Lajme

Analistët: Të ridefinohet dialogu Kosovë-Serbi, përpara se të vazhdojë

Autori: Gazeta inFokus 17:44 | 30 April 2017

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare dhe analistët politikë, konsiderojnë se dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërprerë me anë të një rezolute të Kuvendit të Kosovës deri në lirimin e Ramush Haradinajt nga gjykata franceze, duhet të vazhdojë.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Beogradin zyrtar për, siç thonë, “qasje destruktive jo vetëm në raport me dialogun, por edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet të braktisen idetë dhe praktikat e deritanishme të procesit të dialogut për të diskutuar, sipas tij, vetëm mbi temat e propozuar nga Serbia.

-Advertisement-

“Ajo që Kosova duhet të bëjë tani e tutje, është përpjekja e saj shumë më tepër, shumë më serioze, në kuptimin e dizajnimit të një dialogu që, vërtet, do të adresonte në radhë të parë interesat e Kosovës dhe pastaj edhe interesat e tjera të rajonit”, vlerëson Hoti.

Profesori Hoti, konsideron se çështja e normalizimit të raporteve me Serbinë, heqja e fletarresteve ndërkombëtare dhe një listë e tërë e problemeve, me të cilat Kosova përballet drejtpërdrejt, duhet të futen në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Në të kundërtën mendoj se nuk ka logjikë të vazhdohet vetëm trajtimi i atyre temave që imponohen qoftë nga Beogradi apo aktorë të tjerë, që në fund të ditës kanë interesin e shtyrjes përpara të procesit integrues të Serbisë drejt BE-së”, thekson Hoti.

Dialogu i nisur prej më shumë se pesë vitesh, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, u pezullua javë më parë, përmes rezolutës që Kuvendi i Kosovës e miratoi me kërkesën për lirimin e ish-kryeministrit Haradinaj nga ndalimi në Francë.

Haradinaj u ndalua në aeroportin e Baselit në janar të këtij viti sipas një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me akuzat për krime lufte në Kosovë. Ai u lirua më 27 prill nga Gjykata franceze në Colmar, e cila refuzoi ta ekstradonte Haradinajn në Serbi, sipas kërkesës së Beogradit zyrtar.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, pas miratimit të rezolutës së Kuvendit pati deklaruar se dialogu me Beogradin mund të vazhdojë pasi që të lirohet dhe kthehet në Kosovë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe pasi që Kuvendi ta shfuqizojë Rezolutën për pezullimin e bisedimeve.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë se dialogu duhet të vazhdojë, por me kushtin që ai të ri formatohet apo ndryshohet dhe të krijohen garanci që Serbia nuk do ta minojë atë me akte e vendime që janë në kundërshtim me frymën e dialogut dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Për një periudhë të gjatë, dialogu ka hyrë në një qorrsokak edhe nuk ka ndonjë indikacion se ai do të mund të normalizohet pa ndonjë investim të madh edhe nga BE-ja, nga Serbia dhe Kosova. Rasti i Ramush Haradinajt vetëm sa e ka përkeqësuar atmosferën mes BE-së, Serbisë dhe Kosovës, prandaj është obligues ridefinimi i dialogut në mënyrë që të vendoset në binarë normalë”, thotë Muhaxhiri.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, përfshirë edhe Marrëveshjen kornizë të Prillit të vitit 2013, që u pa si e arritura më e madhe e dialogut.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka hapur kapituj të ri të të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ranë në nivelin më të ulët që prej fillimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me lehtësim të BE-së, posaçërisht pas ndalimit në Francë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe nisjes së një treni me ikonografi mesjetare nacionaliste nga Beogradi drejt veriut të Kosovës, që rriti tensionet ndërmjet dy vendeve.(REL)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera