Lajme

Akuzohet se ia plotësoi përgjigjen në test kandidatit për mësues, deklarohet i pafajshëm zëvendësministri i Mbrojtjes

Autori: Gazeta inFokus 17:53 | 20 March 2023

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, i akuzuari Adnan Rexheplar, zëvendësministër i Mbrojtjes, është deklaruar i pafajshëm për akuzën se si kryesues i Komisionit për rekrutim të kandidatëve për mësues klasor në shkollën “Fetah Sylejmani”, në Dragash, ia ka shënuar përgjigjen në testin me shkrim kandidatit për mësues, Muhamed Misini.

Sipas aktakuzës, Redxheplar akuzohet se si kryesues i Komisionit për rekrutimin e kandidatëve në konkursin e shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Dragash, për pozitën mësues klasor në shkollën “Fetah Sylejmani”, ka shënuar përgjigjen e 11-të në testin me shkrim për kandidatin Muhamed Misini, për të cilën përgjigje i njëjti nga ana e Komisionit është vlerësuar me 4 pikë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Rexheplar u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arjana Shajkovci.

-Advertisement-

Pas kësaj, gjykatësi Artan Sejrani ka obliguar të akuzuarin Redxheplar dhe mbrojtësin e tij, avokatin Esat Gutaj, që në afat prej 30 ditësh të paraqesin kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Po ashtu, Sejrani ka obliguar prokuroren Shajkovci që pas pranimit të kërkesës për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, për të njëjtën të deklarohet me shkrim në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 9 shkurt 2023, Adnan Rexheplar, po akuzohet se si kryesues i Komisionit për rekrutimin e kandidatëve, sipas konkursit me numër 13/33, te shpallur nga DKA në Dragash, më 15 janar 2020, për pozitën mësues klasor në SHFMU “Fetah Sylejmani”, në fshatin Xërxë, Komuna e Dragashit, më 4 shkurt 2020, në ambientet e Kuvendit Komunal ne Dragash, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, dhe atë për kandidatin i cili ka aplikuar sipas konkursit të cekur, Muhamed Misini,

Aktakuza thotë që Rexheplar ka shënuar përgjigjen në testin me shkrim të kandidatit Muhamed Misini, dhe atë në pyetjen numër 11, për të cilën përgjigje i njëjti nga ana e Komisionit është vlerësuar me 4 pikë, ndërsa që dorëshkrimi në pyetjen me numër rendor 11, të këtij testi me shkrim nuk është i shkruar nga kandidati, Muhamed Misini, është vërtetuar nga raporti i ekspertimit, nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të datës 5 tetor 2022.

Për këto veprime, Rexheplar po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera