Fokus

Analisti serb Dushan Janjiq: Pas zgjedhjeve të së dielës, Serbia është politikisht më pak stabile

Autori: Sylejman Sylejmani 18:05 | 03 June 2024

Partia Përparimtare Serbe, e cila përkrahet nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, ka fituar shumicën e komunave, në zgjedhjet e së dielës të cilat u mbajtën në Serbi.

SNS është renditur partia e parë edhe në Beograd, duke marrë mbi 50 për qind të votave.

Ky rezultat, por edhe organizimi i zgjedhjeve, e ka dëshpëruar analistin serb, Dushan Janjiq.

-Advertisement-

Në një intervistë për Gazetën Infokus, Janjiq ka thënë se procesi zgjedhor është përcjellur me shumë parregullësi, si shkak i të cilave partia e mbështetur nga Vuçiq fitoi bindshëm.

“Të gjithë po flasin për partinë e Vuçiqit, por lista ka qenë e përbërë nga 16 parti. Unë e quaj këtë listë një listë nga Lajiq te Sheshel, të udhëhequr nga Vuçiq. Është një grupim interesant i njerëzve që kanë interesa të ndryshme dhe të cilët janë bërë bashkë për t’i ruajt privilegjet që ata i kanë në 20 vitet e fundit, disa nga ta më shumë se kaq, siç është rasti i socialistëve të Sheshelit. Ky lloj i grupimeve është shumë larg asaj që njerëzit kanë nevojë. Dhe faktikisht nuk ka të bëjë asgjë me njerëz të solidaritetit social”, ka thënë Janjiq.

Pas këtij rezultati, Janjiq pret që në Beograd të rikthehen protestat. Kësaj radhe, edhe më të mëdha se ato të dhjetorit.

“Pas këtyre zgjedhjeve Serbia nuk është politikisht më stabile. Në fakt është më pak stabile. Por tash, në thelb Vuçiqi ka bërë një gabim, ai nuk është gati të ballafaqohet me protestat sociale që do ta pasojnë. Vuçiq e ka hapur derën e eskalimit në demonstrata të shumë grupeve shoqërore”, ka theksuar Janjiq.

Më dy qershor në Serbi u ripërsëritën zgjedhjet në 88 qytete, komuna e rrethe. Kjo ndodhi pasi u kontestuan rezultatet që dolën nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.

Rivali më i afërt i SNS-së në Beograd, ishte “Kreni-Promeni”, e udhëhequr nga Savo Manojlloviq, që doli e dyta me 17.61 përqind të votave. /Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera