Lajme

Alarmante: Ferronikeli po ‘ua merr’ jetën banorëve të Drenasit

Autori: Gazeta inFokus 09:34 | 02 April 2021

Banorët e fshatrave të Drenasit të cilët shtrihen përreth fabrikës së Ferronikelit janë duke u përballur me probleme të mëdha, shkruan Gazeta inFokus.

E ndikimin më të madh ndotja që vjen nga kjo fabrikë e ka në shëndetin e këtyre qytetarëve, ku sëmundjet e rënda nga të cilat po vdesin ata kanë shënuar rritje.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Preportr, thuhet se vetëm në vitin 2017 në Drenas 90 qytetarë janë prekur nga Kanceri. Ndërsa në vitin 2019, kanceri ka prekur 68 qytetarë.

-Advertisement-

E se jeta në vende të ndotura është e dëmshme për shëndetin e ka konfirmuar edhe Rukije Mehmeti, pulmologe në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK. Ajo ka thënë se në bazë të studimeve të shumat që janë kryer, nëse një person jeton më shumë se 10 vite në një zonë si ajo afër Ferronikelit, do të preket nga sëmundjet kronike.

“Përveç këtyre sëmundjeve, prania e metaleve dhe substancave tjera mund të ndikojnë në rritjen e numri të të sëmurëve me kancer të mushkërive, por edhe të gjitha organeve tjera. Kjo për faktin se nëse diçka kalon dhe përthithet në rrugët e frymëmarrjes, diçka patjetër ka për të kaluar edhe në enët e gjakut dhe përmes tyre bartet edhe në organet tjera”, thotë Mehmeti.

Doktoresha e Pulmolologjisë thotë se pasojat ndjehen kur pacientët fillojnë të kenë lodhje më të shpeshta, probleme me frymëmarrje, kollë me këlbazë etj.

“Gradualisht zhvillohen ndryshimet (në mushkëri) dhe janë ndryshime të pakthyeshme. Prandaj ne mundohemi vetëm ta lehtësojmë gjendjen e pacientit, por me mjeku nuk mundemi”, u shpreh Mehmeti.

E njëri nga banorët e kësaj pjese ka thënë se pluhuri që përhapet nga Ferronikeli po i ndot edhe ushqimin.

ujar Morina nga fshati Çikatovë e Vjetër, thotë se kur frynë era, skoria shpërndahet dhe e ndotë gjithë ambientin përreth. Për këtë arsye thotë se nuk po e punojnë më tokën pasi që perimet dhe frutat janë të papërdorshme.

“Në jetën e përditshme shohim pjesë të skories kudo. E shohim në tesha, në pemë. Një ditë e kam çel një mollë dhe brenda ka pasur pjesë të skories. As mollët nuk mund t’i përdorim”, ka thënë ai për Preportr.

E sikur kjo të mos mjaftonte ai thotë se kohë pas kohe nga fabrika e Ferronikelit lëshohet edhe një kundërmim i rëndë që është i padurueshëm.

“Nuk na ka mbet për me jetu në këtë vend”, thotë ai.

Kujtojmë se Ferronikeli, u pajis me leje të Integruar Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me 19 nëntor të vitit 2014, ndërkohë që kishte ankesa të vazhdueshme nga qytetarët e Komunës së Drenasit për ndotjen e mjedisit nga kjo kompani./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera