Lajme

Albin Kurti deklason me shikueshmëri Memli Krasniqin e Lumir Abdixhikun

Autori: Gazeta inFokus 11:37 | 23 March 2022

Gjatë mbrëmjes së martë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ndaras ishin të ftuar në tri televizione, ku secili veç e veç diskutuan gjerë e gjatë për 1 vjetorin e qeverisë Kurti, shkruan Gazeta inFokus.

Të tre këta liderë të partive më të mëdha në vendin tonë, ishin të ftuar në të njëjtën kohë nga televizionet, të cilat intervistat e tyre po i transmetonin drejtpërdrejt edhe në rrjetin social Facebook.

E ajo se çfarë ra në sy në Facebook ishte shikueshmëria e lartë e Memli Krasniqit që ishte i ftuar në Klan Kosova dhe e Lumir Abdixhikut që po debatonte në T7.

-Advertisement-

Derisa Krasniqi po shikohej drejtpërdrejtë nga mbi 30 mijë përdorues të Facebookut, Abdixhikun po e ndiqnin mbi 22 mijë shikues.

Kurse, Albin Kurti edhe pse njihet si politikani me shikueshmërinë më të lartë në rrjete sociale, mbrëmë nuk e kishte natën e tij sa i përket audiencës në kohë reale.

Kjo pasi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje që ishte i ftuar në RTK u shikua drejtpërdrejt nga mbi 6 mijë persona.

Megjithatë, pasi përfunduan emisionet u aludua se kryetari i PDK-së dhe ai i LDK-së i kishin ‘blerë’ shikimet në kohë reale, kjo pasi në fund doli që Albin Kurti ishte shikuar më së shumti.

Madje, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku nuk u shikuan as sa gjysma e shikimeve të Albin Kurtit edhe nëse i bëjmë bashkë shikueshmëritë e të dy liderëve opozitarë.

Kur kanë kaluar 12 orë nga përfundimet e emisioneve, Albin Kurti në RTK është shikuar nga 145 mijë persona, kurse Memli Krasniqi është shikuar nga 19 mijë përdorues të Facebookut, ndërkaq Lumir Abdixhiku nga 51 mijë shikues./Gazeta inFokus/

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!

Të tjera