Aktakuza e plotë: Si ndodhi e si u zbulua vrasja dhe djegia e viktimës nga i vëllai në Rahovec
Autori: Gazeta inFokus 17:48 | 24 November 2021
Më 11 shkurt të vitit të kaluar, në fshatin Bërnjak të komunës së Rahovecit, ka ndodhur një vrasje e rëndë, e cila do të zbulohej vetëm pas dy muajsh. G.K. kishte vrarë vëllanë B.K., me armë zjarri, por për ta fshehur krimin, trupin e pajetë e kishte djegur bashkë me disa mbeturina në oborr. Prokuroria Themelore e Gjakovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj G.K., i cili akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Tre apo katër plumba u shkrepën nga arma e G.K. në gjoksin e vëllait B.K., mesditën 11 shkurtit të vitit 2020.
Nga të shtënat me armë zjarri, 64-vjeçari B.K. mbeti i vdekur në vend, në shtëpinë e tij, nga dora e vëllait të tij.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Express, krimi në familjen K. nga Bërnjaku i Rahovecit dyshohet të ketë ndodhur pasi i dyshuari ishte në dijeni se vëllai i tij kishte sjellë nga Zvicra një shumë të parave me të cilat do ta rregullonte shtëpinë.
“Me datë 11 shkurt të vitit 2020, rreth orës 11:00 në fshatin Bernjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit B.K., me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij B.K., në atë mënyrë që pasi i pandehuri paraprakisht kishte njohuri se tani i ndjeri kishte një shumë të konsiderueshme të parave të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës ku kishte leje qëndrimi dhe këto para i kishte marrë për rregullimin e shtëpisë së tij”, thuhet në aktakuzë.
G.K. kishte shkuar në shtëpinë e vëllait kinse për të ia dërguar disa para të cilat i kishte marrë borxh nga miku i djalit të tij.
“…ditën kritike rreth orës 09:00 i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e tani të ndjerit gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave në shumën 7,000 euro, të cilat para i kishte marrë nga miku i djalit të tani të ndjerit, në emër të një borxhi, ku gjatë bisedës mes të pandehurit dhe tani të ndjerit, i pandehuri ishte fyer nga tani i ndjeri me pretekst se po i ndërhyn në familje të tij…”, thuhet në aktakuzë.
Pas bisedës që kishin pasur, G.K. ishte kthyer në shtëpinë e tij, ku kishte marrë armën dhe kishte shkuar sërish në shtëpinë e vëllait, ku edhe e kishte qëlluar me 3 apo 4 plumba.
“…i revoltuar nga kjo i pandehuri kthehet në shtëpinë e tij, nga xhepi i jaknës së tij e cila ishte e varur në korridorin e shtëpisë së tij, merr revolen e markës “Cervena Zastava”, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit, e cila gjendet larg shtëpisë së tij rreth 40 metra, duke shfrytëzuar pjesën e pasme të shtëpisë së tani të ndjerit, hyn brenda në shtëpi, hap derën e sallonit dhe derisa tani i ndjeri ishte i shtrirë në divan duke folur në telefon, i pandehuri nga dera shtien me armë 3-4 herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me predha në gjoks, duke e lënë të vdekur në vend”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Express.
Pasi e kishte vrarë vëllanë me armë zjarri, G.K., ishte kthyer në shtëpinë e tij. Por, pasi ishte errësuar, ishte kthyer përsëri në vendin e krimit, ku e kishte marrë trupin e pajetë të të vëllait, e kishte mbështjellë me batanije dhe e kishte vendosur prapa shtëpisë.
Aty, G.K. e mbuloi kufomën me plastika, thasë letre, dërrasa e gjëra tjera, dhe i dogji të gjitha bashkë.
Zjarri qëndroi i ndezur rreth tri ditë. E pas kësaj, mbeturinat dhe disa mbetje kockore të të vëllait, G.K. i hodhi jashtë shtëpisë.
“…më pas i pandehuri largohet duke shkuar në shtëpinë e tij, i cili pasi është errësuar, përsëri shkon te shtëpia e tani të ndjerit, e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e qet në oborr të shtëpisë, pikërisht prapa shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastika, thasë letre, dërrasa, letër e zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë, dhe më pas mbeturinat së bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në një vend deri tani të paidentifikuar me qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit”, thuhet në aktakuzë.
I dyshuari ishte arrestuar dhe ishte ndaluar më 9 prill të vitit 2020, nën dyshimet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Si ishte zbuluar vrasja?
64-vjeçari G.K kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, për të kryer disa punë në shtëpinë e tij.
Por, pas pak ditësh, ai ishte raportuar i zhdukur nga bashkëshortja e tij.
Ajo nuk kishte dëgjuar asgjë nga bashkëshorti i saj B.K. dhe kishte marrë rrugën drejt Kosovës.
Pas hetimeve, ngjarjen e rëndë e kishte zbuluar Policia e Kosovës, e cila përmes analizave të ADN-së kishte arritur të gjejë pjesë të djegura kockore të cilat nga forenzika ishin dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Më pas ishin kryer edhe bastisje, gjatë të cilave policia kishte gjetur rreth 35 mijë franga dhe 8 mijë euro, që dyshohej se ishin të viktimës.
Të tjera
-
Ngjarjet e datës 5 qershor
Ngjarjet e datës 5 qershor 2024 Policia e Kosovës, mban një Ushtrim Fushor...
-
Sllovenia e njeh Palestinën si shtet
Parlamenti i Sllovenisë sonte ka marrë vendim që ta njeh shtetin palestinez. ...
-
Mblidhet Komisioni për Buxhet, në rend dite disa projektligje e raporte
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot do të mbajë mbledhje. Në këtë...
-
Mot me diell dhe vranësira të shpërndara
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot me diell dhe ...
-
Policia e Kosovës mban ushtrim fushor afër Aeroportit të Prishtinës
Policia e Kosovës sot duke filluar nga ora 09.00, do të mbajë Ushtrim Fushor ...
-
Gazetari Nuhi Bytyçi vazhdon dëshminë në Speciale
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi ...
-
Gjykimi për dallavere me patentë shofer, të akuzuarit deklarojnë se MI-së nuk i shkaktuan dëm buxhetor
Në këtë rast, ish-ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Minist...
-
Vd es një 42 vjeçar në Suharekë, ra në kontakt me rrymën elektrike
Një 42 vjeçar ka vdekur si pasojë e goditjes nga rryma elektrike. Ngjarja e r...
-
Haiziri tregon kur mund të mbahen zgjedhjet
Mundësia për zgjedhje të parakohshme duket të mos jetë e mundur aktualisht. ...
-
Vuçiq i bindur te fitorja e tij në zgjedhje: Hapini kutitë, mund t’i numëroni 100 herë
Një ditë pas triumfit në zgjedhjet e pjesshme lokale, presidenti i Serbisë, A...
-
Kurti thotë se kompania turke “Baykar” është adresë e duhur për armatim: Kur do të blejmë e sa, merret vesh më vonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kompania turke “Baykar”,...
-
Sveçla “ndërron temë”, publikon pamje të maleve të Veriut
Derisa në vend po debatohet rreth telefonatës së Mimoza Kusari-Lilës dhe Mila...