Lajme

“Alfabeti i ka 27 shkronja”: Padia për shpifje e Bashës ndaj qytetarit, shtyhet seanca

Autori: Gazeta inFokus 16:33 | 20 October 2023

Me kërkesë të deputetit të Vetëvendosjes, Dimal Basha është shtyrë seanca përgatitore në rastin ku ai ka paditur Gafurr Abdullahun se ka shpifur në median sociale “Facebook”.

Deputeti Basha ka kërkuar të shtyhet seanca pasi tek sot ka pranuar përgjigjen nga Abdullahu për padinë e ushtruar në shtator të 2020-ës.

“Mbetem në të tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, me një ndryshim të vogël në aspektin objektiv, njëherit në këtë seancë pranova përgjegjen në padi dhe për këtë arsye kërkoj që të më ipet një afat kohor në mënyrë që të deklarohem me pretendimet e të paditurit”, ka deklaruar deputeti Dimal Basha në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

-Advertisement-

Dimal Basha kishte paditur Gafurr Abdullahun, me pretendimin se ka shpifur kur ka deklaruar se “Bashën e ka pasur shok klase”.

Veç kësaj, deputeti e ka paditur Abdullahun se ka deklaruar se Basha “ka mëndu kohë të gjatë se alfabeti i ka 27 shkronja”.

Pretendimi i tretë i Bashës është se Abdullahu ka shpifur kur ka thënë se i ai ka njollosur mësimdhënësit.

Përfaqësuesi i të paditurit Gafurr Abdullahu, avokati Jeton Berisha deklaroi se mbetet në tërësi pranë përgjigjes ne padi.

Mirëpo, avokati Berisha ka kundërshtuar propozimin për shtyrjen e seancës, ndërsa gjykatësja e çështjes Mirlinda Bytyçi Rexhepi vendosi që seanca e sotme të shtyhet, ndërsa sa i përket propozimit të përfaqësuesit të të paditurit, njoftoi se gjykata do të vendosë jashtë seancës.

Seanca e radhës u caktua më 17 nëntor 2023 ora 14:30.

Sipas padisë, aty thuhet se i padituri ka bërë shumë shpifje dhe ofendime në postimin e tij në rrjetin social FACEBOOK me datën 11 dhe 12 shtator 2022.

Sipas kësaj padie, shpifjet dhe fyerjet e të paditurit kanë rritur dëmin emocional dhe material kur shpifjet dhe ofendimet e të paditurit janë shpërnda nëpër mediat nacionale të Kosovës.

Ai ka kërkuar që i padituri t’i fshijë të gjitha postimet, të kërkojë falje, të premtojë se nuk do ta përsërisë shpifjen, të kërkojë nga portalet të fshijnë lajmin si dhe të paguajë dëmin material dhe jomaterial paditësit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera