Lajme

Arsyetimi i gjykatës bullgare për paraburgosjen e Krasniqit nën dyshimet për trafikim me njerëz

Autori: Gazeta inFokus 20:00 | 01 March 2024

Gjykata bullgare ka arsyetuar vendimin e saj për paraburgosjen e kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi. Në vendimin që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Gjykata e Qarkut në Kruystendil e ka pranuar se ekziston urdhërarresti evropian.

Krasniqi është arrestuar në Bullgari në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga policia italiane nën dyshimet për trafikim me qenie njerëzore, ka raportuar ekskluzivisht gazeta online Reporteri.net të premten.

Sipas gjykatës bullgare, veprat e përshkruara gjithashtu cilësohen krime sipas Kodit Penal të Bullgarisë, për të cilat parashikohet dënimi me “burgim”.

-Advertisement-

Sipas Gjykatës, ai është akuzuar për tri vepra penale: lehtësimi i migrimit të jashtëligjshëm me bashkëpunim, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat.

“Duke pasur parasysh mungesën e vendbanimit dhe lidhjet e përhershme me Republikën e Bullgarisë, gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes së tij. Gjykata, për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës aktuale të ekstradimit, për të kufizuar lëvizjen e tij, vlerësoi se duhet të marrë masën e paraburgimit deri në përfundimin e procedurës për dorëzimin e të kërkuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Qarkut Kryustendil.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net, se kryeshefi i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi, është ndaluar më 19 shkurt në Bullgari.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K)  është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar ‘Gyushevo’”, thuhet në konfirmimin e MPJD-së për Reporteri.net.

“Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, ka sqaruar Ministria e Jashtme e Kosovës.

Ndryshe nga MPJD, nga Policia e Kosovës, të premten kanë refuzuar të japin informacion në lidhje me arrestimin e Krasniqit nga autoritetet bullgare.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se bazuar në Ligjin mbi mbrojtjen e të dhënave personale, PK-ja nuk mund të jap informacione të tilla për asnjë person, përjashtuar kur organet kompetente të drejtësisë e kërkojnë këtë”, ka thënë Policia për gazetën online Reporteri.net.

Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

Atij, një gjykatë e qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali, raporton gazeta online Reporteri.net.

Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tri vepra të ndryshme penale.

Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj më herët, me 16 janar 2024, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës, nga Bordi i ri i emëruar nga Qeveria e Kosovës ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asamblist.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera