Lajme

Anulohet seanca e rigjykimit për vrasjen e rëndë në Deçan

Autori: Gazeta inFokus 12:15 | 27 April 2021

Është anuluar seanca e rigjykimit, e paraparë për të martën, në rastin e të akuzuarit për vrasje të rëndë, Hasan Zenlaj.

Ai po akuzohet nga Prokuroria e Pejës se me qëllim të hakmarrjes, në vitin 1989, në Deçan, në bashkëkryerje me vëllain e tij, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me seancën e së martës, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu tha se e njëjta është anuluar për shkak të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Isa Osdautaj, i cili nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

-Advertisement-

“Gjykata i ka njoftuar të gjitha palët në procedurë për anulimin e seancës, burgun dhe policinë dhe po ashtu është anuluar edhe seanca e datës 30 prill 2021”, bëri të ditur gjykatësi Sharraxhiu.

Seanca e radhës u caktua me 2 qershor 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2020, ish-kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, e kishte gjetur fajtor të pandehurin Zenelaj dhe e kishte dënuar me 11 vite burgim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit i kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurit, avokatëve Ramiz Krasniqi dhe Berat Tmava, me ç’rast e kishte kthyer çështjen në rigjykim, me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë nuk mund të qëndrojë si i ligjshëm.

Apeli ka vlerësuar se Gjykata Themelore në Pejë nuk kishte dhënë arsye për faktet vendimtare, përderisa ato që i kishte dhënë ishin të paqarta dhe të papranueshme.

Apeli ka udhëzuar që gjykata e shkallës së parë të administrojë përsëri provat dhe të eliminojë kundërthëniet lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve e identifikimin e të akuzuarit dhe për kohën e kryerjes së veprës penale, të bëhet rekonstruimi i vendit të ngjarjes për sqarimin e pozitës së dëshmitarëve në raport me viktimën dhe sulmuesit, e sipas nevojës të bëhet ekspertizë mjekoligjore lidhur me plagët që ka pësuar viktima, përkatësisht a kishte mundësi të shkaktohen plagët nga një person apo dy, duke marrë për bazë pozitën e të ndjerit me të dënuarin Selim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hasan Zenelaj, i njohur më parë me emrin Besim Zenelaj, akuzohet se më 20 tetor 1989, rreth orës 9:30, në rrugën ish “Eduar Kardeli” në Deçan, në afërsi të kanalit për ujitje, me marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj, i moshës 25 vjeçare nga fshati Strellc i Epërm.

Sipas aktakuzës, rasti kishte pikënisjen në një rrahje që kishte ndodhur më 12 qershor 1989, në mes të pandehurit dhe vëllait të tani të ndjerit.

Bazuar në akuzë, tani i ndjeri Zekë Ukaj ishte përcjellë për një kohë, e pastaj i afrohen nga prapa, fillimisht i dënuari Selim Zenelaj, e kap për qafe me dorë të majtë, kurse me dorën e djathtë fillon ta godas me thikë në pjesën e përparme të regjionit të gjoksit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i ndjeri në mbrojtje e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj bien në kanalin e ujit, i pandehuri Hasan Zenelaj zbret në kanal dhe derisa i dënuari Selim Zenelaj po e mbante tani të ndjerin për duarsh, e godet disa herë në shpinë e pjesë të tjera të trupit, gjithsej 16 goditje, shumicën prej tyre në organe vitale, ku për pasojë edhe ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në shkresat e lëndës, thuhet se i akuzuari Hasan Zenaj, i njohur me emrin Besim Zenelaj, është arratisur menjëherë pas ngjarjes kritike dhe nuk i është ditur vendndodhja, me ç’rast ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 28 tetor 1989, ka lëshuar letër-rreshtim.

Pasi që i akuzuari ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, thuhet se Gjykata e Pejës ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar, më 5 dhjetor 2015, ndërsa i pandehuri është arrestuar në shtetin e Zvicrës më 27 janar 2019, ku edhe është ekstraduar në Kosovë më 8 maj 2019.

Kurse, ndaj të pandehurit tjetër, Selim Zenelaj, i cili akuzohet se me Hasan Zenelaj ka kryer vrasjen e rëndë, ishte vazhduar procedura, me ç’ rast, më 20 shtator 1991, ai ishte dënuar me 11 vjet burgim, me aktgjykim të plotfuqishëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera