Lajme

Akuza të rënda kundër rojeve bregdetare europiane, dyshohet se autoritetet greke morën refugjatë nga toka dhe i hodhën sërish në det

Autori: Gazeta inFokus 07:41 | 19 June 2024

Autoritetet greke të kufirit thuhet, se kanë marrë refugjatë nga toka dhe i kanë hedhur sërish në det.

Kjo akuzë dhe akuza të tjera të ngjashme vijnë nga viktimat dhe dëshmitarët e këtyre ngjarjeve, thotë një analizë e stacionit britanik të lajmeve, BBC. Sipas të dhënave të veta, gazetarët kanë analizuar 15 raste gjatë të cilave kanë gjetur vdekjen 43 vetë. Ministria greke e transportit ujor dhe politikës për ishujt i ka hedhur poshtë akuzat. Por i ka thënë BBC, se autoritetet vendase të transparencës do të hetojnë materialet përkatëse në video.

Ka vite që autoritetet europiane të kufirit akuzohen herë pas here për praktika ilegale pune, si për shembull kthimet e detyruara, gjatë të cilave njerëzit që kanë shkelur një kufi shtetëror dëbohen me dhunë ose kërcënim dhune, pa pasur mundësi që të bëjnë kërkesën për azil. Sipas pikëpamjes së shumë juristëve kjo praktikë shkel disa ligje ndërkombëtare, mes të cilave Konventën e Gjenevës për refugjatët, Konventën europiane të të drejtave të njeriut dhe ligjet e BE-së.

-Advertisement-

Greqia

Udha që kalon nga Turqia për në Greqi është një nga udhët kryesore përgjatë së cilës njerëzit përfundojnë në BE. Prandaj presioni që ushtrohet ndaj autoriteteve greke të kufirit është i madh. Mediat dhe organizatat për të drejtat e njeriut njoftojnë herë pas here për shkelje të shumta të të drejtës ndërkombëtare të refugjatëve, si në Egje ashtu edhe në detin midis Greqisë dhe Turqisë, por edhe në kufirin tokësor midis dy vendeve. Qendrat zyrtare reagojnë në mënyra të ndryshme për akuzat e bëra: Herë ato nuk thonë asgjë, herë i hedhin akuzat poshtë, herë njoftojnë se do të hetojnë rastet.

Një shembull: Gati një vit më parë një peshkarexhë e vjetër me më shumë se 700 emigrantë në bord përfundoi në detin e qytetit grek të Pylosit. Organizata të të drejtave të njeriut dhe në mbrojtje të azilit akuzojnë rojet greke të kufirit se e morrën vesh që peshkarexha ishte në gjendje alarmi detar dhe megjithatë këmbëngulën që ta fusnin atë në ujërat italiane. Vetëm 104 pasagjerë i mbijetuan mbytjes.

Kroaci

Edhe rojet kroate të kufirit akuzohen se i dëbojnë migrantët me dhunë në Bosnjë Hercegovinë. Në shumë raste personat e prekur akuzojnë autoritetet se i kanë rrahur, vjedhur dhe poshtëruar. Zakonisht qeveria kroate i hedh poshtë në mënyrë kategorike akuza të tilla.

Hungari

Krejt ndryshe i trajton akuzat e tilla qeveria hungareze. Ajo shpesh pranon se mbështet praktikat ilegale, gjatë të cilave migrantët dëbohen me dhunë për në Serbi, pa u dhënë mundësi që të bëjnë kërkesë azili.

Spanjë

Në Spanjë përfundojnë çdo vit mijëra refugjatë që përdorin dy rrugë: nga bregdeti perëndimor i Afrikës në ishujt Kanare dhe nga Maroku në dy eksklavat spanjolle të bregdetit afrikan. Njoftimet bëjnë të ditur se sidomos në Ceuta dhe Melilla, migrantët dëbohen me dhunë nga toka spanjolle dhe dërgohen në Marok, shpesh duke mos respektuar të drejtat ndërkombëtare. Herë pas here njerëzit humbasin jetën kur grupe të mëdha refugjatësh afrikanë mundohen të depërtojnë kufinjtë e mbrojtur me gardhe me tela.

Itali

Rruga për në Itali, përkatësisht ajo në afërsi të bregdetit afrikano-verior të ishullit italian të Lampeduzës, është aktualisht rruga më e rëndësishme e migracionit. Edhe autoritetet kufitare italiane janë vënë në shënjestër të kritikave, për shkak të trajtimit të ashpër të migrantëve, kushteve të këqija në kampet e pranimit në Lampeduza dhe kthimeve të hershme të refugjatëve, që shpesh bëhen pa kontrollin e duhur juridik të rastit.

Përveç kësaj organizatat e të drejtave të njeriut akuzojnë Italinë se kriminalizon organizatat humanitare dhe punonjësit e tyre, për shembull shpëtimtarët e detit në Mesdhe. Qeveria e djathtë shpalli në pranverë të 2023 një gjendje të jashtëzakonshme gjashtëmujorëshe për shkak të numrit të madh të refugjatëve të ardhur rishtaz.

Frontex (Bashkimi Europian)

Agjencia e Bashkimit European që merret me ruajtjen e kufirit tokësor dhe detar, Frontex, ka për detyrë të vëzhgojë kufijtë e jashtëm të zonës së Shengenit, pra asaj pjese të BE-së ku nuk kryhen rregullisht kontrolle të brendshme kufitare. Akuzat për dëbimet ilegale nga Frontex-i janë ngritur që në vitin 2009. Në atë kohë rojet bregdetare europiane kapën peshkarexhat me refugjatë nga Atlantiku dhe i dërguan në Senegal. Edhe në Mesdhe, punonjësit e Frontex-it kanë detyruar refugjatët që vijnë me varka të papërshtatshme për lundrim detar, për t’u kthyer dhe i kanë detyruar të futen në ujrat ndërkombëtare, duke i lënë atje në baltë.

Përveç kësaj, shpesh ngrihen akuza se Frontex ka lejuar shkelje të të drejtave të njeriut nga rojet kombëtare të kufirit. Duke iu referuar një dokumenti të brendshëm, disa media njoftuan në vitin 2019 se punonjësit e Frontex-it kanë bërë edhe vetë vepra të dënueshme. Sidomos në Egje dhe në kufirin tokësor Turqi- Greqi refugjatët janë detyruar të kthehen dhe janë keqtrajtuar, veprime në të cilat ka marrë pjesë edhe Frontex.

Komisioni i BE-së i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e përgjithshme kundër Frontex-it. Nëse punonjës të Frontex-it nuk kanë respektuar rregullat, atëherë rastet do të ndiqen. Ndjekja penale bëhet nga vendet anëtare të BE-së.

Në fillim të vitit 2021 u bë e ditur se krah Këshillit administrativ të Frontex-it edhe autoritetetet europiane të luftës kundër korrupsionit OLAF, janë duke zhvilluar hetime kundër punonjësve të Frontex-it. Hetimet zhvillohen jo vetëm ndaj veprave të kryera por edhe kundër përpjekjeve të autoriteteve për t’i mbuluar ato. Në prill të 2022 drejtori i Frontex-it, Fabrice Leggeri dha dorëheqjen mes të tjerash edhe për shkak të këtyre akuzave. Kërkesat për një reformim me themel të agjencisë kufitare janë duke u bërë gjithnjë e më të zëshme, megjithatë akuzat vazhdojnë të mos pushojnë. Së fundi u bë e ditur se vendet anëtare të BE-së kanë kanë kritikuar mos krijimin e autoritetit të ri prej 10 mijë trupash, i cili nuk mund të zëvendësohet në mënyrë efektive as nga njësia e re elitare./ DW

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera