Lajme

Apostolova tregon pse Demarkacioni u bë kusht për vizat

Autori: Gazeta inFokus 20:10 | 30 May 2017

Në debatin me studentët e Fakultetit Juridik të UP-së, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ndër të tjera, ka kërkuar debat televiziv mes kandidatëve për kryeministër.

 “Në shoqëritë demokratike kjo është me rëndësi dhe këtë e kemi parë nëpër Evropë, sepse është informuese për njerëzit që votojnë sepse do të dëgjojnë premtimet që thonë se do t’i përmbushin ata që do t’i votoni”, tha Apostolova, duke iu përgjigjur pyetjes së një studenti se a duhet pasur debate televizive në mes të kandidatëve për kryeministër pasi që jemi në kohë të zgjedhjeve.

Në takimin që u moderua nga Jeta Xharra me nikoqir dekanin e Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, Apostolova foli për EULEX-in, liberalizimin e vizave por edhe demarkacionin si çështjen më të diskutuar në Kosovë.

Sa i përket EULEX-it ajo tha se është një mision i suksesshëm.

-Advertisement-

“Misioni i EULEX-it është misioni më i madh në një vend jashtë BE-së. Tani  EULEX-i është duke e ulur madhësinë e tij  në disa funksione. Ju duhet ta shiheni se si ka punuar EULEX-i me gjyqësinë, me Doganat dhe Policinë e Kosovës. Në këtë mision ka të mira dhe të këqija dhe ka storje suksesi dhe storje jo edhe aq të suksesshme sepse është një mekanizëm i madh por e rëndësishme është që ka dhënë kontributin e tij”, tha Aspostolova.

Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë nga studentët iu imponua të fliste për demarkacionin (me Malin e Zi) dhe liberalizimin e vizave.

Sa i përket demarkacionit, Apostolova tha se problemi më i madh është se kjo çështje është kthyer në polemikë politike.

“Demarkacioni është bërë problem politik dhe mendoj se ky është problemi kryesor për t’u zgjidhur sepse qarqe të ndryshme në politikë e kanë shfrytëzuar këtë si polemikë. Nëse ka dilema nëse ky është kufiri apo jo dhe se duhet bërë një demarkacion të ri është mënyra dhe procedura për ta bërë këtë dhe nuk duhet të thoni se vetëm kjo është zgjidhja dhe nuk ka tjetër”, tha ajo.

E pyetur nga studentët lidhur atë se ç’do të ndodhte nëse një parti që vjen në pushtet dëshiron ta rinegociojë Demarkacionin, Apostolova tha se kjo do të ishte normale.

“Bashkimi Europian nuk është i shqetësuar me atë se ku është kufiri, prandaj keni pasur negociatat, prandaj keni pasur ekspertët dhe komisionet për të caktuar kufirin dhe tani po thonë se ky nuk është kufiri. Në rregull, atëherë bëjeni një komision tjetër. Ne ju inkurajojmë që të flisni me Malin e Zi dhe që ta gjeni zgjidhjen”, theksoi ajo.

E pyetur nga drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, se pse BE po ka standard të dyfishtë lidhur me liberalizimin e vizave pasi që disa vende kanë pasur probleme me demarkacion dhe kanë përfituar liberalizim të vizave ndërsa Kosova jo, Natalya Aspostolova tha se ky nuk është një proces statik.

“Procesi i zgjerimit të BE-së nuk është statik dhe secilin vit kemi akte të reja, vendime të reja, dhe ka ndryshime të mëdha në sistemin juridik të BE-se dhe çdo shtet anëtar është i obliguar të veprojë në përputhje me zotimet e reja që nuk kanë qenë në aktet themeluese të BE-së”, u përgjigj ajo.

E pyetur se pse Kosova nuk ka liberalizim të vizave e Ukraina e Gjeorgjia kanë, Apostolova tha se Kosova duhet të përmbushë zotimet e saj që i kanë mbetur e që janë demarkacioni dhe luftimit i korrupsionit ndërsa tha se Gjeorgjia dhe Ukraina i kanë përmbushur 300 kritere.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera