Amnezia selektive: mohuesit kroatë të Holokaustit
Autori: Gazeta inFokus 12:16 | 24 November 2017
Pavarësisht ligjeve kundër mohimit apo injorimit te krimeve të gjenocidit, anëtari më i ri i Bashkimit Europian ka bërë shumë pak për të ndëshkuar zërat që ulin rëndësinë e krimeve të Luftës së Dytë Botërore.
Fotot e formatit policor tregojnë Ivo Goldstein, një librar dhe librashitës hebre, që shfaqet me sy të shndritshëm dhe i qetë – edhe pas nëntë ditës qëndrim në një qeli të policisë kroate. Një nga fotot mban numrin 28888 dhe ka datën: 21 prill 1941. Shtatëdhjetë e gjashtë vjet pasi u shkrepën nga një fotograf i policisë, fotot janë ende të varura në një triptik në murin e dhomës së gjumit të Danielit, djalit të Goldsteinit, në një pallat të zymtë në lagjen Zaprudje të Zagrebit.
Danieli, 85 vjeç, është historian dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ai ishte nëntë vjeç kur fëmijëria iu trondit nga arrestimi i babait në të sapokrijuarin Shteti i Pavarur i Kroacisë, (NDH), gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky shtet kukull i Gjermanisë Naziste dhe Italisë Fashiste u ngrit pas pushtimit të Mbretërisë së Jugosllavisë fuqitë e Boshtit në pranverën e vitit 1941. Ky shtet udhëhiqej nga diktatori ultranacionalist Ante Pavelic, lëvizja fashiste Ustasha e të cilit kërkoi krijimin e një shteti kroat me çdo kusht.
Të modeluar sipas forcave SS të Gjermanisë, njësitë e Ustashëve nuk humbën kohë në zbatimin e ligjeve racore të stilit nazist, duke grumbulluar dhe vrarë hebrenjtë, serbët dhe romët krahas kroatëve antifashistë.
Ustashët ndërtuan kampe përqendrimi nëpër të gjithë territorin e NDH-së, i cili shtrihej në shumicën e Kroacisë së ditëve të sotme si dhe në Bosnjë e Hercegovinë e në disa pjesë të Serbisë e Sllovenisë.
Ivo Goldstein ishte një nga hebrenjtë e parë të arrestuar, në qytetin industrial të Karlovacit.
Ai u dërgua në kampin Jadovno në këmbë të vargmalit Velebit pranë Adriatikut. Të dhënat tregojnë se ai u vra atje, katër muaj pasi u arrestua, në moshën 41 vjeçare.
Pas lufte, Danieli e ndryshoi mbiemrin e tij në Ivin (djali i Ivos) në përkujtim të babait. Ai thotë se edhe ai vetë mund të ishte vrarë nëse nuk do t’i bashkohej – në moshën 10 vjeçare – lëvizjes partizane antifashiste të udhëhequr nga komunisti i lindur në Kroaci, Josif Broz Tito, i cili sundoi Jugosllavinë për 35 vjet pas luftës.
“Shpejt pasi unë u bashkova me partizanët, familjarët e mi u vranë në kampet e NDH-së, përfshirë gjyshërit, të cilët patën kërkuar për mua deri në atë çast,” tha ai. “Edhe xhaxhai im, i cili u vra në Aushvic, nuk ia doli të shpëtojë veten.”
Duke parë historinë e jetës së tij, nuk është çudi se Ivin është i zemëruar nga rritja e numrit të zërave në Kroaci, të cilët kërkojnë të zbehin krimet e ustashëve në Luftën e Dytë Botërore.
Këto krime përfshijnë vrasjen e dhjetëramijëra serbëve, hebrenjve dhe romëve në kampin famëkeq të përqendrimit të Jasenovacit, i cili është mbiquajtur Aushvici i Ballkanit.
Në një klimë politike që është luhatur në të djathtë që kur Kroacia u bë anëtari më i ri i BE-së në vitin 2013, apologjetë e ustashëve shprehin hapur mendimet e tyre në median sociale, në sallat e leksioneve si dhe në televizionet kryesore.
Libraritë mbajnë monografi që vënë në diskutim provat e panumërta se Jasenovaci se një kamp shfarosjeje i ustashëve. Edhe politikanë të njohur kanë ngritur dyshime mbi natyrën gjenocidale të regjimit të Pavelicit.
Kritikët thonë se një revizionizëm i tillë është i barabartë me mohimin e Holokaustit.
“Mohimi i faktit se Jasenovaci ishte një kamp vdekjeje më bën në ndjehem i hidhëruar,” tha Ivin. “Unë konsideroj revizionistë të gjithë ata që pretendojnë diçka të tillë dhe që janë kriminelë sepse po i vrasin viktimat për herë të dytë me gënjeshtrat e tyre. Nuk e di se si mund ta lejojë qeveria diçka të tillë.”
Aktivistët e të drejtave thonë se qeveritë e njëpasnjëshme të udhëhequra nga Partia Bashkimi Demokratik i Kroacisë, HDZ, kanë mbyllur sytë ndaj nostalgjisë neo-fashiste, duke lejuar lulëzimin e gjuhës së urrejtjes.
Ndërkohë, ata akuzojnë institucionet e shtetit se po dështojnë të zbatojnë ligjet që ndalojnë mohimin publik, nënvlerësimin ose harrimin e krimeve të gjenocidit, ligje që u miratuan para anëtarësimit të Kroacisë në BE në vitin 2013.
Efraim Zuroff, i cili kaloi më shumë se 40 vjet duke gjuajtur nazistë për Qendrën Simon Wiesenthal, e përshkruan Kroacinë si vendin që ka kaluar nga të qenit një nga djepet e Holokaustit në atë të një “djepi të shpërfytyrimit të Holokaustit”.
Ai e grupon Kroacinë bashkë me disa vende të tjera të Europës Lindore për të cilat thotë se kanë amnezi selektive mbi historinë e kohës së luftës me kolaboracionistë, kuislingë dhe antisemitë vendës, vende të tilla si Estonia, Letonia, Lituania, Ukraina, Hungaria dhe në një farë mase, edhe Polonia (shih kutinë).
“Ajo që është specifike për këto vende është se ata pëlqejnë të kthejnë ish-luftëtarët për pavarësi dhe antikomunistë në heronj kombëtarë,” thotë Zuroff në një intervistë të kryer përmes telefonit nga zyra e tij në organizatën antifashiste në Jeruzalem.
“Në disa raste, këta janë persona përgjegjës për vrasjen e shtetasve hebrenj gjatë Holokaustit, gjë që duhet të mjaftojë për t’i skualifikuar ata.”
Askush nuk e di se sa shumë serbë u vranë nga njësitë e ustashëve gjatë katër viteve të masakrës për të cilën historianët thonë se habitën edhe mbështetësit nazistë të Paveliçit në Gjermani.
Muzeu i Përkujtimit të Holokaustit në SHBA vlerëson se viktimat ishin mes 230 mijë dhe 340 mijë. Demografi Vladimir Zerjavic vlerësoi se në vitet e 80-ta, 197,000 nga ta ishin civil.
Shfarosja e hebrenjve është e dokumentuar mirë. Rreth 30,500 hebrenj nga 39 mijë që jetonin në territorin e NDH-së u vranë nga ustashët ose u dërguan në kampet naziste të vdekjes gjetkë nëpër Europë.
Shumë të mbijetuar u zhvendosën në Izrael pas luftës. Bashkësia e hebrenjve të Kroacisë tashmë numëron pak më shumë se 500 vetë, sipas censusit të fundit të vitit 2011.
Në Jasenovac në Kroacinë qendrore, ustashët i kryen vrasjet e tyre me thika dhe çekiçë në një kompleks nën-kampesh pranë kufirit të sotëm me Bosnjën.
Pas një pune të lodhshme dhe të verifikuar shkencërisht nga Kampi Përkujtimor i Jasenovacit, janë zbuluar identitetet e 83,145 prej viktimave, ndonëse numri final i të vdekurve nuk është përcaktuar ende.
Kërkimi tregon se 47,627 serbë, 16,173 romë dhe 13,116 hebrenj vdiqën në Jasenovac gjatë luftës, krahas mijëra disidentëve të tjerë kroatë e njerëzve nga nacionalitetet e tjera. Nga këta, 20,101 ishin fëmijë.
Përgjatë dy viteve të fundit, përfaqësues të bashkësive të serbëve dhe hebrenjve krahas organizatave antifashiste kanë bojkotuar përkujtimoret shtetërore për viktimat e Jasenovacit në protestë ndaj asaj që e shohin butësi qeveritare ndaj simpatizantëve të ustashëve.
Ata u zemëruan veçanërisht nga vendosja nëntorin e kaluar të një pllake pranë Jasenovacit nga veteranët e konfliktit në Kroaci të viteve 1991-1995, pllaku ku shkruhen fjalët “Za dom spremni” [“Për Atdheun Gati”], ekuivalenti ustash i përshëndetjes naziste “Sieg Heil”.
Presidentja Kolinda Grabar Kitarovvic ka ulur rëndësinë e përdorimit të sloganit, duke e cilësuar atë një “përshëndetje të vjetër kroate” – një përshkrim që sfidohet nga historianët kryesorë, të cilët thonë se kjo është një shpikje e kohës së ustashëve.
Shumë thonë se reagimi ishte shumë pak dhe tepër vonë.
“Kur ngjarje fashiste fillojnë të ndodhin në një shoqëri, kjo krijon një ndjesi paqetësie mes hebrenjve,” thotë Sanja Zoricic Tabakovic, një gjykatëse dhe përfaqësuese e bashkësisë së hebrenjve në Zagreb.
“Por kur institucionet nuk reagojnë, kjo shkakton frikë për shkak se nuk e di se ku mund të na shpien këto ngjarje.”
Raporti i fundit vjetor i avokatit të pavarur të popullit të Kroacisë, publikuar në maj, citon një rritje të gjuhës së urrejtjes dhe shpërfytyrimit të Holokaustit.
“Ka gjithnjë e më shumë media që propagandojnë dhe përhapin paragjykime e stereotipe, publikojnë tekste që nxisin urrejtjen kundër minorancave, që rehabilitojnë regjimin e ustashëve dhe mohojnë krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore,” shkruhet në raport.
Mes revizionistëve më me zë është Shoqëria për Kërkimin e Trefishtë mbi Kampin e Jasenovacit, një organizatë joqeveritare, anëtarët e së cilës përfshijnë gazetarë, profesorë universiteti dhe priftërinj katolikë.
Shoqëria mbron një teori se Jasenovaci ishte thjesht një kamp pune nën sundimin e ustashëve dhe se ai u bë një kamp vdekjeje vetëm pasi u pushtua nga partizanët e Titos pas lufte.
Teoria përplaset me dokumente të panumërta zyrtare, dëshmi dhe studime nga ekspertët e Holokaustit dhe historianëve me famë botërore.
Natasa Matausic, një historiane dhe presidente e bordit të drejtorëve të Kampit Përkujtimor të Jasenovacit, thotë se nuk ka prova që të tregojnë se komunistët jugosllavë menaxhuan një kamp përqendrimi në Jasenovac pas luftës.
“Ata [anëtarët e shoqërisë] po përdorin dokumente nga arkivat e shtetit, të njëjtat që ne kemi përdorur për shumë vite, dhe po i interpretojnë sipas mënyrës që i pëlqen atyre,” tha ajo. “Për shembull, faktin që një person vdiq në kampin Jasenovac më 1943 dhe që u deklarua i vdekur më 1946, ata e përdorin si provë se personi u vra më 1946.”
Igor Vukic, sekretari i shoqërisë, e mbrojti këtë teori.
“Ne themi se kjo është çfarë gjetëm dhe ne nuk kemi fshehur asgjë që nuk e mbështet pretendimin tonë,” tha ai.
Dhjetorin e kaluar, qeveria tha se do të krijojë një këshill special me ekspertë me detyrën që të japë rekomandime “për përballjen me të shkuarën” – një përgjigje ndaj debateve të krijuara nga pllaka e veteranëve në Jasenovac.
Vukic tha se Shoqëria për Kërkimin e Trefishtë mbi Kampin Jasenovac i kërkoi qeverisë të jetë pjesë e këshillit, me mandatin për të konsideruar çështje të tilla se si duhet të mësohet historia nëpër shkolla dhe se si duhet të përkujtohen përvjetorët.
Sipas Vukiv, propozimi ka pasur mbështetjen e Bozo Petrov, në atë kohë kryetar i parlamentit dhe president i partisë së vogël aleate në koalicionin qeverisës të asaj kohe.
Vukic tha se “miq nga vendi, Europa dhe bota” kanë dërguar mesazhe në mbështetje të pjesëmarrjes së shoqërisë te Petrov, partia e të cilit, Lista Ura e të Pavarurve, MOST, e prezanton veten si parti jo-ideologjike në politikën e polarizuar kroate.
Në mes të shkurtit, pak ditë pasi këshilli të krijohej zyrtarisht, Petrov i shkroi kryeministrit Andrej Plenkovic duke i dërguar edhe mesazhet e mbështetjes.
“Unë po përdor këtë mundësi për t’ju dorëzuar ju propozimin që përfaqësues të Shoqërisë për Kërkimin e Trefishtë mbi Kampin Jasenovac të përfshihen në punën e këshillit,” shkroi ai në një letër të parë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN.
BIRN nuk i pa propozimet mbështetësve dhe as nuk disponon ndonjë informacion se nga vinin ato.
Petrov refuzoi një kërkesë për intervistë, por zëdhënësja e MOST, Ruzica Popovic tha se mesazhet mbështetëse nuk do të thonë se ai i mbështet gjithashtu ata.
“Ata [zyra e kryetarit të parlamentit] i përcjellin të gjitha propozimet e marra,” tha ajo.
Në fund, qeveria e rrëzoi kërkesën e shoqërisë për të qenë pjesë e këshillit.
Matausic nga Kampi Përkujtimor i Jasenovacit beson se Shoqëria për Kërkimin e Trefishtë mbi Kampin Jasenovac duhet të nxirret jashtë ligji.
“Ajo që po bëjnë ata është një mohim i gjenocidit dhe Holokaustit që ndodhi në NDH,” tha ajo.
Pyetur nëse shoqëria është angazhuar në një mohim të tillë, Vukic tha: “Kur flitet për gjenocidin, ai shpesh lidhet me serbët. Nëse është për këtë, ne e mohojmë.”
Ai vijoi: “Natyrisht se nuk e mohojmë Holokaustin… Kur vjen puna te hebrenjtë, askush që është serioz, i cili është i mençur, nuk mund të mohojë apo të dështojë të jetë shpirtdhembur mbi të.”
Por ekzaminimi i profilit në Facebook të presidentit të shoqërisë, një prifti katolik me emrin Stjepan Razum i cili punon në arkivat e shtetit në Kroaci, zbulon shumë video të njerëzve të njohur për mohimin e Holokaustit që shoqërohen me komente miratuese prej tij.
Më 17 maj, Razum ndau një video të Richard Williamson, një peshkopi katolik në Britani i cili është dënuar për mohim të Holokaustit nga një gjykatë gjermane më 2013, në të cilën Williamson thotë: “Unë besoj se provat historike janë fort kundër gjashtë milionë hebrenjve si të vrarë qëllimisht me gaz në dhoma gazi si një politikë e qëllimshme e Adolf Hitlerit.”
Mbi këtë video, Razum komentoi: “Burrë me kurajo! Urime!”
Razum refuzoi një kërkesë për intervistë telefonike por ra dakord t’i përgjigjej pyetjeve me email.
Pyetur mbi mendimet e Williamson, Razum shkroi: “Unë falënderoj Zotin që po jetoj në Republikën e Kroacisë, i cili është një shtet i lirë dhe demokratik dhe përfitimet nga kjo janë që ne jemi të lirë për të menduar, të lirë për të folur, të lirë për të përdorur FB [Facebook], të lirë për të komentuar, të lirë për të kërkuar, të lirë për t’u përfshirë në punë shkencore, të lirë për të udhëtuar, të lirë për të ëndërruar, të lirë për të uruar…”
Revizionistë të famshëm
Aktivistët e të drejtave thonë se shpërfytyrimi i krimeve të Luftës së Dytë Botërore nuk është diçka e re në Kroaci. Ai ishte veçanërisht i përhapur gjatë konfliktit në Ballkan në fillim të viteve 1990 kur ndjenjat antiserbe ishin të forta dhe Kroacia po farkëtonte identitetin e vet si komb i pavarur.
Franjo Tuxhman, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Kroaci, shkroi në një libër të vitit 1989 të titulluar Djerrina – E vërteta historike se vlerësimi për gjashtë milionë hebrenj të vrarë në Holokaust mbështetej në “dëshmi tepër emocionale dhe të njëanshme dhe mbi të dhëna të njëanshme të llogaritjeve të krimeve të luftës pas luftës dhe në larjen e hesapeve me kryerësit e mposhtur të krimeve të luftës”.
Tuxhman, i cili themeloi HDZ-në, shkroi në një rast tjetër: “Një hebre është sërish një hebre. Madje madje, edhe në kampin Jasenovac. Në kamp ata mbajtën karakteristikat e tyre të këqija të cilat aty ishin edhe më të dukshme: egoizmi, dinakëria, pabesueshmëria, koprracia, poshtëria, dinakëria dhe tradhtia janë karakteristikat e tyre kryesore.”
Ekspertët e shkencave politike thonë se Tuxhman ishte politikani i parë që u përpoq të vendoste një shenjë bararazie mes krimeve të kryera nga komunistët, përfshirë vrasjen e të burgosurve ustashë dhe të NDH-së dhe civilëve nga forcat partizane jugosllave menjëherë pas lufte.
Këto përpjekje ishin pjesërisht një reagim ndaj historiografisë shumëdekadëshe në Jugosllavi, e cila e vlerësoi numrin e viktimave të Jasenovacit në rreth 700 mijë, thonë ata.
Ndërsa nacionalistët kroatë u përpoqën të nënvlerësojnë numrat në fund të viteve 1980 dhe në vitet 1990, nacionalistët serbë i rritën ato jashtë proporcionit në përpjekje për të etiketuar kroatët si gjenocidalë. Vuk Drashkoviç, udhëheqës i partisë Lëvizja për Rigjallërimin e Serbisë, shkroi më 1985 se një milionë e gjysmë serbë u vranë në NDH.
Në vitet e fundit, revizionistë të njohur në Kroaci kanë përfshirë edhe deputetin e HDZ-së Vice Vukojevic, i cili ishte anëtar i një komisioni tashmë të mbyllur, i cili vlerësoi se të vdekurit në Jasenovac ishin 2,238 si dhe Zlatko Hasanbegovic, një ministër kulture i cili e përshkroi fundin e NDH-së më 1944 si “tragjedia dhe disfata jonë më e madhe kombëtare”.
Presidentja Grabar Kitarovic ka dënuar formalisht regjimin Ustash si kriminal dhe ka shprehur “trishtimin e saj më të thellë për të gjitha viktimat e Holokaustit në Kroaci” gjatë një udhëtimi në Izrael.
Por ajo është kritikuar për shkak se është fotografuar me një flamur që mbante një simbol të ustashëve dhe për shkak se dëgjon muzikantin e saj të parapëlqyer, Thompsonin, një ushtar zjarrvënës i kthyer në këngëtar, lirika e të cilit mbart edhe sloganin “Za dom spremni”.
Ndërkohë, Stjepan Mesic, i cili shërbeu si presidenti i dytë i Kroacisë dhe i njohur për mendimet e tij liberale, këtë vit dha dorëheqjen si kreu i nderit i Aleancës së Luftëtarëve Antifashistë dhe i Antifashistëve pas publikimit të një videoje të vitit 1992 ku ai vinte në pikëpyetje faktin nëse Jasenovaci ishte një kamp vdekjeje.
“Njerëzit u vranë, por [vetëm] para se të vinin në Jasenovac,” thotë ai në një video. “Kur dikush vinte në Jasenovac, ai sakaq praktikisht ishte i shpëtuar si punëtor.”
Nuk ka përndjekje ligjore
Juristët thonë se çështja nëse deklarata si kjo mund të konsiderohen apo jo të paligjshme lidhet me interpretimin e kodit penal.
Ndryshe nga vendet e tjera të BE-së si Gjermania apo Austria, ligji nuk bën referencë specifike ndaj Holokaustit apo krimeve të Luftës së Dytë Botërore.
Neni 325 i kodit thotë se njerëzit që “publikisht injorojnë, apo mohojnë apo në mënyrë domethënëse nënvlerësojnë aktet kriminale të gjenocidit, krimet e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës” mund të dënohen me deri tre vjet burg në rast se veprimet e tyre ndezin dhunë apo urrejtje.
Policia nuk ka bërë asnjëherë një kallëzim penal në lidhje me këtë pjesë të kodit, thotë ministria e brendshme.
“Në Kroaci, kjo duhet të bëhet në mënyrë të tillë që nxit dhunë apo urrejtje ndaj një grupi shoqëror të dëmtuar nga krimi,” thotë Vesna Alaburic, një avokate me bazë në Zagreb. “Është një lidhje shumë subjektive me një krim dhe është shumë e vështirë të provohet.”
Në Gjermani, ministria e drejtësisë tha se 93 njerëz janë dënuar për mohimin, harrimin ose relativizimin e krimeve Naziste të gjenocidit në vitin 2015, viti i fundit për të cilin statistikat janë të disponueshme. Gjashtë prej tyre u dënuan me burg.
Në Austri vitin e kaluar, prokurorët morën 75 kallëzime për mohimin, relativizimin, harrimin apo justifikimin e krimeve naziste të gjenocidit apo krimeve kundër njerëzimit, sipas ministrisë së drejtësisë së Austrisë. Katër njerëz u burgosën për krime të tilla më 2016.
BIRN pyeti 22 prokuroritë vendore të shtetit kroat nëse ata kanë marrë ndonjëherë ndonjë ankesë penale për shfytyrim të gjenocidit apo Holokaustit apo mohimit të krimit nga individë apo grupe.
Nga këto, 20 u përgjigjën dhe vetëm tre thanë se kishin marrë.
Më 2013, organizatat e të drejtave dorëzuan një kallëzim penal të përbashkët te prokurorët në qytetin e Kutinës në Kroacinë qendrore ku akuzuan Josip Miljakun, ish-president i Partisë së Pastër të së Drejtave të Kroacisë nga ekstremi i djathtë, se ka thyer ligjin duke ulur rëndësinë e masakrës në Jasenovac.
Sipas ankesës nga Qendra për Studime për Paqe, Documenta dhe Komiteti Civil për të Drejtat e Njeriut, Miljak nënçmoi provat nga qendra përkujtimore e Jasenovacit, e cila vlerëson se të vdekurit në kamp janë minimalisht 83 mijë.
Kallëzimi shkruan gjithashtu se ai i shkroi në një email ish drejtoreshës së qendrës përkujtimore, Natasha Jovicic, se “gënjeshtrat dhe urrejtja juaj për çdo gjë që është kroate nuk do të ndihmojë qëllimin tënd”, gjë që ajo dhe aktivistët e të drejtave e interpretuan si kërcënim.
Zyra e prokurorit të zonës vendosi të mos dërgojë në gjykatë kallëzimin me parimin se nuk kishte elementë të nxitjes publike në akuzën për zhvlerësimin e krimeve të lutës nga ana e Miljakut, sipas dokumentit të vendimit të prokurorisë të parë nga BIRN.
Prokuroria e zonës ndoqi si kundërvajtje penale aludimin për kërcënim nga ana e Miljak. Më 2015, gjykatësi i zonës Robert Strniscak e shpalli atë të pafajshëm. Gjatë gjyqit, Strniscak kapi vetë titujt e parë kur vuri në pikëpyetje nëse ishin me të vërtetë 83 mijë njerëzit që vdiqën në Jasenovac.
Ndërkohë, më 2016, Lidhja Antifashiste e Kroacisë dorëzoi një kallëzim penal te zyra e prokurorit të shtetit në Zagreb, ku akuzoi regjisorin dokumentarist Jakov Sedlar për “nxitje publike të dhunës dhe urrejtjes”.
Lidhja pretendoi se Sedlari përdori filmin e tij Jasenovac – E vërteta, për të vënë në pikëpyetje numërimin zyrtar të të vdekurve nga qendra përkujtimore, për të shënjestruar minoritetet kombëtare kroate, më veçanti, serbët.
“[Sedlar] fshehu faktet shkencërisht të bazuara për karakterin gjenocidal të NDH-së,” shkruhet në kallëzim.
Sedlar e hedh poshtë pretendimin. Në maj, ai mori një medalje nga qyteti i Zagrebit për punën e tij.
“Disa hetime të mëtejshme janë ende të nevojshme për të mbledhur të gjithë informacionin e nevojshëm dhe njoftimet për të marrë vendim [nëse do të ngrihet akuzë],” shkroi zyra e prokurorit të shtetit në një përgjigje me email.
‘Kokteil helmues’
Kallëzimi i tretë penal u dorëzua në mes të tetorit nga tri organizata të të drejtave të njeriut te prokurorët e qytetit veri-perëndimor të Pulës kundër një blogeri të përshkruar si tregtar i gjuhës së rrezikshme të urrejtjes.
“Ka një person konkret përballë të gjithë kësaj, me një emër dhe mbiemër konkret,” tha Drazen Hoffmann, një kërkues për grupimin e të drejtave GONG dhe autor të kallëzimit. “Puna e tij në internet i është dedikuar antisemitizmit, afirmimit të ideve naziste dhe mohimit të Holokaustit.”
Deri tani është e paqartë nëse prokurorët mund ta dërgojnë apo jo këtë çështje në gjykatë.
Rrethuar nga librat dhe gazeta të vjetra në katin më të lartë të një ndërtese të shekullit të 19 me pamje nga sheshi kryesor i Zagrebit, Hoffmann ndihmon menaxhimin e një platforme në internet në mënyrë që njerëzit të raportojnë, mes gjërave të tjera, rastet e mohimit të Holokaustit dhe grafitet fashiste.
Eksperti 31 vjeçar i shkencave politike thotë se gjuha e urrejtjes filloi të shtohej nga fundi i vitit 2013 kur elementët radikalë të HDZ-së kuptuan se ka kapital politik që mund të fitohet duke nxitur ndjenjat antiserbe pas zemërimit të shkaktuar nga vendosja e shenjave rrugore me alfabet cirilik në qytetin lindor të Vukovarit, qytet që u shkatërrua nga forcat serbe në vitin 1991.
“Ky ishte një kokteil helmues, jehona dhe shpërthimet e të cilit mund të shihen dhe dëgjohen edhe sot në publik,” tha ai. “Revizionizmi historik është këtu me një mision për të dëmtuar trashëgiminë e antifashizmit – dhe gjithashtu për ta identifikuar atë tërësisht me ‘serbizmin’, dhe me krimet dhe agresionin e luftës së viteve ’90.”
HDZ nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim dhe telefonatave.
Anëtarësimi i Kroacisë në BE më 2013 ishte gjithashtu një gur kilometrik, tha Hoffmann, duke vërejtur se nuk kishte sisteme në punë për të monitoruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut pas anëtarësimit.
“Është e vërtetë se pas pranimit të një vendi në bashkësi, pasi kushtet tejkalohen, disa standarde harrohen,” tha ai.
Pyetur mbi monitorimin e të drejtave të njeriut në Kroaci, zëdhënësi i Komisionit Europian Christian Wigand tha se Bashkimi Europian po punon me vendet anëtare dhe kompanitë e medias shoqërore për të luftuar gjuhën ilegale të urrejtjes.
“Gjuha e urrejtjes dhe propaganda radikale nuk kanë vend në shoqëritë tona – në internet ose jashtë internetit,” tha ai.
Efraim Zuroff nga Qendra Simon Wiesenthal tha se thelbi është që qeveria të imponojë tonalitetin nga lartë.
“Në fund ata duhet të pranojnë të vërtetën historike dhe t’ia thonë atë njerëzve: ‘Këto janë faktet, ju duhet të përballeni me to, të kuptoni çfarë ndodhi dhe të bëni gjithçka që është e mundur që ato të mos përsëriten më kurrë,’” tha ai.
Pogromet në Poloni
Mohimi i Holokaustit ka qenë ilegal që nga viti 1998 në Poloni, ku kushtuesit nazistë vranë miliona hebrenj të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore në kampe vdekjeje të ndërtuara si pjesë e “Zgjidhjes Finale” të Gjermanisë.
Luftëtarët antifashistë polakë organizuan lëvizjen më të madhe të rezistencës në Europë dhe shumë polakë kristianë ndihmuan në shpëtimin e hebrenjve nga shfarosja.
Por historianët thonë se pogromet nga antisemitët vendës tregojnë se disa polakë ishin së paku të gatshëm të bashkëpunonin në krimet kundër hebrenjve.
Kritikët e partisë Ligj dhe Drejtësi, PiS, aktualisht në pushtet, thonë se qeveria ka shkuar tepër larg në nxitjen e nacionalizmit dhe në justifikimin e bashkëfajësisë polake në krimet e Luftës së Dytë Botërore si dhe në shtypjen e sugjerimeve për një fajësi polake.
Në gusht 2016, qeveria propozoi një ligj për të kriminalizuar përdorimin e termit ‘kampet polake të vdekjes’ në vend të termit ‘kampet e përqendrimit në Poloninë e pushtuar’. Nëse miratohet, ligji mund të dënojë shkelësit me deri tre vjet burg.
Ndërkohë, Ministrja e Arsimit Anna Zalewska u vu nën kritika verën e kaluar sepse u duk sikur po vinte në pikëpyetje në një intervistë në televizion përfshirjen polake në dy masakra të njohura: djegien se së paku 340 hebrenjve në një hangar në Jedvabne më 1941 dhe vrasjen e 42 të mbijetuarve të Holokaustit në Kielce më 1946.
“Çfarë tha ajo është idiotësi,: tha Bogdan Bialek, organizues i përkujtimeve të përvitshme në qytetin jugqendror të Kielces. “Do të qe më mirë të merrej me ndonjë gjë të vlefshme.”
Në përvjetorin e 71 të pogromit në korrik, të rinjtë shkruan emrat e viktimave me shkumës jashtë shtëpisë në Kielce u hebrenjtë u rrahën për vdekje.
Sipas organizatës antifashiste polake Kurrë Më, krimet e urrejtjes dhe rastet e gjuhës së urrejtjes – përfshirë përdorimin e simboleve fashiste dhe rasteve të antisemitizmit nga grupimet ekstremiste – janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i krizës së refugjatëve dhe migrantëve në Europë në vitin 2015.
Sipas aktivistit Maciej Kaluza nga organizata Kurrë më, PiS u përpoq të kalëronte një valë ndjenjash ksenofobike gjatë zgjedhjeve parlamentare atë vit dhe ka vijuar të kërkojë kapital politik nga intoleranca.
“Zyrtarisht PiS nuk mbështet organizatat e ekstremit të djathtë por në të njëjtën kohë nuk bën asgjë për t’i ndaluar ata,” tha Kaluza.
PiS nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim.
Bashkëpunëtorët në Serbi
Shumica e territorit të Serbisë së sotme u pushtua nga Gjermania Naziste nga viti 1941 deri më 1945, por vendi nuk pati mungesë kolaboracionistësh, thonë historianët.
Gjykata e lartë në Beograd po shqyrton kërkesën për rehabilitim të mundshëm të Milan Nedic, udhëheqës të regjimit pro-nazist të Serbisë nga gushti 1941 deri në tetor 1944.
Sipas raportit për liri fetare ndërkombëtare të Departamentit të Shtetit për vitin 2016, qeveria e Nedic ishte përgjegjëse për vrasjen e 90 për qind të popullsisë hebraike të Serbisë gjatë Holokaustit.
Nazistët e vunë Nedic si udhëheqës të të ashtuquajturës Qeveri për Shpëtim Kombëtar. Ai u arratis në Austri pas luftës ndërsa komunistët jugosllavë e shpallën atë kriminel luftë para vdekjes së tij më 1946.
