burgim shtëpiak.
Zyrtarët po ashtu duket se synojnë që të dëshmojnë se Skochilenko është e paaftë mendërisht. Një psikiatër i burgut, që e kontrolloi në qendrën e paraburgimit, erdhi në përfundim se Skochilenko ishte e aftë.
Pavarësisht kësaj, hetuesit insistuan që ajo të dërgohej në një spital psikiatrik për një vlerësim dyjavor. Një komitet “prej pesë doktorësh dhe një konsulent” po ashtu erdhën në përfundim se Skochilenko është e aftë dhe nuk ka nevojë për ilaçe psikotrope.
“Ndoshta ata vepruan kështu si një formë shtesë për të më bërë presion ose ndoshta ata thjesht duan të më turpërojnë sa më shumë që të munden”, tha Skochilenko. Pasi ajo u kthye nga spitali në burg, hetuesit i kërkuan që ajo t’i nënshtrohej edhe një vlerësimi tjetër psikiatrik në burg.
Sipas Skochilenko, konstatimi i paaftësisë mendore mund të përdoret për të justifikuar një trajtim të detyruar mjekimi. Ajo tha se një nga psikiatrit që e kontrolloi “vazhdoi të këmbëngulte që unë të shkoja në kishë”.
Skochilenko për një kohë të gjatë ka vuajtur – por, ka qenë duke u trajtuar – nga çrregullimi bipolar, që përfshin periudha të “depresionit paralizues”. Megjithatë, ajo tha se gjendja e saj nuk ishte një problem i posaçëm për të qëkur është arrestuar.
“Vitet e tëra që kam kaluar duke punuar në shëndetin tim mendor dhe edukimin, përfshirë konsultimet me doktorë, ilaçet, vite të terapisë psikike dhe pjesëmarrja nëpër seminare, kanë dëshmuar se janë efektive”, tha Skochilenko për REL-in. “Dhe unë kam pranuar mbështetje të madhe, gjë që më ka ndihmuar që ta përballoj” arrestimin.
Autoritetet janë “tmerrësisht të frikësuar”
Ajo tha se nuk pendohet që vendosi në etiketat e çmimeve informacione për luftën e Rusisë në Ukrainë, edhe pse “ato pesë etiketa vendosën fatin tim”.
“Një grup i tërë i policisë u krijua për të më gjetur dhe pas dhjetë ditësh ata më kapën”, tregoi ajo. “Sigurisht, unë kurrë nuk u fsheha”.
Ajo beson se Bastrykin dhe hetuesit e tjerë synojnë që ta ndëshkojnë atë sa më shumë që të munden sepse ata “janë tmerrësisht të frikësuar”.
“Kur një person është tmerrësisht i frikësuar, ai priret të shohë kërcënime të mëdha diku ku nuk ka asgjë”, tha ajo. “Unë peshoj 47 kilogramë, nuk di të shti me armë. Nuk mund të luftoj. Nganjëherë vuaj nga depresioni paralizues. Shëndeti im është i dobët. Edhe nën një stres të vogël, unë menjëherë kam simptoma. I dua njerëzit, fëmijët dhe kafshët. Unë jam një kandidate e keqe për organizimin e një rebelimi të armatosur. Por, frika është një gjë e paarsyeshme”.
“Sikurse të gjithë që ndiqen padrejtësisht në Rusi, unë nganjëherë frikësohem”, tha ajo. “Unë jam këtu dhe me gjasë do të vdes në burg për liri të shprehjes dhe pacifizëm”.
“Por, besimi im në liri të shprehjes dhe në humanizëm është më i fortë se frika ime”, përfundoi ajo./REL
Të tjera
-
FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024
Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot ceremoninë e garës ndërkombëtare “...
-
Pas dyshimeve për keqpërdorim, konstituohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore
Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkol...
-
Projektligji për KPM-në, Deirdre Kevin: Ligjet janë në përputhje me standardet evropiane
Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media, u diskutua sërish në Komisio...
-
Dhëndrri dyshohet se tentoi të vr*së ish vjehrrin, policia jep detaje për rastin në Dragash
Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë dyshohet se ka tentuar të vrasë nj...
-
“Nuk do ta shesim TikTok-un”, reagon pronari kinez në SHBA pas miratimit të ligjit që ndalon rrjetin social
Kompania mëmë kineze e TikTok, ByteDance, thotë se nuk ka ndërmend ta shesë b...
-
Blinken: Rusia pa ndihmën e Kinës nuk do arrinte të vazhdonte pushtimin e saj në Ukrainë
Rusia do të kishte vështirësi për të vazhduar pushtimin e saj në Ukrainë pa n...
-
Rama takon Jasharin, diskutojnë për shtatoren e Adem Jasharit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim Bekim Jas...
-
Osmani për donacionin në QKUK: Rikthim i dinjitetit për pacientët
Klinika e Mjekësisë Bërthamore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ësh...
-
Regjistrimi i popullësisë: Komuniteti boshnjak në Kosovë shfaq drojën se numri i tij mund të zvogëlohet
Komuniteti boshnjak në Kosovë shfaq drojën se numri i tij mund të zvogëlohet,...
-
Lṷfta e fundit në Kosovë: Rreth 22 miliardë euro dëme materiale
Institucioni i Avokatit të Popullit po mban një tryezë diskutimi me rastin e ...
-
“Termokos” përmbyll sezonin e ngrohjes
Ndërmarrja “Termokos”, ka përmbyllur sezonin e ngrohjes për vitin 2023-2024. ...
-
Maqedonci në ministerialin e CEDC-së kërkon përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka rikonfirmuar edhe një herë orientimi...