Lajme

Arrest shtëpiak ndaj të akuzuarës se mori mbi 61 mijë euro nga 29 persona për rregullimin e vizave

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 17 June 2022

Gjykata Themelore në Mitrovicë të akuzuarës për mashtrim me viza, Valbonë Peci, ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

E akuzuara Peci ngarkohet se gjatë vitit 2020 dhe 2021, nga 29 persona ka pranuar 61 mijë e 600 euro, të cilëve iu kishte premtuar rregullimin e vizave suedeze, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës mbrojtësi i të akuzuarës Peci, avokati Armend Krasniqi i propozoi gjykatës që masa e paraburgimit ndaj të mbrojturës së tij të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër alternative të sigurimit të pranisë së të pandehurës në procedurë.

-Advertisement-

Ndërsa, këtë propozim nuk e kundërshtoi prokurori i rastit Sllobodan Bakiq, i cili i propozoi gjykatës që masën e paraburgimit ndaj të akuzuarës Peci ta zëvendësojë me masën e arrestit shtëpiak.

Propozimet e palëve janë aprovuar nga gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri.

Gjyqtari Beqiri në vendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ka ardhur duke vlerësuar se kjo masë është e mjaftueshme për pengimin e përsëritjes së veprës penale nga e akuzuara, si dhe për sigurimin e pranisë së të njëjtës në procedurë.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor i rradhës pritet të mbahet më 8 korrik 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 11 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Valbonë Pecit sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se në Mitrovicë në raste dhe periudha të ndryshme kohore ka sjellë në lajthitje disa persona, me fshehjen e fakteve e me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror, e vetëdijshme për veprën dhe për pasojat e të njëjtës.

Sipas aktakuzës, disa persona në dëm të pasurisë së vet të pandehurës i kanë dorëzuar shuma monetare në mënyrë që e njëjta t’ju sigurojë vizën e punës në Suedi, gjë që nuk e ka bërë në afatet e dakorduara, sepse për një veprim të tillë nuk ka pasur bazë, mundësi dhe as autorizim.

Kështu, aktakuza thotë se nga 29 persona në intervale të ndryshme kohore gjatë vitit 2020 e 2021, sipas kësaj baze ka pranuar shuma monetare, në shumë kumulative prej 61 mijë e 600 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera