Lajme

Ambasadori britanik në Tiranë: Kosova të tërheqë policinë dhe të themelojë Asociacionin

Autori: Gazeta inFokus 23:31 | 08 June 2023

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith, tha se mbeten të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës duke shtuar se po bashkëpunojnë për të qetësuar gjendjen.

Smith u shpreh se duhet të ketë zgjidhje, ndërsa sugjeron tërheqjen e policisë nga ndërtesat e komunave, zgjedhje të reja dhe themelimin e Asociacionit.

“Aktualisht qeveria e Kosovës ka një rol vërtet të rëndësishëm; ata duhet të tërheqin forcat e policisë speciale nga ndërtesat e komunave dhe duhet t’i krijojnë mundësinë kryetarëve të komunave të kryejnë funksionet e tyre nga lokacione të tjera. Gjithashtu, ne mbështesim thirrjen për zgjedhje të reja lokale dhe gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç është rënë dakord mes qeverive. Kështu që së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, Francën, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, ju përmendët BE-në, Italinë dhe të tjera me radhë, ne po bashkëpunojmë për të qetësuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje”, tha King-Smith.

-Advertisement-

Në këtë intervistë për “Report TV”, ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm.

“Ne po përballemi me një luftë në Evropë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe tani po shohim të ndizen tensione të tjera. Ne nuk duhet ta lejojmë që kjo të ndodhë. Ky rajon është i rëndësishëm dhe stabiliteti i tij është i rëndësishëm, kështu që ne u bëjmë thirrje të gjithëve të gjejnë mënyrën të kapërcejnë të gjithë këto probleme dhe të gjejnë një zgjidhje që të funksionojë vërtet, jo vetëm për qeverinë, por më e rëndësishmja dhe kryesorja është që duhet të funksionojë për qytetarët dhe qytetarët e çdo komuniteti”, deklaroi ambasadori britanik në Tiranë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera