Lajme

Apostolova: Mos i shpenzoni paratë për paga të zv.ministrave

Autori: Gazeta inFokus 17:36 | 02 May 2018

Është e dhimbshme kur flitet për administratën publike, e Kosova është vendi që ka 80 zëvendës ministra. Ne dëshirojmë të shohim paratë të përdoren për reformë të mirëfilltë, e jo për paga të zëvendësministrave.

Kështu tha përfaqësuesja e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, në prezantimin e Raportit të Rishikimit, i cili u prezantua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), i cili është bërë me mbështetjen e Komisionin Evropian.

“Është me rëndësi që këto rekomandime që GIZ i ka bërë që të merren seriozisht. Pastaj varet sa i përkushtuar është ministri dhe ekipi i tij ti realizoj këto reforma. Që për MASHT të jetë llogaridhënia. Kemi nevojë për përkushtimin e Ministrisë së financave dhe Administratës publike sepse disa reforma që flasin këtu, do t’i prekin dhe sferat e tyre. Është e dhimbshme kur flasim për administratën publike. Kosova është vendi që ka 80 zv/ ministra. S’po dua të bëjë krahasime me vendet tjera në regjion. Por, kuptoni çfarë dua të them. Në administratën publike në reformë të saj, kur ne shpenzojmë buxhetin ne mbështetjes më të madhe diku 75 milion. Ne dëshirojmë të shohim që këto para të përdoren për reformë të mirëfilltë, e jo vetëm për paga të zv ministrave”, tha ajo.

-Advertisement-

Apostolova më tutje tha se BE e sheh arsimin si sektor prioritar në Kosovë dhe se ka plan që të investojë në arsim 35 milionë euro, por se u duhet një partner i qëndrueshëm në MASHT.

“Para se ta duplifikojmë shumën e investimeve tona, duhet të sigurohemi që kemi një partneritet të qëndrueshëm dhe të fortë në MASHT. E dëgjuat raportin dhe është e qartë për të gjithë çfarë po flas. Duhet të jemi të sigurt që asistenca financiare e BE-së do të shpenzohet në mënyrën me efikase transparente dhe efektive. Andaj ne kemi nevojë që rishikim të ministrisë. Jemi pajtuar me ministrin për të realizuar këtë projekt. Ne synojmë që të kemi një model të sistemit cilësor dhe të besojmë që këto rekomandime do të na ndihmojnë. Rishikimi identifikon boshllëqet aktuale. Raporti ka një plan konkret si të adresohen sfidat ekzistuese në MASHT. Jemi pajtuar me MASHT-in që t’i implementojmë këto rekomandime. Besojmë se këto ndryshime do të sjellin një organizim me të mirë dhe efikas të ministrisë”, tha ajo.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se raporti ka dalë me 15 të gjetura, të cilat janë të nevojshme, në mënyrë që të merren masa konkrete për të përmirësuar situatën brenda ministrisë. Ndërsa shtoi se në raport janë dhënë dhe 10 rekomandime, si duhet qasur këtyre të gjeturave, në mënyrë që në një periudhë kohore sa më të shkurtër të eliminohen dobësitë që lidhen brenda formës funksionale të ministrisë.

“Kemi formuar Task Forcën dhe jemi ne harmonizim të punës së përbashkët me bashkësinë evropiane dhe partnerët tjerë, në mënyrë që t’i dakordojmë bashkëveprimet tona, për të marrë masa konkrete për secilën gjetje dhe secili rekomandim, që t’i eliminojmë të gjitha këto dobësi që janë indentifikuar. Konsideroj që ky është një hap shumë pozitiv dhe pas marrjes së hapave të parë drejtë realizimit të këtyre synimeve që dalin nga raporti, ne do ta shohim një funksionim ndryshe të MASHT-it dhe ta shohim që secili përgjegjës brenda ministrisë, përfshirë vetë ministrin e deri te zyrtarët e ultë, do të këtë obligime dhe përgjegjësi të qarta dhe do të japin llogari për punën e tyre. Ne jemi të gatshëm nga sot të vazhdohet puna deri te realizimi i këtyre objektivave, që janë të rëndësishme dhe e shohim ministrinë pas përfundimit të këtyre objektivave, një ministri k rejt ndryshe dhe një funksionim i ministrisë krejt ndryshe”, tha ai.

Ndërkaq Mark Barret, përfaqësuesi i GIZ, që është udhëheqës i projektit, tha se është koha për ndryshime, por të cilat kërkojnë kohë.

“Kemi ardhur te te gjeturat të cilat prekin fusha të ndryshme. Ministria ka në përgjithësi shumë agjenci , por ato kanë dhe staf të limituar. Kemi shikuar organizimin politik dhe administrativ, përfshirë dhe rolin e zëvendësministrave dhe si kanë bashkërenduar aktivitetet apo si nuk i bashkërenduar aktivitetet me politikat. Tani është koha e veprimit dhe koha për ndryshim. Gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda natës dhe në fushën e reformave. Është një keqkuptim që gjërat mund të ndryshojnë shpejtë. Por në disa fusha mund të bëhen. Por këto propozime duhet t’i realizojmë, të implementojmë këtë reformë që do të sjellë rezultate. Ne kemi propozuar në rishikim, që ta vëmë ministrinë në shteg të qartë për t’i realizuar këto rezultate”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera