Lajme

Albin Kurti: Kam nevojë për pushim

Autori: Gazeta inFokus 17:26 | 28 February 2019

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas lirimit nga spitali ka falënderuar stafin e Klinikës Infektive dhe Emergjencës në QKUK, shkruan inFokus.

Ai ka thënë se infermierët në këtë spital e kanë ndihmuar për të dalur nga kjo krizë, pavarësisht kushteve të tyre të punës.

Kurti ka falënderuar me emër, të gjithë infermierët nga kjo klinikë.

-Advertisement-

“Infermieret Arbëria, Adelina, Arbenita, Merlina, Miradija, Vildanja, Elmerina, Amirja, Eminja dhe kryeinfermierja Lulja, nga Reparti i Intenzivës së Klinikës Infektive, si dhe mjekët Prof.Shemsedini, Dr.Nderimi e Drejtor Hamdiu, me dijen, përvojën dhe kujdesin e tyre, më nxorën nga kjo krizë shëndetësore. Ata ngadhënjyen mbi sëmundjen time, përkundër kushteve të tyre të punës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se ende ka nevojë për pushim, dhe vazhdim të terapisë.

Kurti ka uruar që edhe të sëmurët e tjerë në atë klinikë, të shërohen sa më shpejtë.

“Isha i sëmurë, ende nuk jam shëruar. Dy javë pushim e vazhdim i terapisë janë të nevojshme. Por, më vjen turp të them se isha i sëmurë kur kam parasysh e s’i heq dot prej mendjes pacientët e tjerë aty, në gjendje të rëndë, disa edhe shumë të rëndë. Uroj që t’ia dalin të gjithë, të shërohen e të bëhen sa më mirë. Dëshiroj më të mirën për ta e për familjarët e tyre, dhe e di se mjekët e infermieret do të vazhdojnë përditë të shërbejnë me përkushtim për të gjithë të sëmurët”, përfundon postimi i Albin Kurtit.

Kryetari i VV-së ka qenë duke u trajtuar në QKUK për disa ditë, pas problemeve shëndetësore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera