Lajme

Alarmi për “zhvendosjen e serbëve”, Hasani: Pak i besueshëm, histeri e disa politikanëve të kohës së Millosheviqit

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 04 September 2024

Lajmi që Sonja Biserko dhe Nenad Çanak ia sollën të dielën në zyrë Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se në Beograd po diskutohet që pushteti atje po planifikon zhvendosjen e serbëve nga Kosova, për Enver Hasanin profesorin e së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare është pak i besueshëm.

“Me gjithë respektin që kam për zonjën Biserko e zotin Çanak, një gjë e tillë duhet të jetë pak e  besueshme”.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye shtetërore që do të shtynte Serbinë për një hap të tillë. Përkundrazi, një gjë e tillë do të shkonte kundër interesave të saj, vlerëson ish -kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

-Advertisement-

“Më shumë besoj se kjo është histeri e disa prej politikanëve lokalë serb nga regjimi i vjetër i diktatorit Sllobodan Millosheviq, të cilët janë të prirë për qasje të tilla irracionale në raport me shqiptarët”, shtona ai.

Hasani ka folur edhe rreth reagimeve të forta të vendeve të QUINT’it pas aksionit policor të javës së kaluar në pjesën veriore për mbylljen e komunave ilegale.

“Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, po luan për vota –  zoti Kurti e di mirë që konflikti i hapur nuk është i mundur; kjo në fund të fundit i intereson aleatëve tanë – përmes nxitjes së ndjenjave e pasioneve më të papërmbajtura nacionaliste” thekson ai.

“Ajo që Qeveria nuk e kupton është arsyeja se përse serbët nuk duan konflikt të hapur: pala serbe po luan me mjeshtri kundrejt Kosovës, duke i ikur me çdo kusht konfliktit të hapur, përmes frenimit të serbëve lokalë dhe inkurajimit të tyre që pjesërisht të marrin pjesë në realizimin e disa prej marrëveshjeve bilaterale, siç janë tabelat, dokumentet, energjia dhe kështu me radhë, të cilat nuk kanë implikime sovranizuese për shtetin serb” shton ai.

Duke e komentuar blerjen e aeroplanëve “Rafale” nga Beogradi, Hasani thotë se ky veprim i Francës e “largon një hap më tutje Serbinë nga Rusia.

“Ata avionë nuk mund të përdoren kundër Kosovës, e cila, siç e shihni, ka trendin e njëjtë të armatosjes. Kjo armatosje reciproke është duke u bërë jo si garë në armatim, por si garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon, duke krijuar një raport të forcave nën ombrellën e NATO-s”, vlerëson ai.

Intervista e plotë

Gazeta Express: Të dielën në zyrën e Kryeministrit të Kosovës ishin mysafirë dy figura të njohura nga Serbia aktivistja Sonja Biserko dhe politikani Nenad Çanak. Nga takimi doli një informacion i pazakontë, komunikata e ZKM thoshte se vizitorët e njoftuan se “po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta”. Tutje, thuhet se ata apeluan te Kurti që të përpiqet ta parandalojë një skenar të tillë? Si e kuptoni ju këtë?

E.Hasani: Me gjithë respektin që kam për zonjën Biserko e zotin Çanak, një gjë e tillë duhet të jetë pak e  besueshme. Nuk ka asnjë arsye shtetërore që do të shtynte Serbinë për një hap të tillë. Përkundrazi, një gjë e tillë do të shkonte kundër interesave të saj shtetërore. Serbët lokalë, e dinë mirë në Serbi, mbrohen nga KFOR’i nëse vjen puna deri te një përshkallëzim i rënd i situatës ndëretnike. Perëndimi më nuk lejon përsëritjen e tragjedisë së vitit 2004.

Gazeta Express: Çanak e ndërlidhi këtë me zhvillimet në veri, përmendi aksionet e institucioneve të Kosovës,  “heqjen e universitetit” nga atje, “ndërtimet intensive në Sanxhak” duke thënë se është e qartë ku çon e gjithë kjo. Pastaj theksoi se e kanë ndarë këtë informacion me kryeministrin Kurti, pasi ai e ka obligimin sigurinë e serbëve në Kosovë. Çfarë i bie kjo?

E.Hasani: Këto të gjitha i kam dëgjuar para një muaji. Përveç këtyre, kam dëgjuar se Qeveria gjoja do të ndërhyjë edhe në spitalet paralele serbe. Përkundër tensioneve dhe hapave të pamatur të kësaj Qeverie në raport me serbët lokalë, nuk shoh asnjë shenjë serioze dhe arsye shtetërore për një gjë të tillë. Më shumë besoj se kjo është histeri e disa prej politikanëve lokalë serb nga regjimi i vjetër i diktatorit Sllobodan Millosheviq, të cilët janë të prirë për qasje të tilla irracionale në raport me shqiptarët. Çdo ndërhyrje e Qeverisë së Kosovës në universitetin serb në veri, në spitalet e tyre dhe institucionet tjera që i shërbejnë dimensionit thellësisht human e edukativ, do të ishte vetëvrasje për Kosovën dhe vetë politikën aktuale. Politikat e deri sotme të Qeverisë së Kosovës jo vetëm që legjitimojnë autonominë serbe, të pranuar nga zoti Kurti më 2023 në Bruksel dhe Ohër, por edhe e përshpejtojnë implementimin e saj. Nëse Qeveria dëshiron të ndërmarrë hapa edhe më radikalë në raport me dimensionet thellësisht humane të jetës dhe punës së serbëve lokalë, atëherë një gjë e tillë do të shkaktojë probleme ekzistenciale për vetë atë dhe do ta dëmtoj Kosovën pakthyeshëm: më nuk do të bëhet fjalë për autonomi të serbëve të Kosovës, por vënien  në pikëpyetje të qenies shtet të Republikës së Kosovës që u krijua më 17 shkurt 2008.

Gazeta Express: Pati reagime të forta nga shtetet anëtare të QUINT, BE dhe NATO lidhur me aksionin policor që ndodhi të premten e kaluar në Veri ku u mbyllën katër komunat ilegale. Sipas jush ku çon e gjithë kjo?

E.Hasani: Veprimet që po ndërmerr Qeveria e Kosovës kohëve të fundit, krejt të pakoordinuara me miqtë ndërkombëtarë, të cilët kanë interes jetik për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë, nuk janë shumë të dobishme dhe politikisht racionale. Veprimet e saj janë të ndërmerren në zonën gri në mes të tensionit të skajshëm dhe konfliktit potencialisht të hapur. Llogaria e Qeverisë së Kosovës bazohet në logjikën se konflikt të armatosur nuk mund të ketë, sepse për konflikt duhen dy palë. Ajo që Qeveria nuk e kupton është arsyeja se përse serbët nuk duan konflikt të hapur: pala serbe po luan me mjeshtri kundrejt Kosovës, duke i ikur me çdo kusht konfliktit të hapur, përmes frenimit të serbëve lokalë dhe inkurajimit të tyre që pjesërisht të marrin pjesë në realizimin e disa prej marrëveshjeve bilaterale, siç janë tabelat, dokumentet, energjia dhe kështu me radhë, të cilat nuk kanë implikime sovranizuese për shtetin serb. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, po luan për vota –  zoti Kurti e di mirë që konflikti i hapur nuk është i mundur; kjo në fund të fundit i intereson aleatëve tanë – përmes nxitjes së ndjenjave e pasioneve më të papërmbajtura nacionaliste. Kjo gjendje ka bërë që Serbia të duket si ruajtëse dhe garantuese e paqes në rajon. Mos harroni se Vuçiq në sytë e perëndimorëve është garantues edhe i Dejtonit, sepse po e mban nën kontroll të plotë Milorad Dodikun e Bosnje-Hercegovinës.

Paralelisht, serbët e Kosovës aktualisht kanë arritur të fitojnë statusin e të viktimës, pra të shtetasve të Kosovës ndaj të cilëve ushtrohet represion e dhunë shtetërore. Duhet të dijë çdokush se perëndimi kurrë nuk ka për të pasur mirëkuptim kur dikush ua mohon të tjerëve përfaqësimin: rregulli më civilizues i botës perëndimore është që pa përfaqësim nuk ka mbledhje të taksave dhe as qeverisje të mirë. Serbëve sot për sot u mungon përfaqësimi dhe ky është realitet i hidhur që e ka krijuar kjo Qeveri. E di se naivët thonë që serbët i kanë të gjitha të drejtat dhe nuk i shfrytëzojnë, mirëpo nuk është problemi te letrat por te gjendja në terren dhe ndjesia e frikës që kanë serbët lokalë, të cilët, po e përsëris, nuk kanë përfaqësim politik. Kjo përbën problem serioz që Kosova duhet ta adresoj, ndryshe do të dëmtohemi shumë. Retorika për shtrirje të sovranitetit, e parë në dioptri reale gjeopolitike, del qartë si bizare dhe politikë mediokre.

Gazeta Express: Si duhet të shihet nga Kosova fakti që Franca i shet aeroplanë të sofistikuar Serbisë. Çfarë mesazhi është ky dhe për kënd më shumë?

E. Hasani: Mesazhi kryesor është ky: Serbia ngadalë po armatoset me armë e teknologji perëndimore, me synim përfundimtar integrimin në strukturat euro-atlantike. Ky hap i Francës e largon një hap më tutje Serbinë nga Rusia. Ata avionë nuk mund të përdoren kundër Kosovës, e cila, siç e shihni, ka trendin e njëjtë të armatosjes. Kjo armatosje reciproke është duke u bërë jo si garë në armatim, por si garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon, duke krijuar një raport të forcave nën ombrellën e NATO-s. Kjo që shohim, thënë shkurt, nuk është garë në armatim në mes të dy vendeve me synime të kundërta të sigurisë, por me synime krejtësisht të njëjta afatgjate. E di se kjo për laikët duket paradoksale, por çdokush duhet të di se në të kaluarën serbët dhe shqiptarët u kanë shërbyer, nëpër katër anët e botës, perandorive të ndryshme dhe kanë luftuar për të tjerët krah për krah. Kjo ka ndodhur çdoherë përveç shekullit 20-të. Këtu e kam fjalën për Perandorin otomane, bizantine dhe romake. Me këtë dua të them se mesazhi parësor ka të bëj me Rusinë, jo me Kosovën. Me këtë blerje Serbia ka treguar interes për të qenë më afër Perëndimit, duke prodhuar siguri rajonale. Krejt kjo vjen si një lloj shpërblimi për Serbinë dhe politikat e saj konstruktive në raport me agresionin brutal rus në Ukrainë.  Kjo politikë serbe dhe këto koncesione të fituara, sigurisht që duhet ta shqetësojnë Qeverinë e Kosovës, e cila, siç e thash, ka krijuar viktima nga serbët lokalë dhe ka bërë Serbinë partner kryesor të Perëndimit në ruajtjen e paqes në rajon. Shefi i CIA nuk ka ardhur për të qetësuar Serbinë, por Kosovën dhe “Republika Srpska’n”. Njëjtë vlen edhe për vizitat tjera të zyrtarëve të lartë të NATO-s. Kjo qasje e perëndimorëve rrjedh nga shqetësimi i tyre parësor për shpërthim të një konflikti më të gjerë në Lindje të Mesme dhe në raport me Tajvanin, dy problemet ekzistenciale që kanë me  Kinën e Rusinë dhe aleatët e tyre respektivë. Serbia në këtë kuptim ka lexuar siç duhet Perëndimin dhe ka marrë qartë anën e tyre në raport me luftën në Ukrainë dhe në raport me Izraelin, duke mbështetur në të njëjtën kohë politikën kineze në raport me Tajvanin sa i përket sovranitetit shtetëror.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera