Apeli vërteton dënimin me burgim ndaj dy të miturve për vrạsjen e 18-vjeçarit në Podujevë
Autori: Gazeta inFokus 18:09 | 15 October 2024
Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me 10 vjet burgim për të miturin e parë dhe dënimin me 9 vjet burgim për të miturin e dytë, lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu në Podujevë.
Apeli ka vendosur për herë të dytë për këtë rast, pasi herën e parë rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Në vendimin e marrë më 25 shtator 2024, Apeli ka gjetur se pretendimet e mbrojtësit të të miturit të parë, avokatit Skender Musa janë të pabazuara, pasi aktgjykimi i Themelores ka dhënë arsye të qarta për të gjitha faktet vendimtare të rastit.
Sipas Apelit, Themelorja ka bërë precizim të saktë të veprimeve inkriminuese për dy të miturit, në dispozitivin e aktgjykimit dhe pretendimi se ndryshimin e dispozitivit duhet ta bëjë prokurori për të mitur, nuk është arsyetuar.
Shkalla e dytë, në arsyetim thotë se shkalla e parë ka respektuar parimin e një gjykimi të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të arsyeshme dhe refuzimi i propozimit të mbrojtjes për plotësimin me prova nuk përbën shkelje.
Mbrojtësi i të miturit të parë, në rivendosje kishte kërkuar ekzaminimin psikiatrik të të miturit, të cilin Gjykata kishte refuzuar, andaj edhe Apeli ka vërtetuar se kjo nuk përben shkelje pasi edhe nga gjendja e fakteve nuk është dëshmuar se ka nevojë për një ekzaminim të tillë pasi Themelorja ka pas në dispozicion të gjitha provat përfshirë edhe një raport psikologjik për të miturin.
Sipas Apelit, shkalla e parë ka dhënë arsye të qarta sa i përket bashkëpunimit mes të miturve për kryerjen e veprës penale.
Ndërsa, sa i përket cilësimit të veprës penale, përkatësisht për kryerjen e veprës penale në shenjë të hakmarrjes dhe në mënyrë të paskurpullt, Apeli vlerëson se Themelorja ka dhënë arsye të qarta, pasi është konstatuar se i mituri i parë ka vazhduar ta godas pamëshirshëm në kokë me dy duar dhe mjet të fortë tani të ndjerin, me sa fuqi ka pasur, pa asnjë ndjesi dhe në mënyrë brutale e që vlerësohet si sjellje mizore.
Në vendim, thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për faktin se bazuar në provat e nxjerra gjatë shqyrtimit gjyqësor, përmbajtja e provave ka qenë e qartë dhe bindëse të cilat nuk lënë vend për mëdyshje, lidhur me ekzistimin e fakteve relevante me rastin e vendosjes në këtë çështje gjyqësore.
Megjithatë, Apeli ka konstatuar se ka kundërthënie në arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së parë sa i takon elementeve subjektive të kryerjes së veprës penale, përkatësisht me dashjen e të miturve për ta privuar nga jeta tani të ndjerin.
“Megjithatë, këto interpretime të shkallës së parë duhet të vlerësohen në tërësinë e saj dhe shikuar dhe vlerësuar në këndvështrimin, kolegji për të mitur i kësaj gjykate bazuar në provat e procedurave gjatë shqyrtimit gjyqësor, vlerëson se kundërthëniet e konstatuara nga gjykata e shkallës së parë lidhur me elementin subjektiv të kryerjes së kësaj vepre penale nuk kanë mbështetje, pikërisht për faktin se nga këto prova nuk ka asnjë mëdyshje lidhur me elementin subjektiv, përkatësisht dashjen dhe qëllimin e të miturve për privim nga jeta të tani të ndjerit…”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Si rrjedhojë, Kolegji i Apelit në vendim ka theksuar se nuk ka vend për interpretim në të cilin aludon mbrojtja e të miturit të parë se bëhet fjalë për një formë tjetër të përgjegjësisë penale të të miturve. Andaj, konstohet se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale sa i takon kësaj pjese.
Sa i përket pretendimeve të mbrojtësit të të miturit të dytë, avokatit Florent Latifaj, Apeli ka vlerësuar se nuk kanë mbështetje ligjore pretendimet se aktvendimi është kundërthënës dhe se Themelorja ka përshkruar qartë veprimet e të miturit të dytë.
Lidhur me pretendimet se nuk kishte marrëveshje paraprake për hakmarrje, Apeli ka konstatuar se i mituri i dytë e dinte për problemet e të miturit të parë me tani të ndjerin dhe se kthimi i tij bashkë me të miturin e parë, e dëshmon se dy të miturit kanë qenë në dijeni për arsyet pse po kthehen, duke u hakmarrë në mënyrë të paskrupullt dhe duke ndërmarrë veprime mizore direkte nga i mituri i parë dhe indirekte nga i dyti, pasi kontributi i këtij të fundit në këtë vepër penale ka qenë thelbësor.
“Për faktin e thjeshtë sepse mos kthimi i të miturit (të dytë) mund të kishte pasoja tjera dhe t’i pamundësonte të miturit (të parë) që të realizonte dashjen e tij duke privuar nga jeta tani të ndjerin”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Apelit.
Pretendimet se vepra penale “Vrasje e rëndë” nuk duhet të jetë në rastin e të miturit të dytë, por duhet të jetë “Lëndim i rëndë” apo “Vrasje nga pakujdesia”, sipas Apelit nuk qëndrojnë pasi është vërtetuar dashja në këtë rast dhe po ashtu lartësia e dënimit është në përputhje me ligjin.
Sa i përket dënimit, edhe mbrojtësi i të miturit të parë kishte thënë se është dënim shumë i ashpër dhe nuk ka karakter rehabilitues dhe është i ndikuar nga mediat. Ndërsa, mbrojtësi i të miturit të dytë kishte shtuar se nuk është marrë për bazë kërkimfalja dhe pendimi.
Për këtë, Apeli ka thënë se Themelorja ka vendosur në përputhje me ligjin duke marrë për bazë edhe kërkimfaljet e gjendjen ekonomike.
Për të miturin e parë, si masë lehtësuese gjykata e shkallës së parë kishte marrë për bazë deklaratën e tij, ku ishte shprehur se i vjen keq për rastin. Ndërsa, si masë renduese është marrë fakti që i mituri kishte edhe më herët precedent penal me vendim të formës së prerë, përmes së cilit i ishte shqiptuar masa edukative institucionale me kohëzgjatje prej dy vjet. Ndërsa, në një rast tjetër, i ishte shqiptuar edhe masë diversiteti, e cila nuk ishte ekzekutuar.
Krahas kësaj, për të miturin e parë, si masë rënduese ishte marrë edhe pjesëmarrja e tij në kryerjen e veprës penale, qëllimi, fakti se viktima ishte në moshë të re, si dhe ikja e tij nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën në një gjendje të rëndë shëndetësore.
Për të miturin e dytë, Themelorja kishte marrë si masë lehtësuese faktin se ai për herë të parë ka rënë ndesh me ligjin si dhe shkalla e pjesëmarrjes me rastin e veprës penale është më e vogël. Ndërsa, si masë rënduese është marrë fakti se viktima ka qenë e moshës së re, shkalla e lartë e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe ikja e të miturit nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën në një gjendje të rëndë shëndetësore.
Si rrjedhojë, Kolegji i Apelit ka vlerësuar se shkalla e parë ka vlerësuar të gjitha rrethanat e kryerjes së veprës penale dhe se vendimi për shqiptimin e dënimit me burgim është i drejtë dhe i ligjshëm.
Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur përgjegjës dy të miturit për veprën penale “Vrasje e rëndë”, kështu që të miturin e parë e kishte dënuar me 10 vjet burgim, ndërsa të miturin e dytë me nëntë vjet burgim, duke ua llogaritur edhe kohën që ata kanë kaluar në paraburgim.
Ndërsa, avokati i tani të ndjerit Fejzullahu, Tomë Gashi ishte udhëzuar në kontest civil, ndërsa vetura e konfiskuar “Golf 6” i ishte kthyer pronarit B.K
Kundër këtij vnedimi, ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të miturit të parë, avokati Skënder Musa, me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike e shkelje të Ligjit Penal. Musa kishte kërkuar nga Apeli që ta anulojë këtë aktgjykim dhe lënda të kthehet në rigjykim, ose të ndryshohet aktgjykimi dhe të miturit të parë t’i shqiptohet një dënim më i butë.
Pretendime të ngjashme ankimore kishte edhe përfaqësuesi ligjor i të miturit të dytë, avokati Florent Latifaj, por që ai propozoi që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe klienti i tij të shpallet fajtor për një vepër penale tjetër ose çështja të kthehet në rigjykim.
Ndërsa, përfaqësuesi i familjes së viktimës, avokati Tomë Gashi në përgjigje ndaj ankesave të palëve, ka theksuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë, duke propozuar që ankesat të refuzohen, si dhe të miturit të dytë t’i shqiptohet dënimi me kohëzgjatje prej 10 vjet.
Gjatë seancës së Apelit, i mituri i parë ishte shprehur se qëndron pas fjalës së avokatit të tij, si dhe iu kishte kërkuar falje palës së dëmtuar për rastin e ndodhur. Ngjashëm ishte shprehur edhe i mituri i dytë, duke shtuar se i vjen keq që ka qenë i pranishëm aty kur ka ndodhur rasti.
Sipas vendimit, pasi Kolegji i Apelit ka shqyrtuar shkresat e lëndës, ka vlerësuar pretendimet ankimore dhe ka analizuar aktgjykimin e shkallës së parë, ka konstatuar se ankesat nuk janë të bazuara.
Ndryshe, në gjykimin e parë, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.
Por, Gjykata e Apelit më 17 korrik 2024 e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Më pas, Themelorja më 31 korrik 2024, edhe në rigjykim të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim kurse të miturin e dytë me 9 vjet burgim për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.
“Betimi për Drejtësi” ekskluzivisht kishte raportuar për dosjen e Prokurorisë ndaj dy të pandehurve për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.
Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.
Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 mars 2024 kishte përpiluar propozimin për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur, ndaj dy të miturve për veprën penale “Vrasje rëndë” nga neni 173, par.1, pika.1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Të tjera
-
Moti i keq, Policia thirrje vozitësve: Kujdes, ka aksidente nëpër rrugë të vendit dhe autostrada
Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqërua...
-
“Përgaditu se unë jom karatist”- Momenti kur moderatori shpërthen në të qeshura, pasi Jahja Koka ia thotë këtë gjë
“Përgaditu se unë jom karatist”, ishte një nga fjalitë dhe momentet që bëri m...
-
LAJMI I FUNDIT/ Vetura godet për vdẹkje një këmbësor në Krushë të Madhe
Një këmbësor është goditur nga një automjet në fshatin Krushë e Madhe, më sak...
-
Peci ngriti kallëzim penal ndaj tij, reagon Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së: I ka kapë panika
Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së, Paris Guri, ka dalë me një reagim pas...
-
Moti i keq në vend, KESCO del me njoftim për ndërprerjet e rrymës
KESCO përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se për shkak të kushteve atmos...
-
Shi i madh e erëra të forta në Prishtinë, lagjen Lakishte e “merr” uji
Shi i madh e erëra të forta e ka kapluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, shkru...
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...
-
Ministri Peci, bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK’së vetëm pse folën për grantet e të afërmve të Fitore Pacollit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë kallxim penal ndaj kryetarit të ...
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...