Procesi për rehabilitimin e tij, i nisur nga trashëgimtarët e Nedic, ka ndarë opinionin në Serbi, vend që është në bisedime për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Jashtë gjykatës gjatë seancës, protestuesit antifashistë janë përballur me mbështetësit e veshur me të zeza, të cilët pretendojnë se ai i dha strehë 600 mijë serbëve nga i gjithë rajoni i Ballkanit.
“Që të rehabilitosh një regjim nazist, duhet të jesh një nazist – dhe Nedic nuk ishte njëri prej tyre,” deklaroi Aleksandar Nedic, stërstërnipi i udhëheqësit të kohës së luftës dhe një i vetëdeklaruar nacionalist serb.
I ulur në një stol jashtë një blloku apartamentesh të kohës socialiste në lagjen Banovo Brdo të Beogradit, ai tha se pavarësisht se çfarë vendos gjykata, gjyqi ka prodhuar një kundërnarrativë ndaj historisë së epokës komuniste, histori që ai e cilëson si të gënjeshtërt.
“Është njësoj si të humbasësh peshë,” tha ai. “Për aq vite sa ti shton kilogramë, nevojiten po kaq vite për t’i hequr ato. Është e njëjta gjë me rehabilitimin historik. Për sa më shumë vite të jenë thënë gënjeshtrat, për aq shumë vite duhet të thuhet e vërteta.”
Por historiani Milan Radanovci, autor i librit Ndëshkim dhe Krim – Forcat e Kolaboracionistëve në Serbi dhe një kundërshtar i fortë i rehabilitimit të Nedic, tha se vetëm një minorancë mbështet shfajësimin e udhëheqësit të kohës së luftës.
“Nuk ka ndodhur kurrë që një vend Europian të rehabilitojë ligjërisht kuislingët e vet,” tha ai. “Ai ishte shumë i vetëdijshëm se dhjetëramijëra hebrenj, romë dhe civilë serbë u dërguan në kampet e përqendrimit dhe më pas u ekzekutuan.”
Më 2015, një gjykatë në Beograd anuloi dënimin e kohës komuniste për Dragoljub ‘Draza’ Mihailovic, një udhëheqës çetnikësh i ekzekutuar më 1946 për tradhëti të lartë dhe bashkëpunim me nazistët.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, luftëtarët e rezistencës monarkiste të njohur si çetnikët, bashkëpunuan hapur me fuqitë e Boshtit kur shënjestruan myslimanët boshnjakë dhe kroatët krahas komunistëve.
Në maj, Gjykata e Lartë në qytezën perëndimore të Valjevos e rehabilitoi Nikola Kalabicin, komandant të famëkeqëve Trupat e Rojës Malore Çetnike, akuzuar nga autoritetet jugosllave të pasluftës për bashkëpunim me nazistët dhe krime të tjera.
Tamara Opacic është drejtoreshë ekzekutive në të përjavshmen Novosti në Zagreb. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.
Të tjera
-
Hill: Nuk ka prova që lidhin Beogradin me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se SHBA-të nuk kanë k...
-
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanicë
Policia në Graçanicë me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon ndihmë...
-
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një ndërtesë të re
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Rama: Qendra Kulturore ...
-
Google bllokon mijëra ueb faqe të lajmeve të rreme pro Kinës
Grupi i Inteligjencës për Kërcënime i Google (TAG), në bashkëpunim me firmën ...
-
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
Zhgënjimi për mungesën e ndryshimeve dhe bllokimi i reformave çuan në suksesi...
-
Paralajmërimet saudite për të dyshuarin e sụlmit në treg u injoruan
Taleb al-Abdulmohsen, i dyshuar për sulmin në tregun e Magdeburgut, kisht...
-
Vetaksident në Klinë, vdẹs shoferi
Sot ka vdekur një person pasi është vetaksidentuar në fshatin Poterq të Klinë...
-
Gjatë javës së kaluar në rajonin e Ferizajt u raportuar 13 raste të vjedhjeve
Javën e kaluar janë raportuar 13 raste të vjedhjeve: 11 në Ferizaj, 1 në Kaça...
-
Agjencitë botërore e quajnë Vuçiqin president populist
Disa dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën këtë pasdite në Beograd për një pr...
-
Protesta e PD-së, reagon policia e Tiranës: Do përballen me pasoja për bllokimin e akseve
Policia e Tiranës ka reaguar për protestën e thirrur nga opozita pasditen e s...
-
Aplikacionet spiune, Serbia përgjon gazetarë e aktivistë, reagon kompania izraelite: Nëse akuzat rezultojnë të sakta…
Një raport i ri ka zbuluar se agjencia e inteligjencës serbe ka instaluar pro...
-
“Motër, a i len çelësat në kerr ti?”: Ky është i dyshuari që e mori veturën e kufomave dhe bënte ‘drifta’ në Pejë
Disa pamje në Pejë u bënë virale ditëve të fundit. Një veturë e bartjes së...