Lajme

Albin Kurti i reagon ashpër AKP-së: Mos filloni me privatizime të reja

Autori: Gazeta inFokus 10:34 | 23 February 2021

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pasi që Agjencia Kosovare e Privatizim ka mbledhur bordin e saj për të filluar privatizime të reja.

Sipas Kurtit, AKP-ja është duke keqpërdorur mungesën e institucioneve, shkruan Gazeta Infokus.

“Tani jam informuar që bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura. Thirrjet e bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion”, ka shkruar ai.

-Advertisement-

Mandje Kurti i ka kërkuar publikisht AKP-së, që të mos fillojë me valë të re të privatizimit.

“E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi. Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, ka shkruar ai.

Kreu i VV-së, ka treguar edhe njëherë se me ardhjen në Qeveri do të ndryshojë statusin e AKP-së.

Qeveria Kurti në dy mbledhje të saj, me 10 mars dhe me 23 mars 2020, kishte nxjerrë dy vendime përmes të cilave kërkonte nga AKP-ja të pezullojë fillimisht të gjitha veprimet në lidhje me pronat e palujtshme nga lista e aseteve për qiradhënie, dhe, pastaj, të pezullojë në afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme që i ka nën administrim.

Por këto vendime ishin shfuqizuar nga Qeveria Hoti, por megjithatë kishte vazhduar kërkesa ndaj AKP-së që të mos shpallë asnjë valë të re të privatizmit.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës kishte krijuar një komision hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimet eventuale në procesin e privatizimit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera